Historia e marrëdhënieve mes Putinit dhe Trumpit tregon se gënjeshtra nuk është rastësi, por një mjet pune. Përmes kontrollit reflektiv, Kremlini e ngushton hapësirën e vendimmarrjes amerikane dhe e shndërron paqen në farsë. Strategjia e “pirunit” është mënyra se si Rusia synon dominimin psikologjik mbi kundërshtarët...
Në shah ekziston një lëvizje e quajtur “pirun”. Ti sulmon dy gurë njëkohësisht, duke e detyruar kundërshtarin të bëjë një lëvizje të detyruar. Presidenti rus, Vladimir Putin, e shijon shumë mundësitë për t’i zënë armiqtë e tij në një “pirun” të tillë strategjik.
Së fundmi, ai i tha presidentit amerikan Trump se rezidenca e tij në Valdai ishte sulmuar nga dronë ukrainas. Historia ishte një gënjeshtër e trashë, e cila u zbulua shpejt. Por kjo nuk kishte rëndësi.
Duke e treguar atë, një veteran i KGB-së e vendosi presidentin amerikan para dy mundësive të këqija: të përballej me gënjeshtrën dhe të reagonte me forcë ndaj një mungese kaq të hapur respekti nga Kievi, ose ta injoronte atë dhe të dukej naiv ose më keq akoma, i gatshëm për të pranuar dikë që sapo kishte fyer postin e tij.
Për Putinin, i stërvitur nga dekada në shërbimet e inteligjencës sovjetike dhe ruse, mashtrimi është aq organik sa buka që ha. Ai nuk negocion, por manipulon. Nuk është se nuk i pëlqen të bëjë marrëveshje. Por vetë koncepti i marrëveshjes i duket i huaj. Gënjeshtra i vjen natyrshëm dhe instinktivisht, dhe personi përballë tij nuk është kurrë një partner, por vetëm një objekt për t’u përdorur dhe shfrytëzuar. Në vitin 2001, Xhorxh W. Bush e përshkroi me tone shumë pozitive dialogun e tij me sundimtarin e Kremlinit, që në atë kohë shihej si një demokrat në zhvillim e sipër: “Pashë tek ai një udhëheqës shumë të drejtpërdrejtë dhe të besueshëm... një njeri tepër të përkushtuar ndaj vendit të tij dhe interesave më të mira të tij”.
Rusia është një shtet i pasur me burime, e megjithatë 2/3 e popullsisë rurale nuk kanë ujësjellës dhe kanalizime të brendshme. Më shumë se 1 milion burra janë vrarë ose plagosur në një luftë që ai e nisi vetë.
Me pak fjalë, historia e Putinit tregon më pak shqetësim për kombin e tij sesa për etjen për pushtet dhe vazhdimin me çdo kusht të një rendi perandorak gjakatar. Presidenti Barak Obama u përpoq dikur të angazhohej me Putinin në mënyrë racionale dhe më vonë e quajti atë “jo edhe aq të zgjuar”.
Por ishte senatori i ndjerë Xhon Mekein, ai që e përshkroi më saktë: “E pashë ngultazi në sy zoti Putin dhe vura re 3 shkronja: K, G dhe B!”.
Për të kuptuar thelbin e gënjeshtrës së Valdait, duhet kuptuar “kontrolli reflektiv”, një koncept i zhvilluar nga shërbimi sekrete sovjetike për të diktuar vendimmarrjen e kundërshtarit.
Kjo skemë ngushton shumë zgjedhjet dhe çdo opsion e ka një kosto. Putin gënjeu për trupat në Krime. Ai gënjeu edhe për qëllimet e Rusisë në Ukrainë. Dhe do të vazhdojë të mashtrojë sepse siç e shpjegon Instituti për Studimin e Luftës (ISË): “Mënyra ruse e luftës është e përqendruar në idenë se luftërat mund të fitohen ose të humben në mendjen e kundërshtarit”.
Po ashtu, Putin e shfrytëzoi dëshirën e Trumpit për t’u parë si një paqebërës. Në fillim të vitit 2025, Ukraina pranoi brenda 24 orësh një propozim armëpushimi nga Shtëpia e Bardhë. Publikisht, Kremlini pretendoi se po e kërkonte paqen me ngulm.
Në realitet, ai e përshkallëzoi luftën e tij kriminale. Sulmet ndaj civilëve u rritën, Koreja e Veriut konfirmoi se trupat e saj po luftojnë për Rusinë dhe negociatat u shndërruan në farsë. Çmimi Nobel për Paqen nuk erdhi kurrë, dhe Putini nuk humbi kohë për t’u mburrur me këtë fakt.
