TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Prill 2025, 13:07

Pse “paqja nëpërmjet forcës” nuk do të funksionojë në Lindjen e Mesme!

Shkruar nga Alexander Langlois

Pse “paqja nëpërmjet forcës” nuk do të

Konkurrenca SHBA-Iran ofron një shembull kryesor të nuancave që mungojnë në qasjen e gabuar “paqe përmes forcës”.

Parulla kryesore e politikën e jashtme të mandatit të dytë të administratës Trump, e njohur si “paqe përmes forcës”, do të arrijë në rastin më të mirë një paqe formale në Lindjen e Mesme. Ndërkohë e ashtuquajtura “paqe”, të cilën presidenti Trump e theksoi si një element qendror të fushatës së tij të tretë për në Shtëpinë e Bardhë po rezulton të jetë e paarritshme, siç tregohet edhe nga shkelja e marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas dhe fushata e re e bombardimeve në Jemen. 

Këto zhvillime, pasqyrojnë një probleme edhe më të gjerë: Uashingtoni vazhdon të përdorë politika tepër militariste, për të arritur rezultate politike, të cilat nuk mund të arrihen me përdorimin e hapur të forcës së ashpër, pra asaj ushtarake.

Ironia është e qartë tek ata që kritikojnë me të drejtë etiketimet “izolacioniste” të hedhura ndaj administratën e re. Mandati i dytë i Trump, po rezulton të jetë një mandat i veprimit, por personeli është shumë politik. Pra shumë njerëz nga stafi kryesor i sigurisë kombëtare në organe si Këshilli i Sigurisë Kombëtare, rrjedhin kryesisht nga krahu neo-konservator dhe ndërhyrës i Partisë Republikane.

Disa nga këta zyrtarë, janë të njëjtët individë që kanë nxitur ndjekjen e politikave të dështuara për dekada të tëra, si për shembull “presioni maksimal” kundër Iranit. Pikëpamjet dhe qëllimet e një stafi të tillë nuk ndryshuan papritur brenda natës. Ato thjesht funksionojnë në një axhendë të re.

Në fakt, konkurrenca SHBA-Iran ofron një shembull kryesor të nuancave që mungojnë në qasjen e gabuar “paqe përmes forcës”. Teherani ka refuzuar për dekada përpjekjet e armikut - përfshirë sanksionet , vrasjet dhe piraterinë ndërkombëtare - për të ndryshuar sjelljen e tij, duke zhvilluar në kundërpërgjigje politika gjithnjë e më të ndërlikuara dhe të rrezikshme parandaluese në Lindjen e Mesme dhe jashtë saj.

Në këtë rast, përdorimi i ”forcës” nga Uashingtoni, ka trimëruar palët e vijës së ashpër iraniane dhe anasjelltas, në një spirale ndërveprimesh gjithnjë e më të dhunshme në vendet e treta. Republika Islamike është çdo gjë tjetër veçse jo engjëllore. Por problemi mbetet aty.

Sjellja agresive për të nxjerrë në pah forcën relative, ka pasur pak sukses në parandalimin e kundërshtarëve të SHBA-së që të punojnë për të arritur interesat e tyre, edhe nëse ato janë diametralisht të kundërta me Uashingtonin.

Lindja e Mesme, është e mbushur me shembuj të ngjashëm të dështuar të kësaj dinamike, nga Iraku dhe Siria, deri në Palestinë dhe Jemen. Në çdo rast, qasja e forcës ka dështuar dhe po dështon. Për shembull regjimi i Assadit në Siri, nuk ra për shkak të sanksioneve të SHBA-së, një pranie ushtarake apo armatimit të fshehtë të milicive të opozitës.

Përkundrazi, Damasku iu kundërpërgjigj atyre veprimeve të SHBA-së duke u angazhuar për veprime destabilizuese rajonale, siç është tregtia e drogës kaptagon, për të ushtruar presion ndaj partnerëve rajonalë të SHBA-së. Rebelët Huthi, nuk i ndërprenë veprimet e tyre keqdashëse në Jemen për shkak të përcaktimit të si organizatë terroriste apo të bombave të hedhura mbi pozicionet e tyre ushtarake dhe qeveritare.

