TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Mars 2026, 16:25

Shtresa, besimi apo frika: çfarë i motivon 9 milionë mbështetësit fanatikë të regjimit iranian?

Shkruar nga Tom Ball & Roxana Saberi

Shtresa, besimi apo frika: çfarë i motivon 9 milionë

Ndërsa lufta po përshkallëzohet, “baza e fortë” përkrahëse e mullahëve po del në dritë si një forcë goditëse e mirëfilltë. Të kalitur përmes viteve të indoktrinimit mesianik, këta miliona besnikë janë të gatshëm të shndërrohen në një ushtri të brendshme për të asgjësuar çdo kryengritje popullore që kërcënon sistemin.

Bombat mund të jenë duke rënë mbi Teheran, por të mërkurën rrugët ishin plot në ceremoninë e funeralit të Ali Larijanit. Gratë qanin dhe mbanin lart fotografitë e shefit të vrarë të sigurisë. Ndërsa burrat përshëndesnin kortezhin mortor që kalonte.

Dhe kudo rreth Sheshit të Revolucionit ushtonin koret e njohura “Vdekje Izraelit” dhe “Vdekje Amerikës”. Shumë prej atyre që e ndoqën këtë ceremoni nga Perëndimi, mund të pyetnin me të drejtë nëse mbajtësit e zisë ishin sjellë me autobusë apo ishin detyruar të merrnin pjesë.

Pyetja është logjike, sepse Larijani ishte njeriu që besohet gjerësisht se urdhëroi masakrën e dhjetëra mijëra civilëve iranianë që protestuan kundër regjimit në janar. Por kjo nuk ishte një shfaqje.

Ndonëse mbështetja për regjimin ka rënë në mënyrë dramatike në 47 vitet që kur mullahët morën pushtetin në Iran, një segment jo i vogël i shoqërisë mbetet besnik ndaj tij. E njohur në gjuhën vendase si hasteh-yeh sakht ose “baza e fortë”, kjo shtresë besnikësh llogaritet të përbëjë rreth 10 për qind të popullsisë, ose afërsisht 9 milionë njerëz.

Një sondazh i kryer në shtator të vitit të kaluar nga Gamaan, një grup kërkimor holandez i cituar shpesh nga vëzhguesit e Iranit, raportoi se 20 për qind e iranianëve mbështesnin regjimin. Ndër ta, rreth gjysma donin reformimin e sistemit. Gjysma tjetër - ata të linjës së ashpër - ishin të palëkundur në mbështetjen e tyre për sistemin ashtu siç është.

Baza kryesore e mbështetjes së regjimit, buron ende nga disa prej të njëjtave shtresa shoqërore si gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979, kur mbështetja e të rinjve të pakënaqur të klasës punëtore dhe të varfërve ruralë, ndihmoi në ardhjen në pushtet të Ruhollah Khomeinit, liderit të parë suprem të Republikës Islamike.

Sondazhi i Gamaan zbuloi se mbështetja për regjimin mbetet më e lartë në zonat rurale krahasuar me qytetet, dhe midis njerëzve më pak të arsimuar në mbarë vendin. Ajo që është e përbashkët për të dyja këto grupe, thotë Ammar Maleki, drejtori i Gamaan, është rëndësia e fesë dhe konkretisht doktrina e regjimit mbi “Mahdizmin”, e cila thotë se Mahdi - një figurë mesianike e njohur si imami i fshehur - do të kthehet një ditë për të çliruar botën nga e keqja dhe padrejtësia.

Hossein Hafezian, ekspert i Iranit dhe një politolog thotë: “Ata besojnë se ky sistem politik është një manifestim i vërtetë i Islamit, dhe Udhëheqësi Suprem është si një përfaqësues i imamit të fshehur. Pra, ata besojnë vërtet tek ky sistem dhe nuk u intereson që ekonomia nuk po ecën mirë”.

Kjo është një shtresë shoqërore që regjimi e përpunon në mënyrë aktive. Politologët pretendojnë se që një revoltë popullore kundër një shteti autoritar të jetë e suksesshme, kërkohet pjesëmarrja e vetëm 3.5 për qind të popullsisë.

