Një sulm i shënjestruar ajror nga SHBA-ja mbi Gardën Revolucionare mund të shërbente si shkëndija për rrëzimin e diktaturës klerikale në Iran. Përmes mbështetjes së opozitës dhe ushtrisë së rregullt, Trump ka mundësinë të transformojë Lindjen e Mesme, pavarësisht skeptikëve izolacionistë në Uashington…
Vizitorët e qendrës tregtare gjigante dhe tejet luksoze “Iran Mall” në Teheran gjatë janarit të vitit 2024, u habitën me siguri se kush mund të investonte aq shumë para për një ekstravagancë të tillë në një vend kaq të rrethuar nga vështirësi.
Kjo është qendra më e madhe tregtare dhe argëtuese në botë, me mbi 3 milionë metra katrorë vetëm për dyqanet e saj, plus shatërvanë dekorativë gjigantë në një qytet që po mbetet pa ujë të pijshëm.
Në atë kohë, Irani po shkëmbente sulme me raketa me Pakistanin për shkak të luftës së secilit vend me popullsinë e tyre baluçe.
Së shpejti do të përshkallëzonte edhe luftën e tij të herëpashershme me Izraelin dhe do të pësonte një humbje katastrofike.
Investitori guximtar ishte Ali Ansari, një mbështetës i flaktë i diktaturës së Ajatollah Khameneit dhe pronar krenar i një rezidence 33 milionë paund në Londër. Ai nuk u lodh shumë për të marrë kredi bankare nga banka “Ayandeh”, të cilën e zotëronte po vetë plotësisht.
Ajo ofronte norma të larta interesi për të tërhequr sa më shumë depozita. Meqenëse të gjithë e dinin se Ansari ishte i afërt me regjimin, depozituesit ishin të sigurt se do t’u ktheheshin paratë dhe kishin plotësisht të drejtë.
Kur banka, klienti më i madh i së cilës ishte vetë Ansari, falimentoi në tetor 2025, ajo u mor nën kontroll nga banka shtetërore e vjetër “Melli”, e cila i pagoi menjëherë depozituesit me kartëmonedha të shtypura nga banka qendrore e Iranit.
Por kjo ishte e tepërt për tregtarët e Pazarit të Teheranit, të cilët nuk mund të mbyllnin sytë para korrupsionit të hapur në zemër të regjimit që kishte nxjerrë në pah skandali i bankës “Ayandeh”.
Si për t’i përkeqësuar gjërat, depozituesit e bankës u paguan me kartëmonedha të saposhtypura, të cilat mund të prodhonin vetëm më shumë inflacion, mbi të gjithë atë oqean parash të shtypura për Gardën Revolucionare dhe shtojcat e tyre tashmë të mposhtura: Hamasin, Hezbollahun dhe Huthit.
Tradicionalisht fetarë, pazarlinjtë vazhduan ta mbështesnin regjimin derisa ekstremizmi i tij i kushtueshëm dhe i pandalshëm solli përfundimisht në luftë të drejtpërdrejtë me vetë Izraelin.
Dymbëdhjetë ditët dhe netët e sulmeve ajrore izraelite të papengueshme, nga 13 deri më 25 qershor 2025, shkatërruan objektet bërthamore dhe bazat ushtarake, si dhe reputacionin ushtarak të regjimit.
Edhe përpara se bombarduesit B-2 të Donald Trump të lëshonin 14 bombat e tyre të rënda mbi instalimet bërthamore me vlerë miliarda dollarë si goditje përfundimtare, Garda Revolucionare që mburrej sa herë kishe rast për forcën e saj, ishte demaskuar si një grup kllounësh të paaftë që nuk mund të mbronin as gjeneralët e tyre kryesorë dhe inxhinierët bërthamorë nga atentatet në shtëpitë e tyre.
Kur vlera e rialit iranian pësoi një rënie të madhe, nën 1 milion rial për 1 dollar në tetor 2025, pazarlinjtë nuk mund të furnizoheshin dot me asnjë mall, të importuara ose jo, falë rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Ata ulën qepenët më 28 dhjetor, duke shpallur grevë dhe duke filluar protesta, të cilat që atëherë janë përhapur në mbarë vendin. Të paaftë për të gjetur ushqim, blerësit e mundshëm ishin të parët që demonstruan, duke tërhequr shpejt të tjerët për të gjeneruar protesta gjithnjë e më të mëdha.
Më 8 janar, Reza Pahlavi, djali i Shahut të fundit, u bëri thirrje banorëve të qyteteve iraniane të dilnin për të “pushtuar dhe kontrolluar qendrat e qyteteve”, duke caktuar si fillim orën 20:00.
