Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi për herë të parë pas incidentit të së dielës në Mar-a-Lago, ku një 21-vjeçar u qëllua për vdekje nga agjentët e Shërbimit Sekret pasi tentoi të hynte i armatosur në kompleks.
Sipas autoriteteve, Austin Tucker Martin mbante një armë zjarri dhe një bidon me benzinë kur u përpoq të hynte në ambientet e rezidencës. Ai u qëllua nga agjentët pasi refuzoi të hidhte armën.
Duke folur të hënën në Shtëpinë e Bardhë, gjatë aktivitetit “Angel Families”, Trump përdori tone ironike, duke deklaruar se “këta persona ndjekin vetëm presidentë të rëndësishëm” dhe shtoi se ndoshta duhet të jetë “pak më pak i rëndësishëm” për të mos tërhequr vëmendje. Komentet e tij shkaktuan të qeshura në sallë.
Presidenti iu referua edhe Abraham Lincoln dhe John F. Kennedy, duke theksuar se atentatet historike kanë pasur në shënjestër figura të rëndësishme politike.
Në momentin e incidentit, Trump nuk ndodhej në Mar-a-Lago, por në Shtëpinë e Bardhë, ku po shtronte një darkë për guvernatorë.
Gjatë fjalës para familjeve që kanë humbur të afërm nga krime të kryera nga emigrantë të paligjshëm, ai foli edhe për rreziqet personale që, sipas tij, e shoqërojnë. “Nuk e di sa gjatë do të jem këtu. Shumë njerëz më kanë në shënjestër”, deklaroi ai.
Trump falënderoi familjet e pranishme, duke i cilësuar si “ndër njerëzit më të guximshëm”, dhe vlerësoi mbështetjen e tyre.
Presidenti i SHBA-së i mbijetoi një atentati gjatë një tubimi elektoral në Butler, Pensilvani, në korrik 2024. Atëherë, një person i armatosur qëlloi tetë herë, duke i plagosur lehtë veshin Trumpit dhe duke vrarë një pjesëmarrës në aktivitet, përpara se të neutralizohej nga një snajper i Shërbimit Sekret.
Lini një Përgjigje