TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Shkurt 2026, 11:06

Skandali 'Epstein', arrestohet ish-princi Andrew në Angli

Shkruar nga Pamfleti

Multimilioneri nga SHBA-ja për vite me radhë kishte krijuar një rreth për shfrytëzimin seksual të minoreneve dhe mbante kontakte në mbarë botën me personalitete të nivelit të lartë nga politika, ekonomia dhe familjet mbretërore.

Skandali 'Epstein', arrestohet ish-princi Andrew në Angli
Arrestohet ish-princi Andrew Mountbatten-Windsor

Ish princi Andrew Mountbatten-Windsor është arrestuar nën dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike, raporton BBC.

Kjo është hera e parë që ish-princi, i cili është përballur me akuza të shumta për lidhje me autorin e dënuar të abuzimit seksual Jeffrey Epstein, është arrestuar.

Andrew ka mohuar vazhdimisht dhe me forcë çdo shkelje.

“Si pjesë e hetimit, sot kemi arrestuar një burrë në të gjashtëdhjetat nga Norfolk, nën dyshimin për shpërdorim detyre në funksion publik, dhe po kryejmë kontrolle në adresa në Berkshire dhe Norfolk.Burri ndodhet aktualisht në paraburgim policor.

Nuk do ta bëjmë publik emrin e personit të arrestuar, në përputhje me udhëzimet kombëtare. Ju lutemi gjithashtu të mbani parasysh se kjo çështje tashmë është aktive, ndaj duhet treguar kujdes me çdo publikim për të shmangur cenimin e procesit gjyqësor.”, thuhet në njoftimin e policisë britanike.

Pas zbulimeve të reja nga faksimilet e dosjes për skandalin e abuzimeve seksuale lidhur me investitorin e financave në SHBA Jeffrey Epstein dhe implikimit të ish-princit Andrew, Buckingham reagoi pa pritur nisjen zyrtare të hetimeve.

Sipas një deklarate të lëshuar nga një zëdhënës i pallatit tha se Mbreti tashmë ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me akuzat për sjelljen e vëllait të tij përmes fjalëve dhe veprimeve të paprecedenta.

Më parë edhe princi i kurorës  William dhe bashkëshortja e tij Kate kanë mbajtur qendrim.

Çifti është "thellësisht i shqetësuar" për publikimet e fundit nga dosja Epstein, komunikoi zdhënësi i Pallatit Mbretëror. Princi dhe princesha kanë në mendje viktimat. Andrew ka humbur të gjitha nderimet, gradat ushtarake dhe titujt për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në skandalin e abuzimit të Epstein.

E-Mailet që rëndojnë Andrew

Andrew në vitin 2010 i ka dhënë dokumente konfidenciale Epsteinit, sikurse del tani nga dosjet e publikuara. Duket se në këto dokumente bëhej fjalë për raporte lidhur me Hongkongun, Vietnamin dhe Singapurin, që Andrew i pati marrë në funksionin e tij atëherë si i ngarkuar i qeverisë britanike për tregtinë. 

Në këtë kohë Epstein ishte dënuar për abuzim seksual me minorene. E-Mailet, që janë dërguar në fillim të vitit  2011, hedhin poshtë tani pretendimet e Andrews, se i pati ndërprerë kontaktet më përpara me Epsteinin.

Goditje e rëndë për Starmer

Tronditja prej dosjeve të reja ndërkohë ka shkaktuar një krizë qeveritare në Londër. 

Sfondi ka të bëjë me mbështetjen për Peter Mandelson, të cilin Starmer pavarësisht se diheshin lidhjet e tij me Epstein e emëroi ambasador në SHBA.

Humbja e dy punonjësve të nivelit të lartë njeri pas tjetrit konsideorhet si një goditje e rëndë për Starmer, i cili përpiqet ta mbyllë këtë aferë. Mandelson ndërkohë është shkarkuar nga detyra në Uashington.

Multimilioneri nga SHBA-ja për vite me radhë kishte krijuar një rreth për shfrytëzimin seksual të minoreneve dhe mbante kontakte në mbarë botën me personalitete të nivelit të lartë nga politika, ekonomia dhe familjet mbretërore. Në korrik 2019 Epstein u arrestua, një muaj më vonë ai u gjet i vdekur në qelinë e një burgu në Nju Jork. Sipas të dhënave zyrtare ai ka bërë vetëvrasje.

Teori konspiracioni
Lidhur me këtë rast qarkullojnë një sërë teorish. Ndër to bëjnë pjesë edhe spekulimet, se Epstein ka vepruar nën mandatin e shërbimeve sekrete për të mbledhur material kompromentues për persona me influencë, në mënyrë që të mund të ushtrohej presion ndaj tyre.

Andrew më 2022 e zgjidhi me një marrëveshje në procesin civil të hapur nga Virginia Giuffre, e cila e akuzonte atë për abuzim seksual. Giuffre në prill kreu vetëvrasje. Andrew vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzat për qendrim abuziv, por lidhur me akuzat e fundit ai deri tani ka heshtur.

Zbulimet lidhur me aktivitetet abuzive të Epstein po nxjerrin në pah gjithnjë e më shumë persona. Në fundjavë dha dorëheqjen diplomatja norvegjeze e karrierës Mona Juul për shkak të lidhjeve të saj me Epstein. Princesha e kurorës Mette-Marit kërkoi ndjesë për kontaktet e dikurshme të saj me multimilionerin.

 

arrestohet ish-princi andrew mountbatten-windsor

Lini një Përgjigje