Ekspertët thonë se Rusia po i afrohet një epoke të re të rishpërndarjes së pushtetit. Ndarja e botës së biznesit nga politika, në këmbim të taksave dhe sigurisë, nuk është më e mundur...
Elita e biznesit dhe opozita ruse, kanë shumë më tepër të përbashkëta sesa mund të mendohet. Pavarësisht se i shmangen njëri-tjetrit, ata do të duhet të përdorin pikat e forta të njëri-tjetrit. Ka shumë ngjashmëri mes fatit të biznesit rus dhe Partisë Liberale ruse në vitet 1990.
Ndërsa në atë kohë, biznesmenët në Rusi ishin të varur nga qeveria, ata ishin gjithsesi në gjendje të ndikonin drejtpërdrejt tek ajo. Me ardhjen në presidencë të Vladimir Putinit, ky ndikim jo vetëm që është zhdukur, por nuk mund të merret më seriozisht.
Ndalimi dhe arrestimi i Vadim Moshkovich, njërit prej njerëzve më të pasur në Rusi, një filantrop i njohur, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kohëve të fundit në vend. Ekspertët kanë thënë prej kohësh, se Rusia po i afrohet një epoke të re të rishpërndarjes së pushtetit.
Ata kishin të drejtë. Që nga rasti “Yukos” dhe arrestimi i Mikhail Khodorkovsky, klasa e biznesmenëve mund të mos e marrë më si të mirëqenë se nuk do të ndërhyhet ndaj tyre. Ndarja e botës së biznesit nga politika, në këmbim të taksave dhe sigurisë, nuk është më e mundur.
Diçka e ngjashme ndodhi me liberalët. Në mesin e viteve 1990, ata ia dorëzuan levat e pushtetit shtetëror siloviki-ve (ish-zyrtarët dhe zyrtarët e lartë të organeve të sigurisë), mbështetën aktivisht shkuarjen e Putinit në presidencë dhe e lejuan veten të mënjanoheshin.
Gabimet e bëra nga të dyja këto grupe i bënë ata, në mos armiq në sytë e publikut, një e keqe e domosdosshme dhe një faktor i rëndësishëm në mbështetjen e Putinizmit. Është për t’u habitur sesi asnjëri prej këtyre grupeve, nuk është përpjekur ndonjëherë të iniciojë një dialog konstruktiv, edhe kur ai u bë i mundur dhe i nevojshëm, si në kohën e “pushtetit të dyfishtë” të Medvedevit dhe kur pasojat e rikthimit të Putinit ishin të papërfillshme.
Por edhe atëherë, biznesi mbajti distancë. Madje Alexey Navalny mori pjesë në zgjedhjet lokale për bashkinë e Moskës me firmat e deputetëve të Rusisë së Bashkuar, partia e Putinit. Dhe pasojat nuk vonuan: Mikhail Abyzov “pro-Medvedev” dhe vëllezërit Magomedov u mbyllën në burgjet në Siberi, Boris Nemtsov u vra, ndërsa Navalny duhej të ulte kokën.
Asgjë nuk ndryshoi. Opozita vazhdoi t’i godiste oligarkët, të cilët nga ana e tyre shmangnin këdo që sfidonte Kremlinin. Pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022, i vuri si kurrë më parë këto dy grupe kundër njëri-tjetrit. Opozita anti-Putin, është shpërngulur kryesisht jashtë vendit, ku është pritur me dashamirësi.
Ndërkohë biznesmenët konsiderohen si bashkëpunëtorë të Putinit. Ndaj tyre janë vendosur sanksione, dhe veprimet e tyre në Rusi janë kufizuar. Pikërisht këtu u shfaq me një energji të përtërirë keqdashja e ndërsjellë e të dy grupeve.
Të zhgënjyer nga ritmi i ngadaltë i diskutimeve në Bruksel, kritikët e regjimit nisën të përpilojnë lista njerëzish, përfshirë përfaqësues të bizneseve të mëdha, që duheshin goditur me sanksione. Ndërkohë, oligarkët që mbetën në Rusi, filluan të shfaqin me zell besnikërinë e tyre ndaj autoriteteve.
Në fakt kjo ndarje duket të jetë marrëzia më e madhe e historisë post-sovjetike të Rusisë. Nuk mund të them se pjesën më të madhe të kohës së lirë e kam kaluar në biseda si me drejtues të lëvizjes liberale vendase, ashtu edhe me përfaqësues të biznesit të madh.
