
Për Greqinë, lufta kundër populizmit do të vazhdojë të jetë e lidhur me garantimin e një rritjeje ekonomike të barabartë, teksa do të ecë në të njëjtën linje me një Evropë progresive centriste.
Historia e trazuar e politikës greke që nga viti 1945, na tregon se aty ku ka boshllëk ka shpesh probleme. Kjo nuk ka qenë asnjëherë më e dukshme se sa në dekadën pas krizës financiare globale që shpërtheu në vitin 2007, kur vendi ra dalëngadalë por në mënyrë të pashmangshme viktimë e premtimeve boshe të populizmit.
Sundimi i Greqisë nga një qeveri e udhëhequr nga populistët ishte relativisht i shkurtër në kohë. Megjithatë dëmet ishin të mëdha. Vendi që trashëgova kur u zgjodha kryeministër në vitin 2019 shihej gjerësisht si “e sëmura e Evropës”. Sot Greqia e sheh veten në një pozitë tjetër.
Vitin e kaluar ne u klasifikuam nga “The Economist” si vendi model i zhvillimit. Dhe kemi qenë në krye të kësaj renditjeje për 2 vjet me radhë. Në zgjedhjet e verës së kaluar, u dobësua e majta populiste dhe partia ime mori një mandat të dytë me një përqindje të shtuar të votave.
E megjithatë, pas pandemisë, në mesin e një lufte në kontinent, një krize energjike, sfidës nga Emigracioni dhe inflacioni i lartë, të njëjtat impulse populiste që i kemi parë në Greqi, janë sërish në rritje në pjesën më të madhe të pjesës tjetër të Evropës.
Dhe kjo situatë ngre pyetjen: Çfarë mund të na tregojë përvoja e Greqisë që nga viti 2019, mbi arsyen pse po ndodh diçka e tillë dhe çfarë mund të bëhet? Lufta ndaj rritjes së populizmit nuk ka asnjë zgjidhje të vetme. Megjithatë duhen trajtuar disa çështje me rrënjë të thella.
Për shembull, marrim ankesat e shumicës së qytetarëve. Edhe sot, liberalët evropianë, pjesë e së cilëve jam edhe vetë, nuk janë ende në gjendje ose nuk dëshirojnë të pranojë se ankesat që nxisin shfaqjen e valës së re të populizmit - nga globalizimi deri tek rritja e kostos së jetesës - janë reale dhe të vërteta.
Është një qasje që manifestohet në ndarjet “ne dhe ata” dhe që bazohet tek qasja “ne dimë t’i bëjmë gjërat më mirë”. Një qasje e tillë sjell me vete pasoja katastrofike. Sepse na bën të pandjeshëm ndaj vuajtjes së njerëzve të zakonshëm, na e errëson gjykimin lidhur me çështjet të cilave duhet t'u japim përparësi, dhe në fund i largon votuesit.
Në vitin 2015 Greqia e gjeti veten në krye të valës së fortë të populizmit. Qeveria e saj e parë populiste u zgjodh në janar të atij viti, dhe grekët i dhanë asaj shumicën edhe 8 muaj më vonë. Në këtë mënyrë, Greqia ishte një nxitje për të gjitha ideologjitë e tjera populiste: drejtohej nga një koalicion hibrid i ekstremeve të së majtës dhe të së djathtës.
Në 4 vitet që pasuan unë mësova se populistët premtojnë parajsën, por tek e fundit premtimet e tyre janë krejtësisht boshe dhe të pazbatueshme. Reagimi i duhur ndaj ekstremeve të tilla qëndron tek ofrimi i politikave efektive, ndërsa duhet të jeni të përgatitur të sfidoni, madje edhe të hidhni poshtë ortodoksinë dhe paragjykimet tuaja, kur është e nevojshme.
Kjo do të thotë të përgatitesh për t'iu përshtatur me shpejtësi ngjarjeve globale duke përqafuar një logjikë të re trekëndore: pro-rritjes ekonomike por me një qeverisje të përgjegjshme në aspektin fiskal; një qasje të ashpër ndaj emigracionit ilegal me fokus sigurinë, krahas një politike të jashtme të fortë dhe një qasjeje liberale në vend.
Në aspektin ekonomik, ne ishim të fokusuar tek rritja: ulja e taksave, mbështetja e sipërmarrësve, nxitja e investimeve përmes reformave të tregut. Por ne kuptuam gjithashtu rëndësinë e të qenit të përgjegjshëm në aspektin fiskal. Rezultati ishte një nga normat më të larta të rritjes në eurozonë, dhe një reduktim i shpejtë i borxhit ndaj PBB-së.
Agjencitë e vlerësimit financiar, po na e shpërblejnë punën që kemi bërë duke e kthyer borxhin grek në statusin normal që nxit cilindo të investojë në të. Në lidhje me emigracionin, ne vendosëm dhe zbatuam pa drojë kontrolle më të ashpra kufitare.
Por njëkohësisht e shkurtuam shumë kohën që na duhej për të përpunuar kërkesat për azil, përmirësonim kushtet në qendrat tona të pritjes dhe krijuam rrugët ligjore për lëvizshmërinë e punëtorëve. Në politikën e jashtme, ndërtuam partneritete të reja rajonale rreth tregtisë, sigurisë dhe ofrimit të energjisë.
Dhe në marrëdhëniet tona me Turqinë, u përballëm sy më sy me sfidat, duke e mbajtur të hapur derën e dialogut. Këto reforma më dhanë mundësi të përqendrohesha në një platformë sociale më liberale në shtëpi: trajtimin e pabarazisë, përmirësimin e shërbimeve publike përmes dixhitalizimit, madje edhe adresimin e çështjeve progresive si barazia martesore.
E kisha të qartë se për sa kohë që ekonomia ishte e fortë, çfarëdolloj suficiti fiskal që gjeneronim mbi objektivat tanë, do të përdorej për të mbështetur familjet më të rrezikuara.
Midis zgjedhjeve të viteve 2019 dhe 2023, njerëzit panë ndryshime të shpejta. Papunësia ra, pas pandemisë u rrit ndjeshëm rritja ekonomike dhe ne e rifituam besimin e tregjeve dhe investitorëve të huaj. Njëkohësisht, vendi u zhvendos drejt ekonomive të gjelbra dhe dixhitale të së ardhmes.
Greqia nisi të ketë një peshë më të madhe tek Bashkimi Evropian. Marrëdhëniet me Turqinë nisën të përmirësohen. Sasia e fondeve për të cilat aplikuam tek Fondi i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, pjesa qendrore e planit të BE-së për rimëkëmbjen nga pasojat e Covid-19, ishte një nga më të mëdhenjtë e çdo shteti anëtar, dhe u miratuam përpara çdo vendi tjetër.
Komisioni Evropian, e kuptoi se përdorimi ynë strategjik i atyre fondeve përputhej me strategjinë tonë të rritjes: me nxitjen e një rimëkëmbjeje të fortë dhe të një ekonomie dhe shoqërie më të qëndrueshme. Fitorja e madhe në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, tregoi se kjo qasje funksionon.
Se ishte vërtet i mundur ndërtimi i një koalicioni të ri anti-populist midis së majtës dhe së djathtës. Ajo fitore tregoi se ishte e mundur të kufizohej hapësira në dispozicion të populistëve, duke i mbajtur të kënaqur votuesit tanë tradicionalë të djathtë dhe të qendrës së djathtë, dhe duke joshur edhe grekët e tjerë që identifikohen si centristë apo edhe të qendrës së majtë.
Partitë e ekstremit të djathtë morën 12 për qind të votave. Por kjo shifër është shumë më e dobët se sa në shumicën e vendeve evropiane. Në epokën e një cinizmi shumë të përhapur, Greqia ka treguar se politika mund të bëhet ndryshe. Tek e fundit, mburoja më e fuqishme kundër populizmit është të dëgjosh dhe të mbash premtimet që ke dhënë.
Çmimet që i jep Greqisë kjo revistë do të kenë pak kuptim, nëse ekonomia e saj nuk po rritet, dhe nëse nuk do të jetë në gjendje të gjenerojë të ardhura shtesë të nevojshme për të mbështetur reformën e kujdesit shëndetësor dhe për të garantuar një arsim publik më cilësor.
Për Greqinë, lufta kundër populizmit do të vazhdojë të jetë e lidhur me garantimin e një rritjeje ekonomike të barabartë, teksa do të ecë në të njëjtën linje me një Evropë progresive centriste. Dhe kjo gjë kërkon ndershmëri. Kur bëhen gabime, ato duhet të pranohen.
Kjo kërkon aftësinë për të treguar se po bën vërtet një ndryshim, dhe jo vetëm duke e premtuar. Por mbi të gjitha kërkon qartësi. Për shembull ka të bëjë me shpjegimin pse një vlerësim i shkallës së investimeve nuk ka të bëjë vetëm me kënaqjen e tregjeve - pra garantimin e kostove më të ulëta të kredisë për qytetarët - apo pse është e rëndësishme të tërheqësh investime të huaja për të krijuar më shumë vende pune me paga të larta.
Kjo ka shumë rëndësi sepse në thelbin e saj e gjithë politika, edhe pse jo domosdoshmërisht gjithnjë lokale, lidhet gjithmonë me individin, familjen dhe me mirëqenien e familjes. Vetëm duke e zbatuar këtë mund të fillojmë të rivendosim besimin dhe të mposhtim populizmin. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”
Shënim: Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
Lini një Përgjigje