Vlerësimet e inteligjencës kundërshtojnë deklaratat e Trump për dobësimin e plotë të kapaciteteve iraniane...
Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar vetëm rreth një të tretën e arsenalit të raketave dhe dronëve të Iranit pas një muaji luftimesh, sipas një raporti të Reuters që citon burime të njohura me vlerësimet e inteligjencës amerikane.
Sipas raportit, një tjetër pjesë e arsenalit konsiderohet e dëmtuar ose e fshehur në tunele dhe bunkerë nëntokësorë, ndërsa pjesa e mbetur mbetet funksionale. Një vlerësim i ngjashëm vlen edhe për flotën e dronëve të Iranit. Edhe pse shumë prej këtyre armëve nuk janë menjëherë të aksesueshme, Irani vijon të ketë një stok të konsiderueshëm.
Këto të dhëna bien në kundërshtim me deklaratat e presidentit Donald Trump, i cili ka thënë se Irani ka “shumë pak raketa të mbetura”, si dhe me qëndrime të tjera zyrtare që sugjerojnë se kapacitetet balistike janë neutralizuar.
Programi i raketave balistike konsiderohet nga Irani si një element kyç i strategjisë së tij të parandalimit, veçanërisht përballë epërsisë ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit. Nga ana tjetër, këto kapacitete shihen nga Izraeli dhe aleatët si një kërcënim i drejtpërdrejtë.
Gjatë muajit të fundit, Irani ka përdorur raketa balistike dhe dronë në sulme ndaj Izraelit dhe infrastrukturës energjetike në vendet e Gjirit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ndikime në ekonominë globale.
Dobësimi i këtij arsenali është një nga objektivat kryesorë të fushatës ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit. Izraeli ka deklaruar se ka “neutralizuar” rreth 70% të lëshuesve të raketave iraniane, ndërsa Teherani i ka shpërndarë këto sisteme në territor për të shmangur goditjet.
Megjithatë, vlerësimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e arsenalit mbetet e paprekur, pjesërisht për shkak të rrjetit të gjerë të tuneleve nëntokësore që e vështirëson identifikimin dhe shkatërrimin e tyre.
Ndërkohë, SHBA ka rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe po shqyrton opsione të tjera operacionale, përfshirë një ndërhyrje tokësore në zonën e ishullit Kharg, me synim sigurimin e qarkullimit në ngushticën e Hormuzit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka theksuar se operacionet do të vazhdojnë, duke pranuar sfidat që paraqet infrastruktura nëntokësore e Iranit.
Ndërsa numri i sulmeve ka rënë, raketat iraniane vazhdojnë të depërtojnë mbrojtjen ajrore dhe të godasin objektiva në Izrael dhe në rajonin e Gjirit, duke treguar se kapacitetet ushtarake të Teheranit mbeten ende operative. /Pamfleti
Lini një Përgjigje