
Pakti i errët me Erdogan, që veç të tjerash favorizohet nga konjuktura rajonale...
Ditët e fundit në Stamboll dhe Ankara i kalova duke u takuar me gazetarë, analistë, diplomatë, drejtues biznesi, politikëbërës, miq dhe të njohur. Në qendër të diskutimeve ishin padyshim ngjarjet rreth arrestimit mbi akuzat për korrupsion të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, dhe protestat që shpërthyen në këtë qytet dhe mbarë Turqinë.
Turqia është e polarizuar. Mbështetësit e Imamoglu, argumentojnë se ai është i pafajshëm dhe arrestimi i tij është një sulm ndaj demokracisë. Ata paralajmërojnë se vendi po kalon nga një autokraci konkurruese në një autokraci të plotë. Ndërkohë mbështetësit e Erdogan, pretendojnë se akuzat për korrupsion janë serioze, dhe se autoritetet gjyqësore thjesht po bëjnë thjesht detyrën e tyre.
Po ashtu, ata shtojnë se laikët kanë një imazh të idealizuar të demokracisë në vitet para se Erdogan të merrte detyrën, duke harruar se të njëjtat teknika u përdorën kundër islamikeve dhe të tjerëve në të kaluarën. Turqia ka një histori të grushteve të shtetit.
Nga ana tjetër, një argument shumë i zakonshëm që dëgjova në të dyja kampet, madje edhe nga neutralët, ishte se akuzat për korrupsion nuk ishin dhe aq befasuese. Në fakt, korrupsioni është i përhapur në të gjithë qeverinë lokale turke. Por nëse Imamoglu akuzohet për korrupsion, atëherë duhet të akuzohen edhe të tjerët në qarqet pro-qeveritare.
Shpesh theksohej se ky rast është dukshëm politik, me synim përjashtimin e sfidantit kryesor të Erdoganit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Shumë njerëz, më thanë se zgjedhjet e tyre demokratike po kufizohen, dhe se kjo që po shihet nuk është demokraci. Ata duan një alternativë ndaj AKP-së së Erdogan.
Por situata në Turqi ndihet ndryshe nga Pranvera Arabe apo Ukraina e viteve 2004-2005 apo 2013-2014, ku kishte një ndjenjë të vërtetë se kombi ishte kthyer në masë kundër partisë dhe liderit në pushtet. Në Turqi gjeta ende shumë njerëz që mbrojnë Erdoganin, dhe një pjesë e madhe e popullsisë (kurdët) po qëndrojnë mënjanë.
Vendi është i ndarë 50-50, apo 60-40 apo 45-55 për qind? Nuk e di. Por nuk është 80 për qind kundër Erdoganit, siç ndodhi në Ukrainë kundër Yanukovych në vitet 2004-2005 dhe 2013-2014. Unë kam qenë në Ukrainë në të dyja ato periudha.
Dhe dy javë pas arrestimit të Imamoglu, Erdogan duket se ia ka dalë të heqë një nga sfidat më serioze të 23 viteve të tij në detyrë. Vite më parë, bëra shaka duke thënë se Erdogan është një politikan me 9 jetë. Në fakt, ndoshta tani ai ka me shumë se 18. Demonstratat janë ndërprerë. Opozita e ka pasur të vështirë të garantojë vazhdimësinë e tyre.
Është folur për një marrëveshje në prapaskenë midis udhëheqjes së CHP-së dhe administratës së Erdogan. Sidomos për shkak të rrëzimit të akuzave për terrorizëm kundër Imamoglu dhe CHP, gjë që e lejoi këtë të fundit të zgjidhte një zëvendësues të Imamoglu si kryetar bashkie.
Në këmbim lidershipi i CHP-së, mund të ketë rënë dakord për shuarjen graduale të protestave.
Dhe në fakt ne kemi parë që opozita e udhëhequr nga CHP-ja, po kalon nga nxitja e tyre në bojkotin e bizneseve që shihen si të afërta me administratën Erdogan.
Por edhe kjo lëvizje ka shkaktuar kritika për dëmtimin e bizneseve vendase dhe vendeve të punës (e kam dëgjuar këtë edhe nga shitësit pro-Imamoglu), në një kohë kur ekonomia po përballet me inflacionin e lartë, rritjes së dobët dhe në kuadër të një situate ekonomike globale të zymtë që po shihet tani me fillimin e luftërave tarifore të Trump.
Edhe unë dyshoj se bojkotet do të shkojnë larg. Duket sikur vrulli është zhvendosur nga opozita tek Erdogan. Opozita mund të jetë duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, por duket shumë e pamundur që Erdogan ta pranojë këtë skenar përpara se të përmirësohet perspektiva për ekonominë, dhe nuk ka gjasa përpara vitit 2027 ose 2028.
Erdogan shpreson që deri atëherë mbështetja, por edhe kujtesa popullore e Imamoglut do të zbehet, teksa çështje të tjera do të dalin në plan të parë, të cilat ai më pas mund t’i shfrytëzojë në avantazhin e tij politik. Nëse lëvizja kundër Imamoglu ishte politike, Erdogan e përgatiti mirë kundër-lëvizjen e tij.
