TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Janar 2026, 17:18

Europa vendosi ushtarët në Groenlandë, Trump kërcënon me sanksione të gjitha shtetet që i dalin kundër!

Shkruar nga Pamfleti
Europa vendosi ushtarët në Groenlandë, Trump kërcënon
Liderët e BE-së dhe Trump

Trump tha se tarifat mund të përdoren si mjet presioni ndaj shteteve që nuk pajtohen me ambicien e tij për ishullin strategjik në Arktik...

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton vendosjen e tarifave të reja ndaj vendeve që kundërshtojnë planet e tij për aneksimin e Groenlandës, duke e lidhur drejtpërdrejt çështjen me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë të fokusuar në kujdesin shëndetësor, Trump tha se tarifat mund të përdoren si mjet presioni ndaj shteteve që nuk pajtohen me ambicien e tij për ishullin strategjik në Arktik.

Mund t’u vendos tarifa vendeve nëse nuk pajtohen me Groenlandën, sepse kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare”, deklaroi Trump, duke theksuar se tarifat kanë qenë një instrument që ai e ka përdorur edhe në raste të tjera për të detyruar bashkëpunimin e vendeve të huaja, përfshirë përpjekjet për uljen e çmimeve të barnave në SHBA.

Përpjekja e Trump për të kontrolluar Groenlandën ka shkaktuar zemërim midis kombeve evropiane, të cilat kanë frikë se ky veprim mund të prishë lidhjet transatlantike afatgjata. Disa kanë filluar të dërgojnë trupa në ishullin gjysmëautonom të Arktikut që aktualisht është territor i Danimarkës.

Por për Shtëpinë e Bardhë, zhvendosja e trupave të disa vende evropiane të NATO-s në Groenlandë, nuk ka asnjë ndikim në përpjekjen e Presidentit Donald Trump për të përvetësuar territorin danez.

“Nuk mendoj se trupat në Evropë ndikojnë në procesin e vendimmarrjes së presidentit, dhe as nuk ndikojnë fare në qëllimin e tij për blerjen e Grenlandës”, tha sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Shtëpia e Bardhë e bëri gjithashtu të qartë se presidenti e sheh blerjen e Groenlandës si një përparësi për sigurinë kombëtare.

Përfaqësues nga Groenlanda dhe Danimarka vizituan Shtëpinë e Bardhë këtë javë me disa takime të paqarta rreth planeve të Trump.

Ndërkohë, një delegacion dypartiak i senatorëve amerikanë, përfshirë senatorët Chris Coons, Thom Tillis, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, pritet të takohet sot në Kopenhagen me udhëheqës të qeverisë daneze dhe të Groenlandës dhe të biznesit.

Delegacioni viziton Groenlandën në një kohë kur Presidenti Donald Trump e ka bërë të qartë dëshirën e tij që SHBA-të të marrin përsipër territorin e Arktikut. Kjo shtytje është kritikuar nga ligjvënësit nga të gjithë, dhe 75% e amerikanëve thonë se e kundërshtojnë idenë./Pamfleti

trump groenlanda

Lini një Përgjigje