TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Maj 2026, 17:36

"Axios": Shtëpia e Bardhë e konsideron të pamjaftueshme ofertën e Iranit, Trump diskuton opsionet ushtarake

Shkruar nga Pamfleti
"Axios": Shtëpia e Bardhë e konsideron të pamjaftueshme
Foto ilustruese

Shtëpia e Bardhë e konsideron të pamjaftueshme propozimin e ri që Irani u ka dërguar Shteteve të Bashkuara përmes Pakistanit në kuadër të negociatave për programin bërthamor. Lajmi është bërë i ditur nga Axios, duke cituar burime amerikane.

Shtëpia e Bardhë mendon se nuk bëhet fjalë për një përmirësim domethënës dhe se oferta nuk mjafton për të arritur një marrëveshje”, raportoi Axios.

Sipas të njëjtave burime, presidenti amerikan Donald Trump pritet të mbledhë nesër në “Situation Room” drejtuesit kryesorë të sigurisë kombëtare për të diskutuar opsionet ushtarake ndaj Iranit.

Një zyrtar amerikan i cituar nga Axios deklaroi se, nëse Teherani nuk ndryshon qëndrim, negociatat me Iranin mund të vazhdojnë “me bomba”.

Burimet amerikane thanë se Trump vazhdon të preferojë një marrëveshje që do t’i jepte fund krizës, por po shqyrton nëse ka ende hapësirë për negociata pas refuzimit nga Irani të disa prej kërkesave kryesore të Uashingtonit, përfshirë “lëshime të rëndësishme mbi programin bërthamor”.

Sipas administratës amerikane, dokumenti i fundit i dërguar nga Teherani përmban vetëm hapa të kufizuar përpara. Irani ka riafirmuar se nuk synon të zhvillojë armë bërthamore, por, sipas burimeve amerikane, nuk ka dhënë angazhime konkrete për ndalimin e pasurimit të uraniumit apo dorëzimin e rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mohuan gjithashtu raportimet e mediave iraniane se Uashingtoni është i gatshëm të lehtësojë sanksionet pa kushte.

Kemi nevojë për një negociatë reale, të fortë dhe të detajuar për programin bërthamor”, tha një burim amerikan për Axios. “Përndryshe do të flasim përmes bombave, dhe kjo do të ishte për të ardhur keq.”

shba iran trump

Lini një Përgjigje