
Shumë mister dhe pikëpyetje mbi sulmin ndaj përfaqësuesve të Hezbollahut....
Një sulm i pazakontë ndodhi sot në Liban, pasi pajisjet e komunikimit të militantëve të Hezbollahut shpërthyen, duke shkaktuar 9 viktima dhe rreth 3000 të plagosur. Shpërthimet ndodhen në jug të Libanit dhe në periferi të Beirutit.
Aparatet e komunikimit që shpërthyen njëkohësisht quhen biperë, ndërsa Izraeli nuk ka marrë ende përgjegjësinë e sulmit. Ali Bunkall, gazetar i Lindjes së Mesme raporton për “Sky News” se ky incident ngjason me një film të tipit 007.
Thuhet se autor i sulmit është agjencia kombëtare e inteligjencës së Izraelit, Mossad, e njohur për sulmet e befasishme dhe të guximshme ndaj armiqve të saj.
Aktualisht nuk dihet ende sesi u arrit realizimi i planit të shpërthimit të aparateve të komunikimit, por thuhet se mund të jetë kryer duke dërguar sinjale për të mbingarkuar qarqet në celularë, të cilat mbinxehën bateritë, duke i kthyer ato në granata të vogla dore.
Për të realizuar sulmin, autorët do të duhej të dinin të paktën markën dhe modelet e biperëve. Ndërsa për të koordinuar shpërthimet në pajisje specifike, ka gjasa që nevojiten dhe edhe numrat serialë. Të gjitha këto, tregojnë për një tjetër shkelje të madhe të sigurisë për Hezbollahun.
Ambasadori i Iranit në Liban mbeti gjithashtu i plagosur kur aparati i tij i komunikimit shpërtheu.
Disa kohë më parë, lideri i Hezbollah Hassan Nasrallah u kërkoi të gjithë anëtarëve që të ndalonin përdorimin e telefonave celularë, t'i shkatërronin, t'i groposnin ose t'i mbyllnin në një kuti hekuri.
"Hiqni qafe të gjithë telefonat celularë, ata janë agjentë të vdekjes", deklaroi lideri pas vrasjes së komandantëve në sulmet izraelite (që nga 7 tetori i kaluar, më shumë se 20 janë vrarë në sulme larg vijës së frontit, duke përfshirë tre komandantë të forcave speciale Radwan).
Hezbollahu u kërkoi të gjithë banorëve të jugut të shkëputnin kamerat e tyre të sigurisë nga interneti, një nga mjetet e përdorura nga Izraeli për të njohur objektivat e mundshme.
Ish-ministri libanez i Mbrojtjes Yacoub Sarraf tha se ai nuk beson te shpërthimet e njëkohshme në disa zona të Libanit, por u shpreh se ishte një "sulm kibernetik". Sarraf pretendon se kjo lloj pajisjeje ka një kod të caktuar nga prodhuesi, e cila siguron shpërthimin e pajisjes. Ish-ministri tha se “armiku e mori këtë kod dhe e përdori për të kryer këtë krim të tmerrshëm”.
Çfarë është Mossad?
Shërbimi Sekret Izraelit për Operacionet e Jashtme u krijua në vitin 1949, një vit pas shpalljes së Shtetit të Izraelit dhe luftës së parë arabo-izraelite. Ai mbështetet nga shërbimet sekrete ushtarake (Aman) dhe nga kundërspiunazhi dhe siguria e brendshme (Shin Beth), i kritikuar se nuk mundi të parashikonte sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023. Protagonist në vitet 1950 dhe 1960 të shekullit të kaluar për ndjekjen e kriminelëve nazistë, Mossad kreu shumë aksione kundër terroristëve palestinezë, si Operacioni “Zemërimi i Zotit”, gjuetia e anëtarëve të Shtatorit të Zi përgjegjës për masakrën e atletëve izraelitë në Lojërat Olimpike të Mynihut në 1972.
Si funksionon Mossad?
Me një buxhet vjetor prej 3 miliardë dollarësh dhe staf prej 7000 personash, Mossad është agjencia e dytë më e madhe e spiunazhit në Perëndim pas CIA-s.
David “Dadi” Barnea, i cili pasoi Yossi Cohen si shef të Mossad në qershor 2021, u zgjodh përmes një procesi shumë sekret të njohur vetëm për disa të zgjedhur në zyrën e kryeministrit izraelit, agjencinë dhe Komitetin Këshillimor të Shërbimit Civil, i cili verifikon dhe miraton edhe emërimin e kryeministrit izraelit.
Mossad ka disa departamente, por detajet e strukturës së saj të brendshme janë kryesisht të fshehura. Ajo jo vetëm që ka një rrjet informatorësh dhe agjentësh brenda grupeve militante palestineze, por edhe në vende armiqësore si Libani, Siria dhe Irani. Rrjeti i gjerë i spiunazhit të agjencisë së inteligjencës u siguron atyre njohuri intime të lëvizjeve të liderëve militantë, duke u mundësuar atyre të kryejnë atentate të sakta sipas nevojës dhe kur është e nevojshme. /Përshtati “Pamfleti” nga "Sky News”
Lini një Përgjigje