TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Janar 2026, 14:38

Rusia, SHBA-ja, Kina dhe Evropa: Loja e re e madhe në Arktik

Shkruar nga Paolo Mauri
Rusia, SHBA-ja, Kina dhe Evropa: Loja e re e madhe në Arktik
Anije në Arktik

Ky rajon, dikur i izoluar nga akulli, po shndërrohet në një arenë të re strategjike ku interesat ushtarake të Moskës, Uashingtonit dhe Pekinit përplasen me ambiciet e Evropës. Përmes dokumenteve të fundit doktrinare, fuqitë e mëdha po ridizajnojnë hartën e sigurisë globale në një prej kufijve më kritikë të planetit...

Interesi i shfaqur nga Donald Trump për Grenlandën, ka rikthyer në qendër të vëmendjesnjë çështje që prej kohësh është pjesë e agjendës strategjike të shumë fuqive: politika për Arktikun. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vendet nordike anëtare të NATO-s, së bashku me Kinën, prej të paktën një dekade po zhvillojnë ose po rifreskojnë doktrina të reja për rajonin e Veriut të Madh.

Motivet e këtij interesi të përtërirë, janë të shumta dhe ndryshojnë sipas shteteve dhe disa prej të cilave kanë edhe karakter historik. Por ato mund të përmblidhen në 3 pika kryesore: shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe minerare, hapja e mundshme e rrugëve të reja tregtare si pasojë e ngrohjes globale, si dhe zgjerimi apo krijimi i zonave të reja të sigurisë strategjike.

Strategjia ruse

Moska, Uashingtoni dhe Pekini, kanë hartuar dokumente të qarta mbi politikat e tyre strategjike për Arktikun. Rusia mbetet shteti që ka vepruar më intensivisht për të rikuperuar rolin e humbur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Gjatë 15 viteve të fundit, presidenti Putin ka miratuar masa konkrete për të forcuar praninë ruse në pjesën e saj të Arktikut, sidomos në aspektin infrastrukturor, energjetik dhe ushtarak.

Rusia bashku me Kanadanë, zotëron pjesën më të madhe të territorit arktik.

Për Moskën, që nga epoka e BRSS-së, ky rajon ka shërbyer si një kufi që duhet mbrojtur dhe si një pikë kyçe për projeksionin e fuqisë drejt Amerikës së Veriut. “Doktrina e Re Detare e Federatës Ruse”, e hartuar në vitin 2010 dhe e përditësuar në 2015-ën, parashikoi krijimin e një komande të përbashkët për Arktikun.

Kjo komandë, përfshin brigada të blinduara, forca speciale, baza ajrore dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore, të cilat së bashku me Flotën e Veriut krijojnë një “flluskë” A2/AD (mohimi i qasjes në zonë). Gjithashtu, janë shtuar sistemet e përgjimit dhe monitorimit të objektivave në distanca të largëta.

Të gjitha këto njësi, operojnë nën komandën e përbashkët të ngritur në Severomorsk, e cila ka marrë tashmë funksionet e Flotës së Veriut dhe të Divizionit të Parë të Mbrojtjes Ajrore.

Moska ka investuar edhe në një infrastrukturë të re në Siberinë veriore, duke ndërtuar deri edhe centrale bërthamore lundruese.

Pikat kryesore të forcave ruse në Arktik ndodhen në ishujt Nova Zemlja, Kotelni dhe Toka e Aleksandrës, ku është ngritur kompleksi ushtarak “Trifoli Arktik”, i aftë të strehojë 150 trupa në mënyrë të përhershme dhe i pajisur me pista uljeje për avionët luftarakë.

Strategjia amerikane

Në strategjinë e tyre të përditësuar të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara e cilësojnë rajonin arktik si vendimtar për sigurinë kombëtare dhe atë të NATO-s. Ai përshkruhet si “fronti verior” i teatrit Indo-Paqësor, gjë që shpjegon edhe interesin e veçantë të Uashingtonit për Grenlandën.

