TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Shkurt 2026, 18:41

“El Mencho” u fundos nga një femër, zbulohet si policia ra në gjurmët e bosit të kartelit meksikan

Shkruar nga Pamfleti
“El Mencho” u fundos nga një femër, zbulohet si policia
Kaos në Meksikë

Pas vitesh ndjekjeje të liderit të kartelit Nemesio “El Mencho” Oseguera Cervantes, autoritetet meksikane siguruan një informacion konkret që çoi në operacionin e së dielës në Meksikën perëndimore, i cili përfundoi me vdekjen e tij.

Sipas ministrit të Mbrojtjes së Meksikës, Ricardo Trevilla Trejo, hetimet për rrjetin e “El Mencho”, lider dhe bashkëthemelues i Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG), çuan më 20 shkurt te një person kyç me akses në vendstrehimin e tij. Bëhej fjalë për partneren romantike të një prej bashkëpunëtorëve më të besuar të tij.

Më 21 shkurt, gruaja u largua nga kompleksi i kabinave në periferi të Tapalpa-s. Sipas inteligjencës, “El Mencho” mbeti në vendstrehim së bashku me truprojat e tij.

Forcat Ajrore të Meksikës dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë e Gardës Kombëtare hartuan menjëherë planin operacional, përpara se të humbnin sërish gjurmët e tij.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se Shtetet e Bashkuara ofruan mbështetje në nivel informacioni, pa përfshirje të forcave tokësore.

Operacioni përfshiu komponentë tokësorë, njësi ajromobile me helikopterë, të cilët nuk hynë në hapësirën ajrore të Jalisco-s për të mos ngritur dyshime, si dhe mbështetje ajrore.

Pas vendosjes së një perimetri sigurie, forcat nisën ndjekjen dhe shkëmbyen zjarr me vartësit e kartelit. Tetë anëtarë të kartelit u vranë në vendngjarje, ndërsa dy ushtarë mbetën të plagosur.

Ndërsa forcat e sigurisë afroheshin, “El Mencho” dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij u tërhoqën drejt një zone të pyllëzuar aty pranë.

“‘El Mencho’ u largua, duke lënë pas një grup me sasi të madhe armësh; ishte një sulm shumë i dhunshëm nga grupi i krimit të organizuar. Forcat ushtarake e zmbrapsën sulmin”, deklaroi ministri Trevilla.

Njësitë e Forcave Speciale arritën ta lokalizonin “El Mencho” në nënpyllin e zonës pyjore, duke përmbyllur operacionin që i dha fund një prej figurave më të kërkuara të trafikut të drogës në Meksikë.

meksike el mencho

Lini një Përgjigje