Por kam përvojë në komunikim me të dyja grupimet, dhe kam zbuluar se ato janë jashtëzakonisht të ngjashme në shkallën e tyre të arsimimit, ndershmërisë, parimit, racionalitetit të pikëpamjes së tyre për botën, orientimit në koordinatat e përparimit dhe natyrës reaksionare.
Për më tepër, ata bashkohen nga vlerat dhe normat ku bazohet burokracia ruse. Por këta aleatë natyrorë, e kanë pozicionuar njëri-tjetrin si armiq të betuar prej vitesh. Shpresat për një “Rusi të bukur të së ardhmes”, po shuhen vit pas viti. Ata kanë sot nevojë për Vadim Moshkovich, ashtu si dje për Navalnyn.
Një vend dhe një shoqëri e re, që refuzon diktaturën dhe autarkinë, mund të ndërtohet vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta të biznesit dhe shoqërisë civile. Të dyja palët, janë njëlloj të interesuara për një shtet të së drejtës, për autoritete të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe të përgjegjshme.
Që të dyja palët, do të përfitonin nga një vend paqësor i sigurt për vendin e tij në komunitetin ndërkombëtar, në vend se të përpiqen ta ndryshojnë rendin global me koston e dhjetëra e mijëra jetëve njerëzore. Për më tepër, mendoj se vetëm klasa e sipërmarrjes ruse mund ta udhëheqë opozitën ndaj Putinit.
Ajo nuk mund t’i kthejë shpinën Rusisë dhe të vendoset në Perëndim, ku nuk është e mirëpritur. Kjo edhe sepse puna e jetës dhe pasuria e saj mbeten në Rusi, dhe nëse ato largohen do të binin në dorën e grabitësve dhe të fortëve. Për klasën sipërmarrëse, demokracia dhe rendi ligjor janë më të rëndësishme se kurrë.
Kujdesi i oligarkëve nuk i ka mbajtur ata më të sigurt, pavarësisht garancive të Putinit. Rasti “Moshkovich”, tregon se tani asgjë nuk mund t'i shpëtojë ata nga sekuestrimi i pronave. Për shembull, një kompani që sapo është ri-regjistruar nga një juridiksion i huaj në një rus, do të konfiskohet nga një padi e ngritur nga një kompani që ka mbetur në Qipro.
Nëse keni ndonjë mbrojtës në Kremlin ose Dumën ruse, çdo pasuri mund të jetë e juaja. Unë jam i bindur se me përjashtim të atyre që përfituan drejtpërdrejt nga patronazhi i tij, biznesmenët më të suksesshëm të Rusisë nuk janë aleatë të mundshëm të Putinit. Dallimi mes biznesmenëve të vetë-bërë, dhe atyre që janë bërë miq të diktatorit, është shumë i dukshëm.
E kam të vështirë të besoj se këta biznesmenë që e ndërtuan gjithçka me duart e tyre, do t'i binden me kënaqësi kujtdo që mbërriti në majë vetëm përmes servilizmit. Këto forca garantojnë jetën e Putinit në pushtet. Sot ato po futen në realitetin rus nga rrethanat, autoritetet perëndimore dhe opozitarët e arratisur.
Ka ardhur koha të kuptohet, se është më mirë të kërkosh aleatë midis biznesmenëve, sepse ata janë i vetmi grupim shoqëror i mbetur në vend që ndan vlerat e liberalizmit dhe demokracisë. Askush nuk është më i motivuar sesa biznesi rus, për ta çmontuar regjimin aktual, por dhe më i kualifikuar për të drejtuar Rusinë e re.
Ai ka njohur prej kohësh avantazhet e sundimit demokratik ndaj diktaturës. Sot, Kremlini po u dërgon atyre një sinjal se koha e tyre po mbaron. Nëse edhe këto sinjale, nuk janë në gjendje të nxisin njerëzit më të suksesshëm dhe të pavarur në shoqërinë ruse që të ndërgjegjësohen, asgjë dhe askush tjetër nuk mund ta shpëtojë Rusinë.
Shënim: Vladislav Inozemtsev, profesor në ekonomi, bashkëthemelues i Qendrës për Analiza dhe Strategji në Evropë me qendër në Qipro./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Moscow Times”
Lini një Përgjigje