Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet t'i nënshtrohet testeve mjekësore të premten (30/5) , njoftoi zyra e tij.
Sipas zyrës së Netanyahut, kabineti pritet të emërojë Ministrin e Drejtësisë Yariv Levin si zëvendëskryeministër gjatë shqyrtimit.
Kujtohet se, në janar, 76-vjeçari iu nënshtrua një operacioni në prostatë.
Ndërkohë në terren, Benjamin Netanyahu tha se e ka pranuar propozimin e të dërguarit të SHBA-së në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për një armëpushim në Gaza dhe shkëmbim të të burgosurve.
“Izraeli pranon planin e ri të Witkoff”, raportohet se tha Netanyahu gjatë një takimi me familjet e pengjeve që mbahen nga Hamasi, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij dhe të marrë nga mediat izraelite.
Zyrtarët e Hamasit i dhanë draftit të miratuar nga Izraeli një përgjigje të ftohtë, por thanë se donin ta studionin propozimin më nga afër përpara se të jepnin një përgjigje zyrtare.
Bassem Naim, një zyrtar i lartë i Hamasit, tha se “nuk i përgjigjet asnjë kërkese të popullit tonë, ndër të cilat më e rëndësishmja është ndalimi i luftës dhe urisë”.
Megjithatë, ai tha se grupi do ta studionte propozimin “me gjithë përgjegjësinë kombëtare”.
Kjo vjen pasi Witkoff tha më parë këtë javë se ishte optimist për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund më shumë se 19 muajve të luftës Izrael-Hamas në Gaza dhe për të siguruar lirimin e pengjeve që mbahen në Rrip nga grupi militant.
Lini një Përgjigje