Republika Islamike duket se llogarit se mbështetja e saj prej 10 për qind është e mjaftueshme për të parandaluar një kundër-revolucion. Mjeti kryesor i mbështetjes së regjimit është Korpusi i madh dhe i kudogjendur i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe krahu i tij paraushtarak, Basij, të cilët rekrutojnë ekskluzivisht nga “baza e fortë” dhe që të dy kanë një anëtarësi kolektive që mendohet se shkon në miliona.

Forcat e Mobilizimit Basij, të cilat kanë degë në çdo lagje të vendit, janë kryesisht përgjegjëse për organizimin e bazës së fortë dhe mobilizimin e saj kur është e nevojshme, së bashku me një departament hije brenda IRGC-së, i njohur si selia “Baqiyatallah”.

Dokumente të brendshme të vitit 2023, të siguruara nga Kasra Aarabi dhe Saeid Golkar, detajojnë planin 5-vjeçar të departamentit për të “organizuar të paktën 4 milionë njerëz në 800.000 grupe të vogla në të gjitha fushat kulturore dhe shoqërore”, dhe për të pasur 5 për qind të popullsisë të çdo lagjeje gati për të hyrë në “frontin e betejës së brendshme” gjatë kohërave të trazirave popullore.

Duket se tani regjimi po e vë në veprim atë plan. Që nga fillimi i luftës, banda njerëzish të armatosur mbi motoçikleta kanë patrulluar rrugët, duke i frikësuar banorët. Pika kontrolli dhe njësi të lëvizshme roje janë ngritur në të gjithë Teheranin dhe rrethinat e tij, të pajisura me anëtarë të Basij-it, të cilët ndalojnë dhe kontrollojnë mjetet dhe telefonat e njerëzve për prova kundërshtimi.

Njësitë e Basij, janë vendosur gjithashtu në vendet e goditura nga raketa amerikane dhe izraelite për të parandaluar civilët që të bëjnë fotografi dhe video, sipas raportimeve të iranianëve.

Po ashtu, besnikëve të regjimit u janë dërguar mesazhe ku u kërkohet të marrin pjesë në tubime masive në rrugë në shenjë mbështetjeje për regjimin, të cilat më pas transmetohen në televizionin shtetëror.

Aarabi e përshkroi bazën e fortë si një “shoqëri brenda shoqërisë”, ku anëtarët e IRGC-së zakonisht jetojnë brenda komplekseve dhe fshatrave të tyre dhe fëmijët e tyre shpesh ndjekin shkolla elitare.

Dhe ndërsa përqindja e besnikëve në vend mund të jetë zvogëluar me kalimin e kohës, bindja e tyre vetëm sa është forcuar përmes një programi indoktrinimi që shteti e ka rritur gradualisht brenda programit të trajnimit të IRGC-së gjatë dy dekadave të fundit.

Problemi që kjo paraqet për Shtetet e Bashkuara, të cilat besonin se mund të nxisnin ndryshimin e regjimit përmes një fushate bombardimesh, është se konflikti mund të forcojë vendosmërinë ideologjike të pasuesve të regjimit.

Ithtarët e Mahdizmit besojnë se kthimi i Mahdiut do të paraprihet nga një shkatërrim apokaliptik. Fushata e bombardimeve nga Izraeli dhe SHBA “vetëm sa do të gjallërojë bazën e fortë, sepse ata e shohin shkatërrimin si një shenjë të afrimit të imamit të tyre të fshehur mesianik”, thotë Aarabi.

Pjesa më e madhe e fushatës ajrore izraelito-amerikane, është fokusuar në aparatin e sigurisë së Iranit. Në të njëjtën ditë kur Larijani u vra në një sulm ajror në Teheran, Gholamreza Soleimani, komandanti i Basij-it, u vra në një sulm të veçantë.

Bazat e Basij-it dhe IRGC-së në të gjithë vendin kanë qenë gjithashtu shënjestra të rënda.

“Mendoj se Perëndimi e ka nënvlerësuar angazhimin ideologjik të kësaj baze të fortë mbështetësish”, mendon Aarabi.

“Kjo nuk do të thotë se operacioni ushtarak s’mund të arrijë të rrëzojë regjimin. Por për ta bërë këtë, do të kërkohet një operacion gjithëpërfshirës. Dhe do të kërkojë dobësimin e vullnetit dhe aftësive jo vetëm të IRGC-së dhe Basij-it, por në fund të fundit të bazës së fortë në mënyrë më të gjerë”, përfundon ai./ Përshtati "Pamfleti" nga “Sunday Times”

Lini një Përgjigje