
Katari ka akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun për përpjekje për të zgjatur luftën. Modeli i negociatave për një marrëveshje armëpushimi i propozuar nga Izraeli, nuk ishte shumë premtues, sipas zëdhënësit të ministrisë së jashtme të Katarit, Majed al Ansari.
Katari është në mesin e disa vendeve që kanë marrë pjesë në bisedimet ndërmjetësuese midis Hamasit dhe Izraelit, së bashku me Egjiptin, SHBA-në dhe të tjerët.
“Deklaratat e fundit të kryeministrit izraelit në të cilat ai i bën thirrje Katarit që të bëjë presion ndaj Hamasit për lirimin e pengjeve nuk janë gjë tjetër veçse një përpjekje e re e tij për të vonuar dhe zgjatur luftën për arsye që janë bërë të qarta për të gjithë”, tha Al Ansari.
Ndërsa ai nuk specifikoi saktësisht se çfarë deklaratash i referohej. Komentet e Al Ansari vijnë pasi kryeministri izraelit tha se duhet të ushtrohet presion ndaj Katarit për ta bërë Hamasin të lirojë pengjet.
"Katari mund të bëjë presion ndaj Hamasit si askush tjetër. Ata presin liderët e Hamasit. Hamasi është i varur financiarisht prej tyre. Ushtrimi i presionit nuk është thjesht mbi vetë Hamasin, por mbi ata që mund të ushtrojnë presion mbi Hamasin, duke filluar nga Katari", është shprehur Netanyahu në disa media izraelite.
Ndërkohë që nga ana tjetër, Izraeli është shprehur i vendosur për të vazhduar ofensivën e tij në zonën e Rafahs pavarësisht kundërshtimit ndërkombëtarë.
Lini një Përgjigje