
SHBA ka propozuar një projekt-rezolutë në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që bën thirrje për armëpushim të përkohshëm në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.
Sipas tekstit të lexuar nga agjencia e lajmeve Reuters, dokumenti kundërshton edhe një ofensivë të madhe tokësore që Izraeli po planifikon në Rafah të Gazës jugore. Uashingtoni, deri më tash, nuk e ka përdorur fjalën armëpushim në ndonjë veprim të OKB-së sa i përket luftës Izrael-Hamas.
Megjithatë, drafti i bën jehonë gjuhës që presidenti amerikan, Joe Biden, u tha se ka përdorur javën e kaluar në bisedat me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Në rrethanat aktuale, një ofensivë e madhe tokësore në Rafah do të rezultonte me dëme të tjera për civilët dhe me zhvendosjen e tyre të vazhdueshme, duke përfshirë potencialisht edhe në vendet fqinje”, thuhet ndër të tjera në rezolutë.
Izraeli ka nisur luftën në Gazë, pasi militantët e Hamasit, që e kontrollojnë këtë enklavë, kanë sulmuar më 7 tetor Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje qindra të tjerë. Uashingtoni tradicionalisht mbron aleatin e tij, Izraelin, nga veprimet e OKB-së. Që nga 7 tetori, ai u ka vënë veto dy rezolutave të Këshillit të Sigurimit.
Megjithatë, ka abstenuar dy herë, duke i mundësuar Këshillit të miratojë rezoluta që synonin t’i rrisnin ndihmat për Gazën dhe bënin thirrje për pauza urgjente dhe të zgjatura humanitare.
Rezolutat e këtij organi nuk janë detyruese, por kanë peshë politike, pasi reflektojnë pikëpamjet globale për luftën. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, prej kohësh ka bërë thirrje për një armëpushim humanitar në Gazë. Shefi i ndihmës i OKB-së, Martin Griffith, paralajmëroi javën e kaluar se operacionet ushtarake në Rafah “mund të çojnë në masakra”.
Lini një Përgjigje