TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Qershor 2024, 11:40

Si funksionojnë zgjedhjet në Francë dhe kurthi anti-Le Pen

Shkruar nga Dario Prestigiacomo

Si funksionojnë zgjedhjet në Francë dhe kurthi anti-Le Pen

Macron shpreson që efekti anti-Le Pen do të funksionojë edhe në këtë rast. Hera e fundit që një president francez e shpërndau parlamentin para kohe ishte në vitin 1997.

Pikërisht 2 vite pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, francezët do të rikthehen në kutitë e votimit të dielën e 30 qershorit për të zgjedhur 577 deputetët e rinj të Asamblesë Kombëtare. Presidenti i Republikës Emmanuel Macron, e ka shpërndarë parlamentin pas një gjysmë legjislature jo pak të trazuar.

Dy kryeministra i lanë vendin njëri-tjetrit, dhe puna e qeverisë u paralizua shpesh nga negociatat e gjata dhe rraskapitëse midis shumicës (jo absolute) dhe opozitës. Ajo që e nxiti këtë vendim radikal, ishte rezultati i tmerrshëm i partisë së Macron në zgjedhjet për Parlamentin Evropian fundjavën e kaluar dhe përparimi i së djathtës, në veçanti i nacionalistëve të Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen.

Franca rikthehet tek zgjedhjet

Udhëheqësi francez, që është ende president, dhe që do të mbetet i tillë pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, të paktën sipas asaj që është deklaruar deri tani (në Francë zgjedhjet presidenciale janë të ndara nga ato parlamentare), shpreson se shpërbërja e parakohshme e Asamblesë Kombëtare, mund të çojë drejt një stabiliteti më të madh të këtij organi pas zgjedhjeve të fundit të këtij muaji.

Duke pasur parasysh rezultatet e fundit të zgjedhjeve evropiane fundjavën që lamë pas, me Tubimin Kombëtar që fitoi gati 1/3 tretën e votave, planet e Macron duken më shumë se sa të rrezikshme. Por një ndihmë kreut të Elysee, mund t’i vijë nga sistemi zgjedhor francez që është shumë kompleks, dhe që mund të zvogëlojë peshën e votave të së djathtës ekstreme.

Sistemi zgjedhor francez

Në fakt në Francë, Asambleja Kombëtare (dhoma e ulët e parlamentit), zgjidhet përmes një sistemi mazhoritar me një raund të dyfishtë. Vendi është i ndarë në 577 rrethe ose zona zgjedhore, dhe secila prej tyre zgjedh një deputet. Pra partitë, paraqesin një kandidat për çdo qark.

Mund të ndodhë që disa parti të bashkojnë forcat për të mbështetur një kandidat të përbashkët, një skemë që duket se do të ndiqet si nga e majta ashtu edhe e djathta. Raundi i parë do të mbahet më 30 qershor. Deputetët aspirantë që marrin shumicën absolute të votave në zonën e tyre zgjedhore, me kushtin që të kenë votuar të paktën 25 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në atë zonë, quhen fitues që në raundin e parë.

Në të kundërt, kandidatët që kanë marrë së paku 12.5 për qind ​​të votave në një zonë, zgjedhore kalojnë në balotazh. Raundi i dytë do të zhvillohet vetëm një javë më vonë, më 7 korrik.

Pesha e zonave elektorale dhe kurthi ndaj Le Pen

Ky sistem kompleks, nënkupton se partia që merr më shumë vota në raundin e parë, nuk do të ketë domosdoshmërisht edhe peshën përkatëse në Asamblenë e re Kombëtare. Shumë gjëra varen edhe nga forca e kandidatëve lokalë dhe koalicionet që krijohen në zona të ndryshme.

Në të kaluarën e afërt, kjo dinamikë ka vendosur gjithmonë në disavantazh partitë më ekstremiste, siç është edhe e djathta ekstreme e Le Pen. Për shembull në vitin 2022, Tubimi Kombëtar mori 18.6 për qind të votave në raundin e parë, pa arritur të zgjedhë asnjë deputet. Në raundin e dytë, mbështetja ra në 17.3 për qind.

Koalicioni i Macron (Ansambli) dhe ai i partive të qendrës së majtë (NUP), e rritën ndjeshëm numrin e votave të tyre midis dy raundeve, duke shkuar nga 25.7 dhe 25.6 për qind, në respektivisht 38.5 dhe 31.6 për qind. Për më tepër, për të kuptuar më mirë peshën e asaj që ndodh në zonat individuale (dhe jo preferencat absolute të marra në nivel kombëtar), një mënyrë e mirë është të krahasohen votat e republikanëve (ekuivalenti i Forza Italia në Itali) dhe ato të Tubimit Kombëtar.

Të parët, me më pak se gjysmën e votave të këtyre të fundit, morën 61 deputetë. Ndërsa Tubimi Kombëtar mori 89. Macron shpreson që ky efekt anti-Le Pen do të funksionojë edhe në këtë rast. Hera e fundit që një president francez e shpërndau parlamentin para kohe ishte në vitin 1997.

Kreu i atëhershëm i Elysée, Jacques Chirac, lideri i qendrës së djathtë, po përballej me mungesën e shumicës absolute në Asamble, dhe u përpoq të ndryshonte kartat në favorin e tij duke shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Pak a shumë si ajo që po bën sot Macron.

Por vendimi i Chirac, do të çonte në triumfin e socialistëve, dhe të një qeverie të udhëhequr nga Lionel Jospin. Bashkëjetesa midis Chirac dhe Jospin zgjati deri në vitin 2002. Ajo që dukej si një lojë e gabuar për liderin e qendrës së djathtë do të kthehej në një triumf:Chirac do të merrte rikonfirmimin për në Elysée në një balotazh historik kundër Jean-Marie Le Pen, babait të Marine Le Pen./Përshtati 'Pamfleti' nga "Europa Today"

zgjedhje france kurth anti le pen

Lini një Përgjigje