Deklarata e fundit e Bjellorusisë është një paralajmërim më se i qartë. Tani i takon botës të kundërpërgjigjet, për të shmangur pasojat më të rënda...
Bjellorusia lëshoi të dielën një deklaratë, sipas së cilës do të përdorë armët bërthamore në rast se do të kërcënohet “sovraniteti dhe pavarësia” e saj. Por a do të shkelte të drejtën ndërkombëtare një përdorim i tillë?
Kjo pyetje ndahet në disa nënpyetje, e para prej të cilave është se si Bjellorusia, aleatja e Rusisë në rajon u pajis me armët bërthamore që ka sot në dispozicion. Natyrisht, përgjigja është se ato janë dërguar atje nga Rusia. Më pas duhet pyetur nëse vendosja e armëve bërthamore në Bjellorusi, dhe trajnimi i ushtarëve bjellorusë në përdorimin dhe funksionimin e armëve të tilla, përbën një shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Këtu e drejta ndërkombëtare përkatëse buron nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore , në të cilin janë palë si Bjellorusia ashtu edhe Rusia. Neni 1 i këtij traktati pengon “transferimin nga marrësi të çfarëdo lloji armësh bërthamore apo pajisje të tjera shpërthyese bërthamore apo edhe kontrollin mbi armë të tilla”.
Ndërkohë Neni II ndalon “marrjen apo transferimin nga çdo bazë të çfarëdolloj arme bërthamore apo pajisjeve të tjera bërthamore apo të kontrollit mbi armë të tilla”. Në pamje të parë, nuk do të ishte e paarsyeshme të arrihej në përfundimin se vendosja e armëve nga Rusia e shkel Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
Megjithatë ka një precedent të fortë pse kjo gjë nuk ndodh. Dhe ky precedent vjen nga praktika e gjatë e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në ato që quhen “marrëveshje për ndarjen bërthamore”, ku SHBA i vendos kokat e saj bërthamore në bazat e vendeve aleate.
Argumenti i SHBA-së dhe NATO-s, se marrëveshje të tilla janë të ligjshme sipas traktatit të mospërhapjes, është se armët mbeten në çdo kohë nën kontrollin e SHBA-së, duke mos shkelur (ose ndoshta më saktë duke mos evokuar) traktatin.
Po ashtu, zhvendosja e armëve nga Rusia në Bjellorusi duket se është e ligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Më i diskutueshëm është nëse përdorimi i armëve nga Bjellorusia - dhe jo Rusia - do të shkelte Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
Sapo kontrolli i armëve të transferohet tek Bjellorusia, aktivizohen Nenet 1 dhe 2 të traktatit, duke përbërë kësisoj një shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Pyetja tjetër e dukshme, është nëse përdorimi i armëve të tilla shkel ligjin ndërkombëtar.
Këtu Bjellorusia ka të ngjarë të mbështetet tek neni 10 i traktatit, i cili thotë: “Çdo palë në ushtrimin e sovranitetit të saj kombëtar, do të ketë të drejtën të tërhiqet nga Traktati nëse arrin në përfundimin se ngjarje të jashtëzakonshme, që lidhen me objektin e këtij traktati, kanë rrezikuar interesat madhore të vendit”.
Nuk është një rastësi që deklarata e fundit kërcënuese e Bjellorusisë, përmban një gjuhë të ngjashme me nenin 10, duke e vënë theksin tek “sovraniteti” i shtetit. Por një kërcënim ndaj sovranitetit të një shteti është shumë subjektiv. A ofron e drejta ndërkombëtare një mekanizëm, nëpërmjet të cilit shtetet mund të vlerësojnë legjitimitetin e një kërcënimi të supozuar?
Përgjigja është “Po”. Neni 10, përcakton se një shtet që tërhiqet nga traktati i mospërhapjes së armëve bërthamore “do të njoftojë për këtë tërheqje 3 muaj përpara të gjitha palët e tjera të traktatit dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Një njoftim i tillë, do të përfshijë veç të tjerash edhe një deklaratë të ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku ajo shpall se janë rrezikuar interesat e saj më të larta. Këtu, e drejta ndërkombëtare ofron një kufizim objektiv për përdorimin e armëve bërthamore.
Por edhe një mundësi për komunitetin ndërkombëtar që të bashkohet, dhe të përcaktojë se çfarë përbën dhe çfarë jo një kërcënim të vlefshëm për sovranitetin shtetëror, duke i dhënë mundësi shteteve që të përdorin armët bërthamore që kanë në arsenalin e tyre.
Deklarata e fundit e Bjellorusisë është një paralajmërim më se i qartë. Tani i takon botës të kundërpërgjigjet, për të shmangur pasojat më të rënda./Përshtati Pamfleti nga “The Hill”
Shënim: Anthony J. Colangelo, profesor i jurisprudencës në Shkollën e Drejtësisë në Universitetin e Dallasit, SHBA.
Lini një Përgjigje