Trump vepron, Europa mbetet spektatore në krizën e Groenlandës
Në komentet e tij të para politike pas largimit nga posti i ambasadorit vitin e kaluar, Lord Mandelson deklaron se Trump ka arritur më shumë brenda një dite sesa diplomacia tradicionale në një dekadë, duke iu referuar kapjes së presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Ndërkohë që Starmer ka shmangur kritikat direkte ndaj veprimeve të Trump në Venezuelë, ai ka përsëritur qëndrimin se e ardhmja e Groenlandës është një çështje që i përket vetëm territorit dhe Danimarkës.
Por Mandelson, në një artikull për revistën The Spectator, ka argumentuar se reagimi ndaj manovrave të Trump nxori në pah një dobësi në rritje të Europës në planin gjeopolitik, duke bërë thirrje për përdorim më të madh të fuqisë së fortë dhe burimeve financiare për të rifituar peshën ndërkombëtare.
Ish-ambasadori argumenton se Trump nuk ka ndërmend të pushtojë Groenlandën. Ajo që do të ndodhë, sipas tij, është që kërcënimet ndaj sigurisë në Arktik nga Kina dhe Rusia do të bëhen gjithnjë e më të qarta në mendjet e liderëve europianë, ndërsa deklaratat për sovranitetin dhe të ardhmen e NATO-s do të veniten përballë një debati të ri dhe më serioz. Çështja thelbësore, sipas tij, është se si do të arrijnë të bashkëjetojnë në këtë epokë të re të Trumpit dy anët e medaljes perëndimore: Amerika dhe Europa.
Në një kohë kur ministrat britanikë dënojnë "shkatërrimin" e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe Starmer mbështet fuqimisht ligjin ndërkombëtar pas kapjes së Maduro-s, Mandelson argumenton se ky rend ndërkombëtar nuk ekziston prej kohësh. Sipas tij, Trump nuk është një populist që po e shkatërron këtë sistem, ai kishte humbur domethënien shumë kohë para se Trump të zgjidhej president. Shton më tej se rendi global i pas Luftës së Dytë Botërore, nëse ka ekzistuar ndonjëherë plotësisht, ka nisur të zbehet dy dekada më parë, kur Kina u ngrit si një fuqi e madhe që sfidonte dominimin unipolar amerikan.
Mandelson akuzon liderët europianë se nuk e kanë kuptuar revolucionin në zhvillim dhe se kanë bërë një interpretim sipërfaqësor të politikës "America First", duke e ngatërruar me "America Alone", pavarësisht angazhimeve të SHBA-së në Ukrainë dhe Gaza. Ai thekson se Europa është e fiksuar pas postimeve të Trump në Truth Social, por nuk analizon arsyetimet që qëndrojnë pas tyre. Në vend që të bien pre e panikut, liderët europianë duhet të pyesin veten pse Shtetet e Bashkuara po bëjnë rishikime të politikës dhe si mund të ndihmojnë ata, si aleatë, për të zbutur pasojat. Përfundimi i tij është i prerë: qasja e drejtpërdrejtë e Trump përballë realitetit është më e preferueshme se paraliza që karakterizoi administratat e mëparshme amerikane apo lëvizjet e pasigurta dhe të ngadalta të OKB-së dhe BE-së.
Duhet theksuar se Peter Mandelson nuk është më ambasador për shkak të përfshirjes së tij në skandalin Epstein, një faktor që mund të dëmtojë kredibilitetin e tij moral apo ligjor, por që nuk e zbeh peshën e analizës së tij politike dhe strategjike.
