
Hamasi jep shenja tërheqjeje. Grupi palestinez ka pohuar se kur kontrollin e Rripit të Gazës ta marrë komiteti drejtues i parashikuar në planin e paqes të Donald Trump, atëherë Hamasi do të shpërndajë qeverinë e tij.
Sipas "Associated Press", megjithatë ende nuk është përcaktuar një datë e saktë për këtë kalim të pushtetit, pasi as Hamasi dhe as Autoriteti Kombëtar Palestinez nuk kanë shpallur emrat e personave që do të bëhen pjesë e ekzekutivit të ri të Gazës.
Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Duke filluar nga nevoja ose jo për një miratim amerikan dhe izraelit lidhur me personat e përzgjedhur si anëtarë të Këshillit të Paqes së Gazës, i cili duhet të mbikëqyrë qeverinë dhe aspekte të tjera të armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe dërgimin e një force ndërkombëtare sigurie.
Ndërkohë, Hamasi ka ndërmarrë hapa paraprakë duke dhënë “udhëzime për të gjitha institucionet dhe agjencitë qeveritare që të përgatiten të transferojnë të gjitha kompetencat e tyre”, siç deklaroi në një videomesazh zëdhënësi Hazem Kassem.
“Ky vendim është i qartë dhe përfundimtar dhe ka gjithashtu udhëzime për të lehtësuar suksesin e punës së kësaj agjencie palestineze, në përputhje me interesin më të lartë kombëtar. Marrëveshja është ende në fazën e parë”, tha zëdhënësi.
Një zyrtar egjiptian pohon për "Associated Press" se Hamasi është duke u përgatitur të dërgojë një delegacion për bisedime me zyrtarë nga Egjipit, Katari e Turqia për të kaluar në fazën e dytë.
Lini një Përgjigje