Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Gjermania nuk ka ndërmend të zhvillojë armët e veta bërthamore, por dëshiron të hapë diskutime me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar për zgjerimin e mbrojtjes së tyre bërthamore ndaj Gjermanisë.
“Unë nuk dua që Gjermania të konsiderojë zhvillimin e armëve të veta bërthamore”, tha Merz, duke theksuar se Berlini mbetet i përkushtuar ndaj arkitekturës ekzistuese të sigurisë.
Sipas tij, ideja është që të diskutohet një mekanizëm i ngjashëm me “ombrellën bërthamore” amerikane brenda NATO-s, përmes së cilës SHBA-të garantojnë mbrojtje strategjike për aleatët evropianë.
Merz bëri të ditur se ka propozuar hapjen e një dialogu me presidentin francez, duke e cilësuar procesin ende në fazë embrionale.
Deklaratat e Merz vijnë në një çast kur debatet mbi autonominë strategjike të Evropës janë intensifikuar, për shkak të pasigurive mbi angazhimin afatgjatë të SHBA-ve në kontinent dhe tensioneve të vazhdueshme me Rusinë.
Franca është e vetmja fuqi bërthamore brenda Bashkimit Europian pas daljes së Britanisë nga BE, ndërsa Mbretëria e Bashkuar mbetet një shtyllë kyçe e parandalimit bërthamor në Europë.
Në këtë kontekst, Berlini duket se po eksploron alternativa për të forcuar sigurinë evropiane pa shkelur angazhimet ndërkombëtare kundër përhapjes së armëve bërthamore.
Lini një Përgjigje