Vetëm pak orë para fillimit të protestës së studentëve, ministri i Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Igor Filkov, ka ritheksuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe, duke deklaruar se për këtë çështje nuk ka më hapësirë për debat.
I pyetur lidhur me reagimet dhe kërkesat për përdorimin e gjuhës shqipe në këtë provim profesional, Filkov tha se tema tashmë konsiderohet e mbyllur. “Provimi i jurisprudencës është profesional dhe jo proces administrativ. Nuk kemi çfarë të komentojmë”, deklaroi ai.
Filkov theksoi se qeveria aktuale nuk do të lejojë interpretime politike të Kushtetutës dhe ligjeve, duke shtuar se praktikat e mëparshme, sipas tij, kanë marrë fund me ndryshimin e pushtetit.
Ai deklaroi se shteti duhet të funksionojë mbi bazën e ligjit dhe Kushtetutës, e jo sipas presioneve politike apo publike.
“Kushtetuta nuk është temë për emisione televizive. Çdo gjë tjetër është presion dhe kjo nuk do të kalojë”, u shpreh ministri.
Qëndrimi i Filkovit lidhur me këtë çështje ka mbetur i pandryshuar që nga fillimi, duke refuzuar mundësinë që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe.
Kjo deklaratë e ministrit të Drejtësisë vjen në kohën kur krerët e VLENIT pas një takimi me Kryeministrin Mickoski kanë marrë garanci se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës do të gjente zgjidhje pozitive.
Lini një Përgjigje