Irani u është përgjigjur kërcënimeve të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke theksuar se po shqyrton objektiva të reja amerikane për t’i goditur.
Trump deklaroi se Irani “do të goditet shumë rëndë” të shtunën, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë objektiva të reja në Iran për “shkatërrim total dhe vdekje të sigurt”.
Një zyrtar i lartë iranian i tha CNN se SHBA-të kanë “kërcënuar qartë se do të zgjeronin luftën kundër popullit iranian dhe do ta godisnin atë menjëherë”.
“Për këtë arsye, Republika Islamike njofton se do t’i shqyrtojë seriozisht zonat, forcat dhe subjektet e lidhura amerikane që deri më tani nuk janë përfshirë në listën e objektivave të forcave të armatosura iraniane dhe do të ndërmarrë veprime kundër tyre në rast të veprimeve të pamatura nga ana e armikut”, tha zyrtari.
Ai nuk dha detaje të mëtejshme dhe nuk specifikoi se kur mund të fillojnë sulmet ndaj listës së zgjeruar të objektivave.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Truth, presidenti amerikan paralajmëroi qartë se Irani do të përballet me një sulm të fortë gjatë ditës së sotme dhe se objektivat mund të zgjerohen edhe ndaj zonave dhe grupeve që nuk kanë qenë pjesë e operacioneve të mëparshme ushtarake.
“Sot Irani do të goditet shumë fort. Po shqyrtohet seriozisht shkatërrimi i plotë dhe vdekje e sigurt për zona dhe grupe njerëzish që deri në këtë moment nuk ishin konsideruar si objektiva, për shkak të sjelljes së keqe të Iranit”, shkroi Trump.
Situata e sigurisë në Lindjen e Mesme mbetet shumë e tensionuar pas një serie sulmesh ushtarake dhe kundërpërgjigjesh mes Iranit, Izraelit dhe forcave amerikane në rajon. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kryer sulme ndaj objektivave të lidhura me Iranin dhe strukturat e tij ushtarake.
Lini një Përgjigje