TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Janar 2026, 19:35

Superfuqia e re ajrore: Kina ndërton flotën që sfidon SHBA-në në Paqësor

Shkruar nga Pamfleti
Superfuqia e re ajrore: Kina ndërton flotën që sfidon
Flota kineze

Ndryshime të mëdha janë bërë edhe në mënyrën e trajnimit të pilotëve. Deri para vitit 2020, pilotët kinezë ndiqnin një regjim të ngurtë, me manovra të programuara dhe mbështetje të madhe në kontroll nga toka, një trashëgimi sovjetike. Por vitet e fundit ka pasur një tranzicion drejt trajnimeve më realiste dhe fleksibël...

Një artikull i publikuar më 8 janar nga RUSI (Royal United Services Institute) analizon krahasimisht fuqinë ajrore të Rusisë dhe të Republikës Popullore të Kinës, me fokus të veçantë te kapaciteti prodhues i avionëve luftarakë.

Ndërsa forcat ajrore ruse, pavarësisht humbjeve në fazat e para të luftës në Ukrainë, kanë treguar njëfarë adaptimi dhe vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim për NATO-n, vëmendjen më të madhe e tërheq zhvillimi marramendës i forcave ajrore kineze.

Gjatë pesë viteve të fundit, Kina ka bërë përparime të jashtëzakonshme në ndërtimin e një force ajrore moderne. Janë prodhuar me qindra avionë të gjeneratës së katërt dhe të pestë, si dhe një numër i madh avionësh mbështetës për vëzhgim ajror, luftë elektronike dhe zbulim të avancuar. Bashkë me to, janë vendosur në prodhim të gjerë raketa ajër-ajër të gjeneratës së fundit, sisteme raketore tokë-ajër (SAM) dhe sensorë të teknologjisë së lartë.

Sipas të dhënave të RUSI, në vitin 2020 Kina kishte rreth 50 avionë J-20 të gjeneratës së pestë, ende të papjekur teknologjikisht, dhe rreth 90–100 avionë J-16 Flanker-N. Në atë kohë, çdo vit prodhoheshin rreth 20 J-20 dhe 40 J-16. Por deri në fund të vitit 2025, kapaciteti vjetor i prodhimit për J-20A dhe variantin dyvendësh J-20S ka arritur në rreth 120 avionë.

Vlerësimet nga burime të hapura tregojnë se deri në mesin e vitit 2025 janë futur në shërbim rreth 300 avionë J-20 në të paktën 13 regjimente, ndërkohë që numri real mund të jetë edhe më i lartë për shkak të avionëve të prodhuar që janë ende në proces shpërndarjeje. Për J-16, besohet se rreth 450 avionë kanë hyrë në shërbim deri në fund të 2025, bazuar në një numër prej 350 në vitin 2024 dhe një ritëm prodhimi prej 100 avionësh në vit. Nëse ky trend vazhdon, PLAAF mund të ketë rreth 1000 avionë J-20 dhe 900 J-16 në shërbim aktiv deri në vitin 2030.

Përveç avionëve të rëndë, Kina ka shtuar ndjeshëm numrin e avionëve të gjeneratës së katërt si J-10C, me mbi 300 njësi në përdorim deri në vitin 2025. Ndërkohë, variantet më të vjetra J-10A dhe J-10B janë ende në shërbim në numër prej rreth 250 njësi. J-10C është shumë më i avancuar se paraardhësit, i pajisur me radar AESA, lidhje të dhënash (datalink), komunikim satelitor dhe aftësi për të përdorur raketën PL-15 për luftime jashtë fushës së shikimit (BVR).

Gjithashtu, Kina ka përshpejtuar prodhimin e J-16 në variantet për luftë elektronike, si për përdorim në tokë ashtu edhe në aeroplanmbajtëse. Të dy versionet bazohen në dizajnin rus “Flanker” dhe janë të pajisur me pajisje të brendshme dhe podë të jashtëm që i afrojnë shumë avionit amerikan EA-18G Growler, duke dëshmuar nivelin e avancuar që ka arritur industria kineze e mbrojtjes.

Një tjetër avion në zhvillim është J-35, një luftarak i gjeneratës së pestë, i disponueshëm në versione për përdorim tokësor dhe detar. Në fund të vitit 2025, ai ndodhej ende në fazën fillestare të prodhimit me ritme të ulëta, por pritshmëritë janë që të ndjekë modelin e përshpejtimit të ngjashëm me atë të J-20 dhe J-16.

Në fushën e kërkimeve të reja, Kina ka realizuar fluturime testuese me dy avionë eksperimentalë të rinj, të njohur si J-36 (ose JH-36) dhe J-50. JH-36 është një avion trimotor me dizajn “ala fluturake” dhe me karakteristika të një bombarduesi të mesëm, ndërsa J-50 shihet si një demonstrues teknologjik që synon zhvillimin e një avioni të gjeneratës së gjashtë, me formë të ngjashme me F-22 amerikan, por pa stabilizatorë vertikalë.

Ndryshime të mëdha janë bërë edhe në mënyrën e trajnimit të pilotëve. Deri para vitit 2020, pilotët kinezë ndiqnin një regjim të ngurtë, me manovra të programuara dhe mbështetje të madhe në kontroll nga toka – një trashëgimi sovjetike. Por vitet e fundit ka pasur një tranzicion drejt trajnimeve më realiste dhe fleksibël, falë edhe përfshirjes së instruktorëve me përvojë perëndimore dhe pjesëmarrjes në simuluese të avancuara për luftime ajrore.

E gjithë kjo forcë ajrore mbështetet nga një infrastrukturë e sofistikuar zbulimi dhe komunikimi në distanca të gjata. Kina operon avionë AEW&C si KJ-500 në tokë dhe KJ-600 në aeroplanmbajtëse, përdor sisteme ISR me bazë hapësinore dhe ka rritur ndjeshëm flotën e avionëve për luftë elektronike. Kjo strukturë shumëdimensionale e bën sot fuqinë ajrore kineze një mjet shumë më të fuqishëm dhe të sofistikuar sesa ishte pesë vite më parë. Në teori, ajo mund të përballet me fuqinë aeronavale amerikane edhe në zona shumë larg kontinentit aziatik, si në ishullin Guam. Megjithatë, një hendek i madh mbetet ende: mungesa e përvojës reale në luftime, faktor që mbetet vendimtar për një fuqi ajrore me efikasitet të plotë. /Përshtatur nga "Inside Over"

avionet kina

1 Komente

  1. R
    Roki

    Rrangalla ruse, me forma te reja..

    Lini një Përgjigje