TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Korrik 2024, 17:00

Si agjencia e jashtme e inteligjencës ruse drejton fushatat e keqinformimit në Perëndim

Shkruar nga Pamfleti

Si agjencia e jashtme e inteligjencës ruse drejton fushatat e keqinformimit

Operacioni sekret u kodua me emrin “Projekti Kylo”, ndoshta duke iu referuar fjalës së vjetër ruse “rrëmbe sëpatën”, apo një aluzion për luftëtarin e Dark Side nga saga e famshme kinematografike Star Wars, që është i vendosur të sundojë galaktikën. Apo ndoshta të dyja.

Operacioni synohej të ishte “përsosmërisht pa gjurmë, pa asnjë tregues që ta  lidhte me shërbimet rusë të inteligjencës”. Megjithatë kjo nuk e ndaloi “The Insider” dhe “Der Spiegel” që të investigonin aktivitetet e saj, dhe veçanërisht SVR-në, e cila merret me spiunazhin jashtë Rusisë.

Siç kuptohet nga një mori e-mailesh dhe dokumentesh të zbuluara nga gazetarët tanë, synimi ishte nxitja e ndjenjave anti-qeveritare në Perëndim, veçanërisht mbi mbështetjen e demokracive liberale ndaj Ukrainës. Dhe emocionet kryesore që duheshin nxitur, siç shpreheshin strategët e SVR-së, ishin “frika”, “paniku” dhe “tmerri”.

Pra një fushatë manipulimi psiko-social e kopjuar direkt nga manuali i lojërave të Luftës së Ftohtë të Departamentit D të Drejtorisë së Parë Kryesore të KGB-së Sovjetike mbi keqinformimin. Arkitekti i “Kylo” ishte Mikhail Kolesov, një ushtarak  i zgjuar 45-vjeçar i SVR-së, i cili ka shërbyer më parë në Kabul të Afganistanit.

Më 23 maj 2022, Kolesov i dërgoi vetes një dokument në formatin word të titulluar thjesht “Propaganda”. Dukej se ishte skica e një prezantimi, që Kolesov do të bënte 3 ditë më vonë në një tryezë të rrumbullakët private në Senatin rus, lidhur me “luftën informative kundër Perëndimit”.

Forumi drejtohej nga ish-diplomati sovjetik, i kthyer në një senatorin e linjës së ashpër  anti-perëndimore, Alexei Pushkov, ndërsa merrnin pjesë zëdhënës të njohur të regjimit të Vladimir Putinit, duke përfshirë Maria Zakharovan, zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme, specialistë të luftës psikologjike nga Ministria e Mbrojtjes dhe gazetarë besnikë të Kremlinit. Pushkov u shpreh shumë i shqetësuar ndaj mënyrës sesi ndjenjat pro-ukrainase po dominonin në platformat perëndimore të internetit, vetëm 6 muaj pas luftës plot luhatje të Rusisë, e cila ishte menduar të zgjaste jo më shumë se 3 ditë. Kremlini po humbiste në dy fusha beteje:në atë fizike dhe informative.

Përdorimi i organeve të mediave “të vjetra” të kontrolluara nga shteti, si Russia Today dhe Sputnik “kanë treguar një efektivitet pothuajse zero për dekada”, dhe përpjekjet për të krijuar platforma miqësore të mediave sociale, si kanalet Telegram, “nuk i përmbushin pritshmëritë, teksa mungesa e kreativitetit, hipokrizia dhe moralizimi e përkeqësojnë situatën aktuale”.

Propozimi i ri i Kolesov, i përpunuar në një gjuhë të ngurtë - teori kritike, pseudoshkencë dhe zhargon marketingu - synonte të ofronte një skemë të re në qasjen propagandistike të Kremlinit. Në vend se të parashtroheshin argumente të drejtpërdrejta pro-ruse, SVR duhet të synojë sipas tij kontradiktat e brendshme midis elitave në pushtet në Perëndim.

Kjo do të realizohej përmes krijimit të OJQ-ve të rreme - në realitet të financuara dhe drejtuara nga agjentë të Kremlinit. - për të nxitur demonstrata anti-establishment në territorin e “glavnyi protivnik” (kundërshtarit kryesor), siç njihen Shtetet e Bashkuara në mesin e shërbimeve speciale ruse dhe brenda vendeve të tij “satelite”.

