TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Maj 2026, 19:24

Shkon në 6 numri i viktimave nga masakra në Turqi, autori vrau fillimisht ish-bashkëshorten

Shkruar nga Pamfleti
Shkon në 6 numri i viktimave nga masakra në Turqi, autori vrau
Foto nga vendi i ngjarjes

Është rënduar bilanci i sulmit të armatosur që tronditi provincën turke të Mersinit, ku numri i viktimave ka shkuar në 5. Autoritetet turke kanë identifikuar autorin si Metin Ö., 37 vjeç, i cili dyshohet se nisi serinë e vrasjeve duke ekzekutuar ish-bashkëshorten e tij.

Sipas mediave turke, 37-vjeçari vrau fillimisht me armë ish-bashkëshorten Arzu Özden, 32 vjeçe, në lagjen Darıpınarı të distriktit Çamlıyayla.

Pas krimit, autori u largua me një automjet me targa “01 B 9171” dhe u drejtua për në distriktin Tarsus, ku vazhdoi sulmet e armatosura në zona të ndryshme.

Një nga sulmet më të rënda ndodhi në lagjen Kadelli Dörtler, ku Metin Ö. mbërriti me makinë pranë restorantit në pronësi të Sabri Pan dhe hapi zjarr ndaj personave që ndodheshin aty.

Si pasojë e të shtënave, pronari i restorantit Sabri Pan humbi jetën në spital, ndërsa punonjësi Ahmet Ercan Can vdiq në vendngjarje.

Më herët autoritetet kishin bërë të ditur se autori kishte vrarë edhe dy persona të tjerë në zona të ndryshme të Tarsusit dhe kishte plagosur tetë të tjerë gjatë arratisjes. Së fundmi u zbulua  se i vdekur ka mbetur dhe një punonjës karburanti.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga mediat turke, tregojnë momentin kur autori afrohet me një makinë të bardhë pranë restorantit dhe hap zjarr para se të largohet me shpejtësi.

Pas masakrës, policia dhe xhandarmëria turke nisën një operacion të gjerë për kapjen e tij. Në kërkime janë përfshirë helikopterë, pika kontrolli dhe forca të shumta sigurie që po kontrollojnë zonat përreth Mersinit dhe Tarsusit.

Hetimet për motivet e sulmit vazhdojnë.

turqi masaker

Lini një Përgjigje