
Një incident ka ndodhur gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Bruksel, ku nga policia lokale u arrestua shefi i tij i sigurisë.
Ai u mbajt për disa orë i shoqëruar dhe më pas u la i lirë pas ndërhyrjes së ambasadorit amerikan.
Gjithçka nisi pas një debati që shefi i sigurisë së Rubios pati me stafin e hotelit. Ai debatoi me punonjësit duke i kërkuar që të mos mbyllnin gjatë natës barin e hotelit. Stafi i hoteli ka thirrur policinë, ndërsa debati ka vijuar edhe mes tyre, deri në momentin kur nga forcat e sigurisë iu vendosën prangat.
Personi i arrestuar ishte në fakt një drejtues ekipi i Shërbimit Diplomatik të Sigurisë Amerikane (DSS), i cili ishte pjesë e delegacionit të Sekretarit Amerikan të Shtetit Marco Rubio në Bruksel javën e kaluar. Shefi i politikës së jashtme të Donald Trump ishte në kryeqytetin e Evropës dhe Belgjikës për takimin ministror të NATO-s dhe po qëndronte në Hotel Amigo në Bruksel, i njohur për diplomatët dhe zyrtarët ndërkombëtarë ku Giorgia Meloni dhe kryeministrat evropianë kalojnë shpesh netët kur mbahen Këshillat Evropianë.
Siç raporton Brussels Today , të hënën më 31 mars agjenti i DSS përgjegjës për përgatitjen e vizitës së Rubios në takimin e Aleancës Atlantike pati një debat me menaxherin e barit të hotelit. Oficeri dyshohet se kërkoi që lokali, i cili sapo ishte mbyllur, të rihapej për të. Kur menaxheri i natës i kërkoi të kthehej në dhomën e tij, oficeri tregoi shenja agresioni, gjë që çoi në një përshkallëzim të situatës.
Policia e Brukselit u thirr me shpejtësi për të ndërhyrë. Kreu i ekipit të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike, dukshëm jashtë kontrollit, fillimisht ka rezistuar dhe më pas u përplas me policinë. Për këtë ai u arrestua. Megjithatë, ai u lirua pasdite pasi ambasada amerikane ndërhyri dhe mori situatën nën kontroll.
Shërbimi Diplomatik i Sigurisë, ku anëtari ishte një oficer i lartë, është "në dijeni të incidentit" dhe "pretendimet janë duke u hetuar", tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në një deklaratë për The Independent.
Lini një Përgjigje