Reklamat e rreme të maskuara si tituj lajmesh, që të gjitha të krijuara nga rekrutët e SVR, do të ishin të dukshme në shumicën e ekraneve të kompjuterëve apo celularëve të përdorur nga audienca e synuar në Perëndim, duke i joshur ata të klikojnë dhe lexojnë “burimet e internetit të kontrolluara nga ne”.

Strategjia që propozoi Kolesov, ishte që këto OJQ të rreme të shfaqeshin më shumë pro-ukrainase sesa grupet legjitime të shoqërisë civile, duke bërë kërkesa të gjera për refugjatët ukrainas, në mënyrë që mbrojta e tyre të dukej si e paarsyeshme nga elektoratin vendas.

Metoda e përvetësimit dhe më pas diskreditimit të një kauze nga brenda përmes qëndrimit ekstremist, është tipike për shërbimet sekrete ruse. Shembulli më famëkeq ishte “Operacioni Besimi”, një sukses i hershëm i CHEKA-s së Felix Dzherzinsky, paraardhësja e KGB-së, që u përdor kundër diasporës anti-bolshevike në Evropë.

Agjentët e dërguar nga Moska për të depërtuar në radhët e kësaj lëvizjeje, nxitën sherre brenda saj dhe ofruan garanci të rreme të mbështetjes së gjerë në BRSS, duke çuar në rënien e udhëheqjes në kurthet e çekistëve në Rusi dhe në fund në delegjitimimin e organizatave ruse të bardha jashtë vendit. Ndërkohë, shfrytëzimi i çështjes së refugjatëve nga SVR nuk ishte thjesht teorik.

Autoritetet gjermane, kanë identifikuar mbi 20 e ca portale lajmesh që duken si legjitime, dhe që përhapin pikërisht frikën, me artikuj të titulluar (në një gjermanishte të rrjedhshme), “Si ukrainasit po ia grabisin zhvillimin ekonomik Gjermanisë”. Portalet janë vetëm pjesë e një operacioni të madh të ndikimit rus.

Veç tyre janë qindra mijëra llogari në mediat sociale, nga të cilat postohen foto me parulla të bujshme nga epoka e Ëeimarit:”Gjermanët në krizë për strehimin”, “Edhe buka është një luks”, që të gjitha të lidhura me portale lajmesh të rreme. Versioni më i përpunuar i “Projektit Kylo” mban datën 9 janar 2023.

Sipas tij, SVR do të rekrutonte ekipe për të punuar në vende të ndryshme të shënjestruara. Do krijohej enkas një faqe interneti, e cila do të etiketohej në mënyrë të rreme si një “agjensi e pavarur investigative”, e cila përmbante materiale të manipuluara me tekste, por edhe audio dhe video të postuara në YouTube dhe platforma të tjera të mediave sociale.

SVR e mat suksesin e të parës me refuzimin e status quo-së në demokracitë liberale dhe në Bashkimin Evropian, të kompletuara me protesta popullore - jo më shumë se 100 persona, dhe secili i kompensuar me 100 euro secili - kundër institucioneve shtetërore dhe mbi-kombëtare.

Që të gjithë këta filmohen dhe përdoren për “shpërndarjen e mëvonshme mediatike”. Ndërkohë synimet afatmesme, kanë të bëjnë me diskreditimin e Ukrainës dhe të “nazistëve të orientuar drejt saj në sytë e Perëndimit”. Kostoja e këtij operacioni ndikimi, klasifikohet si shumë e lirë në aspektin ekonomik: 3 dollarë për përdorues në muaj.

Gjatë vitit të kaluar, në të gjithë Evropën u vunë re shumë provokime të sponsorizuara nga Rusia, dhe që dukej se kanë lidhje me operacionin “Kylo”. Hulumtimi i një konsorciumi mediatik evropian, zbuloi se një trupë shëtitëse njerëzish të rekrutuar nga rusët, vazhdonte të dilte në protesta në qytetet kryesore si Parisi, Brukseli, Madridi dhe Haga, duke denoncuar dërgesat e armëve perëndimore në Ukrainë.

