Europol ka njoftuar se mbi 14.200 postime dhe lidhje online të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) janë identifikuar dhe goditur në një operacion të gjerë kundër propagandës terroriste në internet.
Aksioni u koordinua nga Njësia e Referimit të Internetit e Bashkimit Evropian (EU IRU), pjesë e Qendrës Evropiane Kundër Terrorizmit në Europol, dhe kishte si objektiv ndërprerjen e pranisë online të IRGC-së, e përdorur për propagandë, rekrutime dhe mbledhje fondesh.
Operacioni vjen pasi Bashkimi Evropian e shpalli zyrtarisht IRGC-në organizatë terroriste më 19 shkurt 2026, përmes vendimit të Këshillit të BE-së. Ky klasifikim u jep autoriteteve evropiane bazë ligjore për të ndërmarrë veprime kundër aktiviteteve dhe rrjeteve mbështetëse të organizatës brenda territorit të BE-së.
Në operacion morën pjesë 19 shtete: Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Holanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas Europol, mes 13 shkurtit dhe 28 prillit autoritetet zhvilluan faza të koordinuara të mbledhjes së inteligjencës, verifikimit të objektivave dhe raportimit të përmbajtjeve tek platformat online.
Propaganda ishte shpërndarë në rrjete sociale të njohura, platforma transmetimi, blogje dhe faqe të pavarura interneti. Materialet u identifikuan në disa gjuhë, përfshirë arabishten, anglishten, persishten, frëngjishten dhe spanjishten.
Sipas hetuesve, përmbajtjet përfshinin fjalime me narrativa fetare mbi martirizimin, mesazhe politike radikale, video të krijuara me inteligjencë artificiale që glorifikonin IRGC-në, si dhe thirrje për hakmarrje në emër të Ajatollah Ali Khameneit.
Europol tha gjithashtu se hetimet ndihmuan në identifikimin e lidhjeve mes rrjeteve të propagandës së IRGC-së dhe grupeve të tjera aleate ose të mbështetura prej saj, përfshirë Hezbollahun, Hamasin, Xhihadin Islamik Palestinez dhe Ansar Allah.
Gjatë operacionit, llogaria kryesore e IRGC-së në platformën X, me mbi 150 mijë ndjekës, u bllokua në territorin e Bashkimit Evropian. Mijëra lidhje të tjera janë hequr ose mbeten nën hetim për t’u fshirë.
Hetuesit zbuluan gjithashtu se rrjeti përdorte kompani hostimi në vende të ndryshme, nga Rusia deri në SHBA, për të ruajtur praninë online dhe për të shmangur kufizimet. Autoritetet identifikuan edhe përdorimin e kriptomonedhave për financimin dhe zgjerimin e operacioneve digjitale.
Europol paralajmëroi se organizatat terroriste po përshtatin vazhdimisht metodat e tyre në hapësirën digjitale, duke e bërë të domosdoshëm koordinimin ndërkombëtar për kufizimin e ndikimit dhe propagandës së tyre online.
Lini një Përgjigje