Kur shumë mijëra njerëz dëgjuan thirrjen e tij, Reza fitoi besueshmëri te zyrtarët e Uashingtonit dhe sundimtarët arabë, të cilët prej kohësh e kishin injoruar pretendimin e tij se ai mund të thërriste iranianët në masë për të sfiduar regjimin e Ajatollahëve.
Fakti që Trump u tall me këtë pretendim edhe pas demonstratës masive, është një gabim i nxitur nga izolacionistët që fshihen në Shtëpinë e Bardhë, të cilët kundërshtohen nga fotot dhe pamjet filmike të dhjetëra mijëra njerëzve që marshojnë nën flamurin mbretëror iranian.
Reza i bëri thirrje edhe “Artesh”-it, ushtrisë së rregullt, që të pohojë autoritetin e saj. E lënë në hije për një kohë të gjatë nga Garda Revolucionare shumë më mirë e financuar por tashmë e diskredituar, 300.000 ushtarët e saj mund të ndërhynin dhe të merrnin kontrollin nëse dhe vetëm nëse, Garda Revolucionare merret në shënjestër fillimisht nga SHBA.
Kjo është mënyra se si një sulm ajror i Trump mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Objektivat e tij janë të qarta: dy selitë e Gardës Revolucionare në Teheran, Nasser-e dhe Quds-e, secila e vendosur në ndërtesa të ndara mirë nga banesat civile; dhe ndërtesat e tyre po aq të dallueshme në qytetet e tjera të Iranit duke filluar me Mashad, Isfahan dhe Shiraz.
Argumenti për sulmin ajror, është se ai mund ta rrëzojë regjimin tashmë të urryer, por edhe ta bënte Trumpin një njeri të fjalës së mbajtur. Ai kërcënoi qartazi me sulme nëse regjimi fillonte të vriste njerëz, siç ka bërë në fakt me mijëra njerëz.
Megjithatë, deri më tani, Trump thotë se regjimi e ka siguruar atë se nuk do të ketë më ekzekutime, për gëzimin e madh të J.D. Vance dhe miqve të tij izolacionistë. Argumenti i këtyre të fundit, është se gjërat mund të shkojnë keq edhe nëse veprimi i SHBA kufizohet në disa sulme ajrore gjatë një dite të vetme.
Natyrisht, kjo është krejtësisht e vërtetë për çdo veprim ushtarak. Por nuk ndodhi kështu më 22 qershor të vitit të kaluar kur objektivat bërthamore u shkatërruan pa incidente. Dhe as kur zoti dhe zonja Maduro u nxorën nga Karakasi pa u vrarë asnjë amerikan.
Përveç Vance dhe miqve të tij, miqtë tanë të dashur sauditë janë gjithashtu shumë kundër çdo ndërhyrjeje të SHBA që mund të çlironte 90 milionë iranianë nga kafazi i diktaturës klerikale.
Pavarësisht se sa armiqësorë janë ndaj regjimit të sotëm që i ka sulmuar më shumë se një herë me raketa që shkatërruan rafineritë e naftës, monarkia saudite dhe principatat më të vogla do të ishin shumë më tepër të kërcënuara nga afërsia e tyre me një Iran demokratik, i cili do të liberalizohej më tej shoqërisht dhe kulturalisht nga një vërshim i të mërguarve që kthehen nga Hollywood, Stokholmi etj.
Për të tjerët rreth Trumpit, ekziston një arsye tjetër për të kundërshtuar çdo veprim të SHBA kundër regjimit vrasës të Ajatollahëve. Përveç iranianëve dhe shumë njerëzve nga Jemeni, Iraku, Siria dhe interesave kyçe të SHBA-së në të gjithë Lindjen e Mesme, edhe Izraeli mund të përfitojë nga rënia e armikut të tij më të paepur.
Kjo është arsye e mjaftueshme për Tucker Carlson dhe kritikë të tjerë të zëshëm të Izraelit që të kundërshtojnë çdo veprim ushtarak kundër regjimit të dështuar dhe vrasës. Kështu vendimi mbetet në dorën e Trump dhe Sekretarit të tij të Shtetit besnik dhe shumë efektiv, Marco Rubio.
I njëjti që argumentoi se Maduro mund të rrëzohej shpejt dhe pa shumë dëme anësore. Për fat të mirë, Rubio nuk u kushtoi vëmendje parashikimeve të Carlson për Iranin vitin e kaluar kur tha se “do të vriste mijëra amerikanë” dhe “të cilën ne do ta humbnim”./ Përshtati "Pamfleti", nga “UnHerd”
Shënim: Edward Luttwak, strateg dhe historian i njohur për punimet e tij mbi strategjinë e madhe, gjeoekonominë, historinë ushtarake dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje