Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka hasur kundërshtime pas vendimit për të dërguar komisioneren Dubravka Šuica në Uashington, ku ajo do të marrë pjesë në seancën inauguruese të Bordit të Paqes, një forum i krijuar nga Donald Trump.
Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, presidentja e Komisionit e mori vendimin pa një mandat të qartë nga shtetet anëtare. Çështja u diskutua në mbledhjen e ambasadorëve të BE-së, ku disa vende shprehën pakënaqësi për mënyrën si u veprua dhe për pasojat politike, institucionale dhe juridike të këtij hapi.
Bordi i Paqes paraqitet si platformë për çështje të paqes dhe sigurisë. Kritikët argumentojnë se struktura synon të sfidojë rolin e Kombeve të Bashkuara në arkitekturën ndërkombëtare.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, informoi shtetet anëtare se nisma “nuk ishte një ide e mirë, as për Komisionin dhe as për vetë vendet anëtare”, sipas burimeve të BE-së.
Komisionerja Šuica do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhgueses, por disa diplomatë e konsiderojnë praninë e saj si sinjal politik që i jep legjitimitet forumit të ri. Një diplomat evropian paralajmëroi se ky veprim “nuk do të mbetet pa pasoja”.
Debati lidhet edhe me përmbajtjen e nismës. Sipas kritikëve, plani i paraqitur për Gazën nuk përfshin përfaqësues palestinezë, duke ngritur dyshime mbi gjithëpërfshirjen dhe bazën e tij politike.
Në seancën inauguruese pritet të marrin pjesë 11 shtete anëtare. Hungaria dhe Bullgaria kanë aderuar zyrtarisht dhe do të përfaqësohen nga liderët e tyre. Italia, Rumania, Republika Çeke, Sllovakia, Greqia, Qipro, Polonia, Austria dhe Kroacia do të jenë të pranishme si vëzhguese. Italia dhe Rumania kanë konfirmuar edhe pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm në ceremoninë e hapjes.
Shqipëria dhe Kosova pjesë e Bordit të Paqes
Në këtë strukturë të re marrin pjesë 26 vende, mes të cilave Shqipëria dhe Kosova kanë konfirmuar praninë e tyre.
Shqipëria ratifikoi aderimin me 110 vota pro në Kuvend, pas ftesës së Edi Ramës nga Donald Trump, ndërsa presidentja e vendit Vjosa Osmani përfaqësoi Kosovën në Davos, ku nënshkroi dokumentin themelues.
Presidentja Osmani e ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, si vend anëtar dhe bashkëthemelues, si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Trump, do të kryesojë takimin e parë të Bordit të tij të Paqes të enjten, me çështje të pazgjidhura mbi të ardhmen e Gazës që varen mbi një ngjarje që pritet të përfshijë përfaqësues nga më shumë se 45 vende.
Ishtë gabim nga Europe!
MERRENI ME MEND VETE VLEREN E BORDIT TE PAQES KU MERRIN PJESE CA VENDE periferike QE KANE INTERESA SPECIFIKE, ALBANISTANI DHE IZRAELI qe e shkaterroi Gazen dhe JO PALESTINA VETEM QE SHKON ALBANOSTANI DHE IZRAELI ESHTE KATASTROFE NGA CDO PIKEPAMJE