Gjendja e përgjithshme e reagimeve europiane është përmbledhur mirë nga Mujtaba Rahman, drejtor për Europën në Eurasia Group. Sipas tij, çështja e Groenlandës ka dominuar axhendën politike të BE-së, ndërsa deklaratat e Trump kanë shkaktuar alarm mes burokratëve që sapo kishin rifilluar punën pas festave. Nga kjo lëvizje ka dalë një plan në tre pika për të zbutur krizën dhe ndoshta për të arritur një marrëveshje, edhe pse besimi në suksesin e tij mbetet i ulët. Plani përqendrohet në fushat ekonomike, të sigurisë dhe në menaxhimin e pasojave. Pika e parë përfshin mbështetje për zhvillimin ekonomik të Groenlandës, zgjerimin e të drejtave të saj të peshkimit, një çështje që solli daljen e Groenlandës nga Bashkimi Europian në vitin 1985 – dhe përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe komunikimit. Do të investohen 94 milionë euro në arsim, formim profesional dhe tranzicion drejt energjisë së pastër. Edhe pse sipas Eurasia Group, ekonomia nuk është faktori kryesor për Trump në interesin e tij për Groenlandën, zyrtarët europianë besojnë se aspekti ekonomik ka një rol të konsiderueshëm.
Një zyrtar europian përmendi obsesionin e administratës Trump për mineralet e rralla dhe disa ide që kanë qarkulluar edhe në lidhje me Ukrainën. BE-ja po planifikon zhvillimin e infrastrukturës në Groenlandë për ta bërë nxjerrjen e mineraleve të rralla më të lirë dhe më tërheqëse për sektorin privat. Një tjetër zyrtar ka theksuar nevojën për të përmirësuar "qëndrueshmërinë ekonomike" të shfrytëzimit të burimeve natyrore të ishullit. Në buxhetin aktual, BE ka ndarë 225 milionë euro për Groenlandën dhe synon ta dyfishojë këtë shumë në buxhetin e ardhshëm, në 530 milionë. Sa i përket sigurisë, përgjegjësia do t’i kalojë NATO-s. Elementi i dytë i planit lidhet me rritjen e pranisë ushtarake.
Elementi i tretë i planit europian lidhet me reflektimin për pasojat në rast se Trump do të ndërmarrë një veprim të njëanshëm që është cilësuar nga zyrtarë të lartë si një "blerje armiqësore". Liderët europianë janë të vetëdijshëm për rrezikun e një përplasjeje publike me Trump, dhe hezitojnë të marrin zotime që nuk mund t’i përmbushin realisht. Megjithatë, pritet një valë diplomacie intensive në Davos dhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Reagimi europian mund të përqendrohet në kufizimin e qasjes amerikane në tregun e përbashkët përmes sanksioneve, tarifave digjitale apo përdorimit të mekanizmave anti-presion ekonomik. Kriza rreth Groenlandës mund të prishë marrëveshjen tregtare BE–SHBA dhe të çojë në një përshkallëzim tarifor nga të dyja palët. Komisioni Europian ka paraqitur një propozim ligjor për të ulur njëanshëm tarifat për eksportet amerikane, por parlamenti europian ende nuk e ka miratuar. Tani disa deputetë danezë po sugjerojnë që kjo nismë të bllokohet derisa SHBA të sqarojë qëllimet e saj në Groenlandë.
Zyrtarët europianë nuk e konsiderojnë të mundshëm skenarin më të keq, një pushtim amerikan të Groenlandës,– dhe nuk mendojnë se një akt i tillë do të sillte shpërbërjen e NATO-s. Ata e shohin si vetëvrasëse politikisht që BE-ja të braktisë mburojën bërthamore të SHBA-së. Gjithashtu, nuk besojnë se SHBA do të tërhiqet njëanshmërisht nga NATO apo nga Ukraina. Arsyeja kryesore është që prodhuesit amerikanë të armëve përfitojnë nga rritja e shpenzimeve europiane për mbrojtje dhe kjo nuk do të ndodhte nëse aleanca do të shkatërrohej. Kjo është arsyeja pse deklarata e kryeministres daneze Mette Frederiksen, se kjo krizë mund të jetë fundi i NATO-s, është pritur me dyshim.
Shpresa në Bruksel është që gatishmëria europiane për të bërë më shumë, si ekonomikisht ashtu edhe ushtarakisht, të rrëzojë argumentet e administratës amerikane dhe të mobilizojë Kongresin amerikan e opinionin publik për të vendosur disa kufij ndaj Donald Trump. /Përshtatur nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje