Çështja nuk është nëse Rusia, Kina dhe Irani, do të përpiqen të deformojnë zgjedhjet presidenciale të këtij viti, por nëse qeveria jonë do ta lejojë apo jo këtë gjë. Sigurisht, kjo ndërhyrje ndodhi në zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2020. Unë nuk e di pse mendojmë që ky vit do të jetë ndryshe.
A keni biseduar ndonjëherë me Donald Trumpin? E keni takuar ndonjëherë? Statistikisht, shumica e votuesve amerikanë nuk e kanë parë kurrë nga afër dhe aq më pak takuar, kandidatët për të cilët do të votojnë këtë vjeshtë. Mënyra e vetme që ne i njohim ata, është përmes mediave dhe reklamave.
Kjo i lë shumë hapësirë palëve të treta për të ndërhyrë tek informacioni që marrim për këta kandidatë. Dhe në fakt ekziston një armik i tmerrshëm dhe i frikshëm që po i manipulon zgjedhjet në SHBA. Këtu nuk po i referohem vetëm TikTok, aplikacionit të diskutueshëm për shkak të lidhjeve shumë të afërta me Partinë Komuniste Kineze.
Por edhe kompanive amerikane të mediave sociale, të cilat politikanët po i lejojnë që t’i shmangen mbikëqyrjes. Por le ta nisim analizën me TikTok, të cilin e përdorin më shumë se 170 milionë amerikanë (përfshirë të dy kandidatët tanë presidencialë). Kjo edhe pas provave të qarta, se Kina po e përdor TikTok për të përhapur informacione të rreme, përfshirë propagandën anti-amerikane.
A mendoni se ishte një rastësi që “letra drejtuar Amerikës” e Osama Bin Laden, u bë virale në TikTok menjëherë pas masakrës së 7 tetorit 2023 ndaj hebrenjve nga ana e Hamasit, dhe një ditë pasi presidenti ynë Joe Biden u takua me presidentin kinez Xi Jinping për të folur ndër të tjera edhe për këtë çështje?
TikTok është përcjellësi i vetëm më i madh i keqinformimeve në SHBA. Ai është përgjegjës për radikalizimin e dy breza amerikanësh. Por ky aplikacion është shumë i përdorur dhe me ndikim. Prandaj dhjetëra kongresmenë, dhe që të dy kandidatët tanë presidencialë (të cilët dikur mbronin ndalimin e TikTok) i kanë zbutur qëndrimet ndaj tij.
Në fakt, do të ishte “një çmenduri politike” që demokratët ta ndalonin TikTok në mesin e fushatës, duke pasur parasysh nevojën e tyre për të përcjellë mesazhet e tyre tek votuesit e rinj. E megjithatë ka prova të qarta se ishte TikTok, ai që përhapi informacione të rreme për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 tek qindra mijëra votues amerikanë.
Dhe a jeni aq naivë, sa të mendoni se nuk do ta bëjë sërish këtë vit? Ndoshta është thjesht logjike të mendohet që një platformë e kontrolluar nga konkurrenti ynë më i madh global, do të përdoret kundër nesh. Por është akoma më shqetësues fakti, që gjigantët amerikanë të mediave sociale, po lejojnë të njëjtën ndërhyrje nga kundërshtarët e huaj.
Kështu në emër të fitimit, kompania Apple ka lejuar aplikacione të panumërta që janë pak më shumë se sa mjete të zotëruara dhe të krijuara nga Rusia, Kina dhe Irani që të depërtojnë tek publiku amerikan. Për shembull, FaceApp (aplikacioni i mediave sociale që tregon se si do të dukeni kur të plakeni), pati rreth 80 milionë shkarkime nga qytetarët amerikanë, me kushtet që thonë se kompania në pronësi ruse, dhe me lidhje me regjimin e Vladimir Putinit, mund të përdorë “në përjetësi” imazhet e tyre të ngarkuara atje.
