TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Shtator 2024, 16:18

Atentati i dytë ndaj Trump, pikëpyetje të reja mbi "dhunën" politike në SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Atentati i dytë ndaj Trump, pikëpyetje të reja mbi

Përpjekja e dytë për atentat ndaj kandidatit republikan për president Donald Trump gjatë fundjavës ka ngritur pikëpyetje të reja lidhur me dhunën politike në Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësit demokratë dhe republikanë kërkojnë më shumë burime për Agjencinë e Shërbimit Sekret amerikan.

Presidenti Joe Biden ka dënuar ashpër aktet e dhunës, pas atentatit të dytë kundër ish-Presidentit Donald Trump.

“Në Amerikë, mosmarrëveshjet tona i zgjidhim në mënyrë paqësore, në kutinë e votimit, jo me armë“, tha Biden.

Shërbimi Sekret amerikan është nën trysninë e Kongresit për dështimin e marrjes së masave të duhura gjatë atentatit të parë ndaj Trump më 13 korrik. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson tha për ‘Fox News’ se incidenti i dytë tregon nevojën për ndryshim.

“Mendoj se tek Shërbimi Sekret ka njerëz që janë vërtet patriotë, njerëz të mrekullueshëm. Problemi është udhëheqja. Nuk kemi besim”, u shpreh Johnson.

Po në ‘Fox News’ Ish-Presidenti Trump tha se fajin për atentatin e ka retorika e demokratëve. Por, udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer dënoi ashpër atentatin.

“Nuk ka vend në Amerikë për asnjë lloj dhune politike”, tha ai.

I dyshuari, Ryan Routh, qëndroi i fshehur dhe i armatosur në shkurre jashtë fushës së golfit të Trump në Florida. Aktivisti 58 vjeçar është mbështetës i fortë i Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, gjë që e kishte shprehur edhe në një intervistë për agjencinë ‘Newsweek Romania’ më 2022.

“Ky konflikt është padyshim bardh e zi, e mira kundër të keqes”, deklaroi ai më herët.

Rusia tha dje se atentati ishte një paralajmërim për Shtetet e Bashkuara.

“Të luash me zjarrin ka pasojat e veta”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlimit.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit u thanë gazetarëve se masat shtesë pas atentatit të parë ndihmuan në mbrojtjen e Trump të dielën.

“Sistemi mund të funksionojë, sepse autori as nuk arriti të afrohej. Ne e kapëm dhe e dorëzuam para drejtësisë“, tha Ric Bradshaw, sherif në bashkinë Palm Beach.

Autori Routh doli të hënën në një gjykatë federale në Florida, ku u njoh me akuzat e para për shkelje të ligjit të armëmbajtjes./VOA

Lini një Përgjigje