Rusia ka dalë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i akuzuar për shkelje flagrante të rregullave të tregtisë ndërkombëtare, pas vendosjes së tarifave 104% për importet nga Kina.
“Uashingtoni duket se nuk e konsideron veten të detyruar nga parimet e ligjit të tregtisë ndërkombëtare”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.
Sipas Zakharova, vendimet e njëanshme të SHBA-së përbëjnë një shkelje të “rregullit themelor të OBT-së” dhe ngrenë pyetje serioze në lidhje me angazhimin e Uashingtonit ndaj sistemit shumëpalësh tregtar.
Edhe pse Rusia nuk është aktualisht e përfshirë në listën e mbi 60 vendeve të prekura nga tarifat e fundit të qeverisë amerikane, Moska thotë se tashmë po merr masa parandaluese.
Siç njoftoi Zakharova, Rusia po intensifikon marrëdhëniet tregtare me Kinën për të kufizuar ndikimet e mundshme negative në të ardhmen.
Sot ndërkohë kanë hyrë në fuqi tarifat e Donald Trump ndaj 60 vendeve, të cilat ai i konsideron si "shkelësit më të këqij".
Faza e fundit e tarifave globale gjithëpërfshirëse të presidentit amerikan përfshin 104% tarifa për mallrat nga Kina, që është eksportuesi më i madh në botë.
Tarifat shtesë ndaj Kinës filluan pasi Pekini refuzoi të përmbushë afatin e Trump për të tërhequr taksat e veta hakmarrëse ndaj SHBA-së.
"Vendet si Kina, të cilët kanë zgjedhur të hakmerren dhe të përpiqen të dyfishojnë keqtrajtimin e tyre ndaj punëtorëve amerikanë, po bëjnë një gabim. Kinezët duan të bëjnë një marrëveshje, ata thjesht nuk dinë si ta bëjnë atë”, deklaroi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.
Kina u zotua të 'luftojë deri në fund' ndërsa ndërhyri për të stabilizuar tregjet e saj të aksioneve pas një rënieje të mprehtë.
Lufta tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë është intensifikuar, me të dyja palët që tregojnë pak prirje për të negociuar.
Lini një Përgjigje