Pra mund të presësh të paktën disa milionë llogari të rreme në Tëitter, që përdorin fytyrat dhe emrat e vërtetë të amerikanëve, dhe që përdoren kundër nesh në kuadër të fushatës së radhës së keqinformimit gjatë fushatës zgjedhore. Grindr, një aplikacion takimesh për homoseksualët, iu shit një firme teknologjike kineze në vitin 2018.
Tani SHBA-ja po e detyron që të ri-blihet po nga amerikanët, duke përmendur rrezikun e sigurisë kombëtare. Përdoruesit e aplikacionit futin atje vendndodhjet e tyre, dhe madje edhe nëse janë apo jo të prekur nga sëmundja HIV.
Tani i gjithë ky informacion është potencialisht në duart e Partisë Komuniste Kineze, dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për të ushtruar shantazh ndaj udhëheqësve civilë dhe ushtarakë të SHBA-së. New York Times raportoi së fundmi se Facebook u ka dhënë qasje më shumë se 150 kompanive, një fakt të cilin Zuckerberg nuk e zbuloi me herët.
Po ashtu, motorit i kërkimit të Microsoft, Bing, u jep kompanive të ndryshme të dhënat personale pa pëlqimin tuaj, teksa lejon kompani si Spotify dhe Netflix që të lexojnë edhe mesazhe tuaja private. Në krye të listës është Yandex, kompania që qëndron pas asaj që është në thelb versioni rus i motorit të kërkimit të Google.
Unë shqetësohem jo pak nga fakti që gjithë ai informacion shumë privat (i miliona amerikanëve) shkon drejtpërdrejt në Kremlin. Por ajo që më frikëson më shumë, është se Facebook po e mbron këtë aktivitet, duke këmbëngulur se nuk ka “asnjë provë abuzimi nga partnerët e tij “.
Vërtet? Facebook pretendon se i ndalon zhvilluesit kur zbulon keqpërdorim të platformës. Por unë nuk i besoj Facebook-ut në lidhje me këtë çështje. Sipas Portalit të Statistikave , Facebook ka më shumë se 200 milionë përdorues amerikanë. Instagram ka më shumë se 100 milionë përdorues amerikanë, dhe Twitter ka rreth 70 milionë.
Megjithëse një numër jo i vogël përdoruesish do të mbivendosen, është e sigurt të thuhet se statistikisht më shumë se 60 për qind e popullsisë amerikane, ka shumë të ngjarë të jetë ekspozuar ndaj propagandës dhe ndikimeve të huaja. Këto janë vetëm disa shembuj të luftës së teknologjisë së re, që po mbërrin tek ne nën maskën e kapitalizmit dhe përvojave argëtuese në mediat sociale.
Dhe këtu nuk llogariten as prirjet e qarta politike të Facebook. Njerëzit e kanë vënë re se zbatimi i rregullave të pezullimit dhe fshirjes së llogarisë nga kompania, nuk e njëjtë për llogaritë e përdoruesve liberalë dhe atyre konservatorë.
Edhe pse studimet e shumta pretendojnë se nuk ka ndonjë prirje politike tek ajo që zgjedh të censurojë Facebook, kjo kompani refuzon të publikojë të dhënat që do t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, dhe kjo do të thotë se çdo studim mbi këtë aspekt bazohet në të dhëna të gabuara.
Të dhënat që nevojiten vërtet, janë një përmbledhje e asaj që postimet po arrijnë tek shumica e njerëzve. Facebook nuk do që t’i publikojë. Nëse nuk do të kishte një prirje politike ndaj censurës së saj, atëherë pse nuk i publikon këto të dhëna?
Çështja nuk është nëse Rusia, Kina dhe Irani, do të përpiqen të deformojnë zgjedhjet presidenciale të këtij viti, por nëse qeveria jonë do ta lejojë apo jo këtë gjë. Sigurisht, kjo ndërhyrje ndodhi në zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2020. Unë nuk e di pse mendojmë që ky vit do të jetë ndryshe./Përshtati Pamfleti nga “The Hill”
Shënim: Liberty Vittert, profesoreshë e shkencës së të dhënave në Universitetin e Uashingtonit.
Lini një Përgjigje