Ish-kampioni i botës në shah paralajmëron se lufta moderne po ndryshon rrënjësisht dhe se ushtritë perëndimore nuk janë gati për realitetin e ri të konfliktit.
Ish-kampioni i botës në shah dhe disidenti rus Garry Kasparov deklaron se NATO dhe ushtritë perëndimore nuk janë të përgatitura për mënyrën e re të luftës që po shfaqet në konfliktet moderne, ndërsa presidentin amerikan Donald Trump e përshkruan si një “buldozer” që po shkatërron rendin e vjetër ndërkombëtar.
Në një intervistë për Corriere, Kasparov theksoi se lufta në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si zhvillohen konfliktet ushtarake, sidomos për shkak të përdorimit të dronëve.
“Pas konfliktit ruso-ukrainas, lufta ka ndryshuar përgjithmonë. As Amerika nuk është gati. Sot, dhjetë operatorë ukrainas të dronëve shkatërruan një batalion rus,” tha ai.
Sipas Kasparovit, përvoja e ushtrisë ukrainase tregon se edhe NATO nuk është e përgatitur për këtë transformim të luftës moderne. Ai tregoi se një operator ukrainas i kishte përshkruar rezultatet e stërvitjeve të simuluara me forcat e aleancës.
“Fola me njërin prej tyre i cili kreu ushtrime kundër NATO-s, në të cilat forcat e Kievit fituan me shumicë dërrmuese. Ai më tha se ushtritë perëndimore ishin plotësisht të papërgatitura.” , u shpreh Kasparov.
Ai argumenton se vendet perëndimore duhet të rishikojnë strategjinë e tyre të mbrojtjes dhe mënyrën e investimeve ushtarake.
“Perëndimi duhet të rimendojë shpenzimet e tij të mbrojtjes: të mos investojë një trilion në pajisje tradicionale të rënda, por të mësojë nga ukrainasit për skuadriljet e dronëve dhe inteligjencën artificiale.” tha ai.
Duke komentuar politikën e presidentit amerikan Donald Trump, Kasparov tha se veprimet e tij po shkatërrojnë rendin e vjetër ndërkombëtar, edhe pse ai nuk shpreh simpati për të.
“Nuk mund të dyshohet se kam simpati për Trumpin, por veprimi i tij është një spastrim i plotë. Është si një buldozer që fshin një rend të vjetër që nuk funksionon më,” deklaroi Kasparov.
Megjithatë, ai paralajmëroi për pasojat e kësaj qasjeje.
“Trump është një kërcënim për demokracinë amerikane. Ai shkatërron, por nuk ndërton,” tha Kasparov.
Sipas tij, zhvillimet e fundit gjeopolitike tregojnë se rendi ndërkombëtar është në një fazë transformimi dhe se institucionet demokratike duhet të tregojnë vendosmëri përballë sfidave të reja globale.
Lini një Përgjigje