TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Shkurt 2026, 08:03

Trump paralajmëron Britaninë e Madhe: Mos jepni ishujt, po gaboni

Shkruar nga Pamfleti
Trump paralajmëron Britaninë e Madhe: Mos jepni ishujt, po gaboni
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, reagoi publikisht ndaj planit të Mbretërisë së Bashkuar për t’ia kaluar sovranitetin e Ishujve Chagos Mauritiusit dhe për ta marrë me qira bazën ushtarake të Diego Garcias për 99 vite.

Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump deklaroi se “ky territor nuk duhet t’i merret Mbretërisë së Bashkuar” dhe se dhënia e tij do të ishte “një njollë për aleatin tonë të madh”, duke iu referuar Londrës. Ai shtoi se marrëveshjet me qira “nuk janë të përshtatshme kur bëhet fjalë për shtete” dhe paralajmëroi se qeveria britanike po gabon duke hyrë në një angazhim afatgjatë të kësaj natyre.

Qëndrimi i tij bie në kontrast me mbështetjen që Uashingtoni kishte dhënë më parë për planin britanik për transferimin e sovranitetit të Territorit Britanik të Oqeanit Indian te Mauritiusi.

Ndërkohë Ministria e Jashtme britanike mbrojti marrëveshjen, duke e cilësuar atë “thelbësore për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe të aleatëve tanë kryesorë, si dhe për mbrojtjen e qytetarëve britanikë”. Sipas saj, kjo është “e vetmja mënyrë për të garantuar të ardhmen afatgjatë të kësaj baze ushtarake jetike”.

Deklaratat e Trump vijnë përpara një raundi bisedimesh që pritet të zhvillohet javën e ardhshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Mauritiusit për këtë çështje.

Diego Garcia, ishulli më i madh i arkipelagut Chagos, shërben si bazë e përbashkët ushtarake për forcat britanike dhe amerikane. Marrëveshja e shpallur në maj të vitit të kaluar parashikon që Mbretëria e Bashkuar ta marrë me qira bazën për 99 vite pas transferimit të sovranitetit.

Trump theksoi rëndësinë strategjike të ishullit në Oqeanin Indian dhe paralajmëroi se kryeministri britanik, Keir Starmer, mund të humbasë kontrollin mbi këtë territor për shkak të marrëveshjes me Mauritiusin.

trump paralajmëron britaninë e madhe sovranitetin e ishujve chagos mauritiusit

Lini një Përgjigje

Rajoni dhe Bota