Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka mbrojtur të drejtën e Iranit për të pasuruar uranium “për qëllime paqësore”, në një moment kur administrata Trump po ushtron presion ndaj Teheranit për programin e tij bërthamor.
“Irani, si çdo anëtar tjetër i Marrëveshjes për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, ka të drejtën e plotë të pasurojë uranium për qëllime paqësore”, deklaroi Lavrov gjatë një konference për shtyp në Moskë.
Deklarata e tij vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kërkojnë kufizime të forta ndaj aktivitetit bërthamor iranian. Një nga kërkesat kryesore të Uashingtonit ka qenë që Irani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, pasi SHBA argumenton se ky proces mund të përdoret edhe për zhvillimin e armëve bërthamore.
Teherani, nga ana tjetër, këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile dhe energjetike.
Lavrov tha gjithashtu se Rusia nuk do të ndërhyjë në procesin e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit, por do të mbështesë çdo marrëveshje që pranohet nga të dyja palët.
“Ne do të mbështesim çdo zgjidhje për të cilën bien dakord dhe që pranohet nga vetë palët negociuese. Në këtë rast, Shtetet e Bashkuara dhe Republika Islamike e Iranit”, tha Lavrov, sipas agjencisë ruse Interfax.
Lini një Përgjigje