Samiti i Alaskës nxori në pah të njëjtin model. Diktatori rus pati rastin të shfaqej në një skenë të re për të përsëritur gënjeshtrat e tij, ndërsa Ukraina u përjashtua nga bisedimet për të ardhmen e saj. Putini nuk dha asgjë. Nuk premtoi asnjë armëpushim, asnjë tërheqje, asnjë llogaridhënie.
Siç shkroi ish-komandanti ukrainas Valeri Zaluzhni: “Negociatorët e Rusisë, ashtu si gjeneralët e saj, luftojnë për të lodhur, ngatërruar dhe përçarë kundërshtarët. Qëllimi i tyre nuk është paqja, por vonesa; jo kompromisi për marrëveshje, por pushtimi përmes mashtrimit...”.
Kjo qasje është e mirë-dokumentuar mirë. Kejsi Mishel ka treguar në analizën e tij se objektivi i Moskës nuk është besueshmëria, por dominimi psikologjik. Strategjia e Kremlinit, mbështetet në përmbytjen e hapësirës publike me kontradikta dhe gënjeshtra të hapura, duke i detyruar kundërshtarët të reagojnë në vend që të veprojnë.
Putini që shfaq afrimitet ndaj Trumpit, është i njëjti Putin që ka shndërruar anti-amerikanizmin në doktrinë shtetërore. Nën Gorbaçovin dhe Jelcinin, rreth 70 për qind e rusëve e shihnin Amerikën si një vend mik. Sot, rreth treçereku e shohin si armik.
Pastaj vjen shantazhi bërthamor. Rusia nuk i përdori armët e saj “të fundit të botës” kur ushtria e saj u thye në periferi të Kievit, kur Ukraina çliroi Khersonin, kur Krimea u sulmua apo kur trupat ukrainase hynë në rajonin rus të Kurskut.
Këtu faktori më i madh, është se presidenti kinez Xi Jinping, nga i cili varet mbijetesa e Putinit, e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore. Ndoshta gënjeshtra më e guximshme e Putinit është se Rusia mund të distancohet nga Kina nëse Perëndimi ia dorëzon Ukrainën.
Kjo “martesë interesi” u shndërrua në një partneritet “pa kufij” që në fillim të pushtimit. Kina furnizon 92 për qind të komponentëve të huaj për dronët rusë. Dorëzimi i Ukrainës nuk do ta shkëpuste këtë lidhje; ai thjesht do ta shpërblente Moskën për zgjedhjen që bëri përkundrejt Pekinit.
Atëherë pse Putini e ka gënjyer dhe vazhdon të gënjejë Trumpin? Sepse gënjeshtra është mjeti i tij i punës, por edhe sepse ai beson se kjo metodë funksionon. Hapi i parë për të mposhtur luftën konjitive ruse është i thjeshtë: ndalo së luajturi sipas rregullave të tyre, ndalo së pranuari intrigat e Putinit.
Hapi i dytë është më i vështirë: jepini Ukrainës atë që i nevojitet për të dëbuar pushtuesit. Tregojini Putinit se mashtrimi i presidentit të SHBA-së dhe kërcënimet bërthamore nuk do të tolerohen më. Putini gënjen nga zakoni, por edhe nga frika.
Ai gënjen sepse ushtria e tij po dështon dhe ekonomia ruse po ndjen lëkundjet. Putin gënjen sepse e vetmja rrugë drejt fitores, kalon përmes pavendosmërisë së Uashingtonit dhe Evropës. Gënjeshtra më e madhe nga të gjitha, është pretendimi se ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse ta pranojmë atë./Përshtati "Pamfleti", "The Hill"
Shënim: Andrew Chakhoyan, është drejtues në Universitetin e Amsterdamit. Më parë ka shërbyer në qeverinë amerikane në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit dhe ka studiuar në Shkollën Kennedy të Universitetit të Harvardit
Ky shkruan me qellim per te mbrojtur vendin e vet te punes, dhe jo per te na thene te verteten!!! qe vet Zelenski e pranon, dhe do ta pranojne... edhe neser ne Emiratet...
Nuk genjehet Trump,por kjo menyre sjellje i pershtatet si grabitçar qe eshte. Nga njera and presion europes putin dhe nga ana tjeter presion edhe ky per te perfituar ndonje cope akull. Pale do te beje edhe moral kur thote po vriten shum ne Ukraine .
Z. Trump funksionon me një llogjikë disi ndryshe. Për atë vetëm rezultati përfundimtar ka vlerë. Ulje ngritjet, manovrat, e çdo gjë tjetër që ndodh nga fillimi te mbarimi i një marrëveshjeje janë pjesë e pazarit. Prandaj është ndryshe, nuk është i diplomacisë, nuk është i traditës. Është thjesh një tregëtar që kërkon të blejë me çmimin që dëshiron. Andaj, rezultati i fundit, vetm ay ka vlerë. Tjerat janë fjalë në erë.