Së pari, ringjalli procesin e paqes me kurdët, që po mbështet fort nga aleati nacionalist i Erdoganit, Devlet Bahçeli. Dhe MHP, duket se i ka penguar kurdët të mbështesin gjerësisht demonstratat e udhëhequra nga CHP për arrestimin e Imamoglu.
Së dyti, qeveritë perëndimore kanë qëndruar të heshtura ndaj arrestimit të Imamoglu. Nga njëra anë, e kanë të vështirë të kritikojnë kur akuzat kanë të bëjnë me korrupsionin. Në shtetet e tjera aspirantë për në BE, si Ukraina dhe në Ballkanin Perëndimor, BE-ja ka bërë thirrje për përpjekje më të mëdha në luftën kundër korrupsionit.
Administrata e Erdogan, do të argumentojë se po i përgjigjet kësaj thirrjeje, dhe do t’i kërkojë BE-së të gjykojë provat kundër Imamoglu. Por më e rëndësishmja: Evropa është në një pozicion të dobët për të kritikuar Erdoganin, duke pasur parasysh se ajo po përballet me një kërcënim ekzistencial nga Rusia, dhe ka nevojë të dëshpëruar për mbështetjen ushtarake dhe industriale ushtarake turke për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi.
Po ashtu, Turqia është treguar e gatshme të marrë pjesë në “Forcën e Sigurimit” që Britania dhe Franca po përpiqen të krijojnë, për të siguruar çdo lloj armëpushimi të mundshëm në Ukrainë. Turqia ka ushtrinë më të madhe në NATO-n evropiane dhe mund të vendosë dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, nëse arrihet një marrëveshje me Evropën.
Cinikët mund të thonë se Evropa i jep leksione Turqisë, dhe globalisht gjithë vendeve mbi vlerat e saj të të drejtave të njeriut, demokracisë, sundimit të ligjit etj. Por nëse lejon të mposhtet Ukraina, nuk do të ketë vlera për t’u mbrojtur dhe Rusia do të shpërndajë vlera shumë të ndryshme në të gjithë Evropën.
Duket se tani Evropa gjendet para një zgjedhjeje të vështirë midis interesave dhe vlerave, dhe Erdogan e kuptoi në kohë këtë moment. Interesat evropiane kërkojnë që Evropa të qëndrojë e heshtur ndaj tendencave të brendshme politike në Turqi.
Po ashtu, Erdogan e kuptoi se as presidenca e re e Trump në SHBA nuk ishte veçanërisht e përqendruar te vlerat (shih Gaza), por më shumë te interesat, veçanërisht tek dëshira për të shitur pajisje ushtarake Turqisë, plus interesin e Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Siria.
Turqia mund të mbulojë interesat e SHBA-së në Siri, veçanërisht duke frenuar ISIS-in, por është e dobishme edhe për planet e SHBA-së dhe Izraelit për të maksimizuar presionin ndaj Iranit. A
po mendon SHBA-ja të përdorë bazat ushtarake turke për veprime të ardhshme ushtarake kundër Iranit, por edhe për të zbatuar sanksione më të forta ndaj këtij të fundit?
Së treti, ekipi i Ministrit të Financave Simsek ka bërë një punë të jashtëzakonshme në stabilizimin e ekonomisë gjatë rreth 18 muajve të fundit, pas zgjedhjeve të vitit 2023. Rezervat e Bankës Qendrore u rritën me mbi 100 miliardë dollarë, për të arritur në nivelet maksimale prej afro 175 miliardë dollarësh.
Tregjet u tronditën me njoftimin e arrestimit të Imamoglu. Lira u godit rëndë, duke rënë 14 për qind në orët e para pas arrestimit. Por Banka Qëndrore veproi shpejt duke përdorur rezervat, për të stabilizuar lirën dhe për të ndalur largimin e kapitalit.
“Mos e nënvlerësoni asnjëherë Erdoganin!”, është një frazë që e kam mësuar gjatë vizitës time të fundit në Turqi. Ju mund të mendoni se lëvizja e tij kundër Imamoglu, do t’i kushtojë shtrenjtë në zgjedhjet e ardhshme. Madje disa analistë, thonë se tani opozita do të tubohet pas çdo kandidati që do ta sfidojë Erdoganin në zgjedhjet e ardhshme.
Ndoshta po, por ndoshta jo, pasi koha mund t’i japë ende shanse Erdoganit. Për më tepër, ai është ende i aftë të mposhtë rivalët e tij politikë në vend. Po ashtu, ai luan në avantazhin e tij një lojë gjeopolitikë rajonale jashtëzakonisht të vështirë. Erdogan supozon se votuesit do të harrojnë shpejt ngjarjet rreth Imamoglu.
Dhe ai do të supozojë se nëse mund të arrijë një marrëveshje paqeje me kurdët, një rimëkëmbje të ekonomisë me inflacion më të ulët, dhe ndonjë sukses në gjeopolitikën rajonale, mund të fitojë sërish zgjedhjet.
Turqia mund të përfitojë ende kontrata të mëdha për të riarmatosur Evropën dhe Ukrainën, dhe fonde si shpërblim për ndihmën e dhënë për armëpushimin në Ukrainë, stabilizimin e Sirisë dhe për të siguruar rezultate pozitive në lidhje me Iranin./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Kyiv Post”
Lini një Përgjigje