Investigimi arriti në përfundimin se ata ishin më shumë gjasa të punësuar nga shërbimet sekrete ruse. Madje, u zbulua se njëri ishte një student nga Shën Petërburgu, i cili si të merrte udhëzime nga manuali i Kolesov, dhe kërkonte në internet për vullnetarë që do të pranonin të fotografoheshin në këmbim të një pagese prej 80 deri 100 euro. Imazhet ishin menduar të përdoreshin në mediat sociale për të përçuar mesazhin se protestat kundër Ukrainës, ishin një fenomen masiv në Evropë.

Më pas u përdorën marifete të tjera. Në tetor 2023, jo shumë kohë pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, qindra Yje të Davidit u vizatuan me spraj në muret e institucioneve hebraike në të gjithë Parisin, imazhet e të cilave u bënë virale në internet. Autorët ishin një çift rusisht-folës nga Moldavia, të cilët u kapën në flagrancë.

Ata i thanë policisë së ishin rekrutuar për ta kryer këtë operacion në emër të Moskës. Kjo fushatë kujton atë të KGB-së në vitet 1950, kur agjentët sovjetikë dhe gjermano-lindorë përdhosnin varrezat dhe sinagogat hebraike në Gjermaninë Perëndimore, me qëllim që të ekzagjerojnë kërcënimin e nazizmit të rikthyer.

Kohët e fundit, 3 burra vendosën arkivole përpara Kullës Eifel me flamuj francezë, dhe mbi to ishte skalitur fraza “ushtarët francezë të Ukrainës”, një referencë ndaj paralajmërimit të presidentit francez Emmanuel Macron, se trupat franceze mund të dërgohen një ditë në Ukrainë për të mbrojtur qytetin-port të Odesës.

Raportohet se ata kishin marrë deri në 400 euro secili për këtë fushatë propagandistike. Për të mos krijuar asnjë fije dyshimi në lidhje me natyrën tinëzare të projektit të SVR, Kolesov dhe Kulemin ranë dakord se morali dhe etika nuk duhet të luajnë asnjë rol në këtë formë të fshehtë të luftës psikologjike.

Kjo edhe sepse armiqtë e Rusisë, nuk i kanë marrë parasysh këto konsiderata në metodat e tyre. Gjykuar nga korrespondenca e dendur midis Kolesov dhe Kulemin, del se aktivitetet e tyre ishin të koordinuara me GRU, krahu i inteligjencës ushtarake të Rusisë. Llogaritet që deri tani të jenë organizuar më shumë se 1500 aktivitete kundër Ukrainës dhe për përçarjen e Perëndimit.

Po ashtu krahas operacionit “Kylo” është edhe operacioni “Icepick”, që parashikon eliminimin e armiqve të Kremlinit në mërgim. Shkëmbimet e e-maileve midis Kulesov dhe Kulemin përmbajnë 3 skema të vrasjes së tyre. Dosja më e plotë i referohet një ish-bankieri nga Rusia, i cili aktualisht banon në Boston dhe që është i përfshirë në mbledhjen e fondeve për Fondacionin Kundër Korrupsionit të liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexey Navalny. (Për shkak se ky person është në listën e vrasjeve, Insider po e fsheh emrin e tij). Kolesov propozon trillimin e historive të rreme rreth ish-bankierit, sikur ia ka qenë financuesi i oficerëve tradhtarë të FSB-së dhe i presidentit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov. Për më tepër, objektivi duhet të akuzohet për përvetësim të parave të Kadyrov.

“Ne do të përhapim thashetheme sikur Kadyrov po e kërkon atë në mbarë botën. Do t’i kujtojmë audiencës së synuar se hera e fundit që çeçenët erdhën në Boston, ndodhi sulmi me bombë në maratonë e vitit 2013”- thekson më tej Kolesov, që parashikon një përfshirje prej 600 mijë njerëzish në një fushatë të tillë diskredituese./Përshtati Pamfleti nga “The Insider”

projekti kylo agjencia e jashtme e inteligjencës ruse

Lini një Përgjigje