TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Shkurt 2024, 22:01

Si e vranë globalizimin Covid-i dhe lufta në Ukrainë

Shkruar nga Gordon G.Chang

Si e vranë globalizimin Covid-i dhe lufta në Ukrainë

Jo shumë kohë më parë, globalizimi dukej i pandalshëm. Dhe në epokën e integrimit të shpejtë që filloi pas Luftës së Ftohtë, biznesi nuk kishte pse të shqetësohej për barrierat politike në tregti.

Vitin e kaluar, Meksika e zëvendësoi Kinën si burimin më të madh të importeve amerikane. Dhe nuk ka ndonjë mister pse ndodhi kjo. Importet nga Kina ranë me 20.3 për qind. Një pjesë e rënies së importeve kineze, i atribuohet kompanive kineze që po e zhvendosin prodhimin e tyre në vende me lehtësira fiskale si Meksika, e cila përfiton nga marrëveshja USMCA, si në Vietnam por edhe në vende të tjera të Azisë Juglindore.

Por ka edhe anomali të dhënash, ndaj rënia aktuale e importeve kineze mund të mos jetë aq e madhe sa raportoi Byroja e Regjistrimit të SHBA. Në çdo rast, prirja tregon se ekonomitë e SHBA-së dhe Kinës po “shkëputen” nga njëra-tjetra. Edhe eksportet e SHBA-së në Kinë patën një rënie prej 4.0 për qind vitin e kaluar.

Në përgjithësi, tregtia e dyanshme SHBA-Kinë ra 16.7 për qind vitin e kaluar. Por nuk është vetëm Kina dhe Amerika. Tregtia globale pësoi në përgjithësi një goditje të fortë gjatë vitit 2023. Në dhjetor, Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), parashikoi se tregtia globale do të binte 5 për qind në krahasim me rekordin e arritur në vitin 2022.

Njëkohësisht, UNCTAD, deklaroi se perspektiva për vitin 2024 është “shumë e pasigurt dhe përgjithësisht pesimiste” për shkak të “tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike, niveleve të larta të borxhit dhe brishtësisë së gjerë ekonomike”. Nga ana tjetër nuk ndihmon aspak fakti që këtë vit do të ketë “një kërkesë të zvogëluar në vendet e zhvilluara si dhe një ecuri më pak sesa pritej nga ekonomitë e Azisë Lindore”.

Jo shumë kohë më parë, globalizimi dukej i pandalshëm. Dhe në epokën e integrimit të shpejtë që filloi pas Luftës së Ftohtë, biznesi nuk kishte pse të shqetësohej për barrierat politike në tregti. Kompanitë e kuptuan se nuk kishin më nevojë të prodhonin pranë klientëve të tyre, ndaj ndërtuan fabrika ku kostot ishin jashtëzakonisht të ulëta, si për shembull në vende si Kina.

Si rezultat, zinxhirët e furnizimit u bënë më të gjatë. Bizneset u bënë shumë efikase dhe patën mundësi të prodhonin produkte me kosto shumë më të ulët dhe me një shpejtësi të madhe. Çdo gjë mund të dorëzohej “tamam në kohë”. Tani, ky model prodhimi nuk duket më i zbatueshëm.

“Pushtimi rus i Ukrainës, i ka dhënë fund globalizimit që kemi përjetuar gjatë 3 dekadave të fundit”- shkroi Larry Fink në letrën e tij të 24 marsit 2022 drejtuar aksionarëve të BlackRock. Ai sugjeroi se lufta në Ukrainë e vrau globalizimin, që ishte dobësuar tashmë nga pandemia e Covid -19, e cila kishte pakësuar lidhjen midis kombeve, midis kompanive dhe midis njerëzve.

Fink, menaxheri më i madh i aseteve në botë me 10 trilionë dollarë, dhe një nga përfituesit dhe përkrahësit më të mëdhenj të integrimit global, nuk është i vetmi që po sheh një tranzicion historik. Edhe i ndjeri Henry Kissinger ka folur për një “epokë krejtësisht të re”. Ndërkohë kur Xi dhe Vladimir Putin u takuan në Uzbekistan në shtator 2022, udhëheqësi kinez foli për “një botë kaotike”. Dhe në epokën e re të kaosit dhe luftës, qiejt dhe detet nuk janë më të sigurta për tregti.