Përkundrazi, grupi është forcuar herë pas here. Argumentet tradicionale të narrativës së neo-konservatorëve, theksojnë se politikat ndërhyrëse nuk shkojnë aq larg sa duhet, shpeshherë për shkak të udhëheqësve dhe zyrtarëve që “u mungon vendosmëria”.

Për ta, ky dështim pasqyron gatishmërinë për të sakrifikuar të ashtuquajturën “besueshmëri” të mjegullt në emër të qëllimeve izoluese dhe të dobëta. Logjika është se Uashingtoni duhet të jetë i fortë kudo dhe gjatë gjithë kohës. Në të kundërt, rrezikon t’i lërë terren të lirë aktorëve të rrezikshëm vetëm një hap përtej vijës bregdetare të SHBA-së.

Ndërsa Trump ka përkrahur një linjë arsyetimi relativisht të ndryshme - edhe pse kaotike - publikisht dhe në disa vendime politike, mandati i tij i parë dhe i dytë pasqyrojnë sërish qasjen tradicionale neokonservatore.

Administrata e tij e parë, i zgjeroi fushatat e bombardimeve në Bririn e Afrikës dhe operacionet anti-ISIS në të gjithë Lindjen e Mesme (dhe mbajti trupat atje edhe pasi ISIS u mund). Dhe ajo ndërmori një fushatë brutale presioni ndaj Iranit në emër të forcës, për të arritur fitoren totale mbi armiqtë e tij apo për të arritur “marrëveshje” që janë gjithnjë e më iluzore.

Deri më sot, mandati i dytë i Trump na kujton të njëjtën qasje në Lindjen e Mesme. Nën udhëheqjen e tij, SHBA-ja ka kërcënuar Jordaninë dhe Egjiptin që të pranojnë qindra mijëra palestinezë në një përpjekje të dukshme për të lejuar aneksimin e Izraelit të Bregut Perëndimor dhe Gazës të pushtuara ilegalisht.

Nëse ndodh ky skenar, do të rrezikohet një konflikt brutal rajonal dhe një Intifadë të Tretë, e cila mund të kërcënojë qeveritë në Aman dhe Kajro. Administrata aktuale, po e zgjeron fushatën e bombardimeve të ish-presidentit Joe Biden në Jemen kundër rebelëve Huthi.

Madje ka shkuar aq larg, sa të deklarojë se Irani do të mbahet përgjegjës për çdo sulm të ardhshëm të Huthi-ve. Dhe ky është një kërcënim i qartë për sulmin e ardhshëm kundër Republikës Islamike. Meqë rebelët Huthinuk ka gjasa të ndalojnë sulmet e tyre së shpejti, dikush mund të justifikohet nëse pyet se si do të përfundojë kjo përplasje.

Tek e fundit, zyrtarët amerikanë do të ishin të mençur ta pranonin se “forca” vjen në shumë forma. Arma sekrete e Uashingtonit nuk është ushtria e tij në vetvete, por më tepër kulmi i aftësive, marrëdhënieve dhe i një strategjie madhështore, që e pranon në mënyrë të arsyeshme gamën e gjerë të kapaciteteve të këtyre komponentëve për të arritur një objektiv të caktuar të politikës së jashtme.

Këtu përfshihet fuqia e butë, diçka e pavlerë nëse më parë është përdorur forca brutale, pa i marrë parasysh ato marrëdhënie. Thënë thjesht, administrata Trump do të dështojë në Lindjen e Mesme dhe më gjerësisht nëse vepron vetëm përmes fuqisë të fortë, dhe sidomos nëse kjo qasje injoron faktin se sa të ngushta janë interesat e SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Kuptimi i kësaj dinamike, kërkon pranimin e kufizimeve të fuqisë dhe rrezikut të panevojshëm që lidhet me ndjekjen e rrugëve të shkurtra për një fitore të rreme. Nëse SHBA-ja e bën këtë, kjo mund të çojë në rezultate që janë në përputhje me dëshirën e shpallur të Trump për të hyrë në histori si një paqebërës./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Hill”

Lini një Përgjigje