Në Arktik ndodhen pika detare nevralgjike si Ngushtica e Beringut dhe Deti Barenc, të cilat po bëhen gjithnjë e më strategjike për trafikun tregtar ndërkombëtar falë shkrirjes së akujve prej ndryshimeve klimatike. Dokumenti amerikan, thekson se aktivitetet e Kinës dhe Rusisë, si dhe bashkëpunimi i tyre në rritje, ndërthurur me zgjerimin e NATO-s, po krijojnë një kontekst të ri dhe më dinamik në fushën e sigurisëe.

Sipas Pentagonit, ky ndryshim mund të sfidojë stabilitetin e përgjithshëm të Arktikut, por njëkohësisht i ofron Departamentit të Mbrojtjes mundësinë për të forcuar sigurinë përmes një bashkëpunimi më të thellë me aleatët dhe partnerët rajonalë.

Faktori kinez

Faktori më destabilizues për SHBA-në mbetet Republika Popullore e Kinës. Pekini e ka përfshirë Arktikun në planifikimin e tij afatgjatë dhe synon që të rrisë ndikimin dhe aktivitetet e tij në rajon. Edhe pse nuk është gjeografikisht një shtet arktik, Kina po përpiqet të shfrytëzojë dinamikat e reja për të fituar qasje, shfrytëzuar burimet natyrore dhe për të luajtur një rol protagonist në menaxhimin e Veriut të Madh.

Edhe pse ende e kufizuar, prania kineze po njeh rritje të vazhdueshme. Kina ka ndërtuar anije akullthyese moderne dhe përgjatë 13 ekspeditave kërkimore të kohëve të fundit,

ka testuar mjete nënujore pa pilot. Marina kineze, ka treguar tashmë aftësinë dhe synimin për të operuar në ujërat arktike përmes stërvitjeve të përbashkëta me Rusinë.

Edhe pse pjesa dërrmuese e Arktikut është nën juridiksionin e shteteve sovrane, Pekini përpiqet ta paraqesë rajonin si një “pronë globale” për të justifikuar pretendimet e tij për qasje në zonë. Ky vizion, që bie ndesh me politikën e tij rreptësisht nacionalizuese në Detin e Kinës Jugore.

Politika arktike e vitit 2018 e Pekinit, argumenton se shtetet jo-arktike duhet të kontribuojnë në “të ardhmen e përbashkët të njerëzimit”. Përmes projektit “Rruga Polare e Mëndafshit”, Kina ka investuar në infrastrukturë dhe burime, përfshirë Grenlandën. Por aty shumica e kompanive kineze janë përjashtuar nga autoritetet daneze, si në projektet e infrastrukturës ashtu edhe në koncesionet minerare.

Evropa në përpjekje për të mos mbetur pas

Edhe Evropa e ka rritur praninë e saj në Arktik, megjithëse në një shkallë më të moderuar krahasuar me 3 fuqitë e mëdha globale. Në kuadër të NATO-s, prania në Islandë është bërë e vazhdueshme, veçanërisht me misione ajrore për patrullim dhe mbikëqyrje të rrugëve detare.

Vendet nordike si Norvegjia, Finlanda dhe Suedia, kanë intensifikuar stërvitjet ushtarake në mjedisin arktik për të testuar gatishmërinë e tyre. Megjithatë, këto hapa nuk konsiderohen të mjaftueshëm për të krijuar një kapacitet të vërtetë parandalues.

Territore strategjike si Grenlanda, Islanda dhe arkipelagu Svalbard mbeten ende pa një prani të qëndrueshme ushtarake në shkallë të gjerë. Edhe pse aktualisht nuk vërehet një rrezik i menjëhershëm për pushtime nga ana e Rusisë apo Kinës, rikthimi i politikës së “sferave të ndikimit”, e bën gjithnjë e më të domosdoshme vendosjen e strukturave të përhershme dhe të militarizuara në këto zona të pabanuara./ Përshtati "Pamfleti Nga“Inside Over”

rusia shba arktik

Lini një Përgjigje