Për shembull, sulmet në Detin e Kuq nga militantët jemenas Huthi, kanë detyruar shumë kompani të transportit detar që të ndryshojnë rrugë duke shtuar me disa javë dhe mijëra milje udhëtimet për të shmangur Kanalin e Suezit. Ato udhëtojnë rreth Kepit të Shpresës së Mirë në pjesën më jugore të Afrikës.

Por tani kompanitë po ndërmarrin edhe hapin tjetër: prodhimin e produkteve pranë klientëve, duke përmbysur një tendencë e cila kishte nisur prej të paktën 3 dekadash. UNCTAD raportoi se që nga tremujori i parë i 2022, tregtia midis vendeve “gjeopolitikisht të afërta”, ishte rritur mbi 6 për qind, dhe tregtia midis vendeve “gjeopolitikisht të largëta” dhe “gjeopolitikisht shumë të largëta” kishte rënë me më shumë se 4 për qind.

Kjo është ajo që Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen e quajti në mënyrë të famshme “friend-shoring” (akti i prodhimit dhe marrjes së burimeve nga vendet që janë aleatë gjeopolitikë). Qeveritë po e përshpejtojnë këtë tendencë. Duke filluar që gjatë administratës Trump, SHBA-ja ka nisur tërheqjen e zinxhirëve amerikanë të furnizimit nga Kina për t’i bërë ato më të qendrueshëm.

Ndërkohë Xi Jinping ka nxitur largimin e kompanive të huaja nga Kina, sepse po përpiqet ta rezervojë tregun e vendit për kompanitë e tij shtetërore. Përmes përndjekjes së pamëshirshme të bizneseve të huaja dhe nxjerrjes së rregullave të paqarta të sigurisë kombëtare, udhëheqësi më i pushtetshëm i Kinës që nga koha e Maos e ka bërë Kinën një mjedis armiqësor.

Por veprimet e Xi po e shkëputin vendin e tij nga bota. Vitin e kaluar, eksportet e Kinës ranë me 4.6 për qind, ndërsa importet me 5.5 për qind. Nëse rritja e tregtisë promovon paqen, siç besojnë të gjithë, a i hap rrugë luftës rënia e saj? Samuel Huntington thoshte që po.

Në veprën e tij të famshme të vitit 1996, “Përplasja e qytetërimeve dhe reformimi i rendit botëror”, politologu i Universitetit të Harvardit argumentoi se rëndësi ka drejtimi i tregtisë dhe jo vëllimi i tij. Ai theksonte se ndërvarësia ekonomike, nxit paqen vetëm kur shtetet presin që nivelet e larta të tregtisë të vazhdojnë në  të ardhmen e parashikueshme.

Nëse partnerët tregtarë shohin ndryshimin e interesave, Huntington shkroi se “ka të ngjarë të shpërthejë lufta”. Sigurisht, lufta nuk është e pashmangshme kur vendet shkëputin ekonomitë e tyre nga disa vende. Por në kushte të tilla bie shumë pragu për përdorimin e forcës.

Ndërsa vendet po shkëputen nga ekonomia globale, po nis të përhapet lufta. Për momentin janë lufta në Ukrainë; rebelimet në të gjithë Afrikën e Veriut që duken si luftëra; dhe lufta që filloi në Gaza dhe që tani po e destabilizon Libanin, Sirinë, Irakun dhe Jordaninë.

Ndërsa luftërat i prishin shoqëritë, kompanitë i afrojnë më pranë shtëpisë fabrikat e tyre, ndërsa tregtia me jashtë bie. Dhe teksa ndodh kjo e fundit, vendet kanë më pak arsye për të ruajtur paqen. Bota tani është mbërthyer në këtë cikël shkatërrues dhe vetë-përforcues. Dhe në horizont nuk shuhet fundi i këtij cikli./Përshtati “Pamfleti” nga “Newsweek”

covidi ukrainë

Lini një Përgjigje