Ndërsa thuhet shpesh se sanksionet synojnë ngadalësimin e makinerisë ruse të luftës dhe jo ndalimin e saj të plotë, ajo makineri lufte jo vetëm që po punon me shpejtësi, por po përparon akoma më tej në territorin ukrainas...
Javën e ardhshme, Ukraina do t’i kërkojë BE-së që të vendosë sanksione të reja të ashpra kundër Rusisë. Pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të hënën se nuk do të vendoste sanksione të reja ndaj Moskës nga frika se do të rrezikonte progresin e bisedimeve drejt një armëpushimi, Kievi mendon se shpresat e tij më e mira për të ruajtur presionin ekonomik mbi Kremlinin qëndrojnë tek Evropa.
Megjithatë, edhe ajo ka të ngjarë të shuhet. Së pari, sepse ambiciet e Ukrainës janë dukshëm më të larta se sa çdo gjë që Evropa do të jetë realisht e gatshme të bëjë.
Një draft ukrainas që do t’i paraqitet BE-së, bën thirrje për veprime agresive, duke përfshirë “futjen e sanksioneve dytësore ndaj blerësve të naftës ruse”.
Në atë listë, ka të ngjarë të jetë përfshirë India dhe Kina, një veprim të cilin Evropa ka qenë dhe mbetet e ngurruese për ta ndërmarrë, nga frika e dëmtimit të marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike me ato superfuqi në zhvillim.
Edhe nëse Kievi do të mundë ta bindë Evropën që të vendosë sanksione të reja, ta detyrosh kontinentin që të ndryshojë sjelljen e vet është një çështje krejt tjetër. Ministri i Jashtëm lituanez, Kestutis Budrys, deklaroi këtë javë se BE-ja mund të përshkallëzojë përpjekjet për të goditur eksportet energjitike të Moskës, duke shtuar: “Ne duhet të pakësojmë të ardhurat kryesore në buxhetin e Rusisë, dhe të ardhurat kryesore në makinerinë e saj të luftës. Këto janë eksportet e gazit, naftës, LNG-së (gazit natyror të lëngshëm). Ne duhet t’i ndalim ato!”.
Megjithatë, Spanja, Holanda dhe Belgjika, po importojnë më shumë LNG sesa një vit më parë. Në vitin e tretë të luftës, kontinenti shpenzoi më shumë për blerjen e lëndëve djegëse fosile ruse sesa për ndihmën financiare për Ukrainën, dhe arriti një ulje prej vetëm 1 për qind në vëllim nga viti në vit.
Përveç kësaj, ekziston edhe problemi i tërheqjes së SHBA-së. Çdo masë e zbatuar pa pjesëmarrjen e SHBA-së do të ishte e pafuqishme. Sanksionet dytësore kundër Indisë ose Kinës, do të kishin nevojë për kërcënimin e zbatimit të tyre nga ana e Amerikës për t’i larguar vërtet këto vende nga furnizimet ruse.
Po ashtu, BE-ja ka diskutuar uljen e çmimit të naftës për naftën ruse, megjithatë që ai të zbatohej në nivel global do të ishte i nevojshëm bashkëpunimi i SHBA-së. Duke lënë mënjanë çështjet teknike, është e kuptueshme që përballë lëkundjes amerikane në lidhje me sanksionet, ukrainasit do të punonin më intensivisht me aleatët që kanë.
Megjithatë, kjo strategji i sjell më shumë dobi Vladimir Putinit sesa Kievit, duke krijuar një proces me dy drejtime që e zgjeron hendekun midis SHBA-së dhe Evropës në lidhje me Ukrainën, dhe nga ana tjetër e dobëson unitetin e NATO-s.
Një lëvizje tjetër e preferuar nga Ukraina, është që BE-ja të përdorë më shumë vendimmarrjet me shumicë të thjeshtë në lidhje me sanksionet, për të parandaluar pengesat nga anëtarët individualë, një veprim i drejtuar qartazi ndaj kryeministrit hungarez dhe bllokuesit të përhershëm Viktor Orbán.
Ndërsa një veprim i tillë, mund të përshpejtojë proceset e brendshme të BE-së, në të njëjtën kohe ai mund të rrisë edhe tensionet e brendshme. Në themel të gjithë kësaj, qëndron e vërteta e pakëndshme se deri tani Rusia i ka mbijetuar 17 paketave të sanksioneve të BE-së.
Ndërsa thuhet shpesh se sanksionet synojnë ngadalësimin e makinerisë ruse të luftës dhe jo ndalimin e saj të plotë, ajo makineri lufte jo vetëm që po punon me shpejtësi, por po përparon akoma më tej në territorin ukrainas.
Në janar të këtij viti, ish-zyrtarja e Bankës Qendrore Ruse, Alexandra Prokopenko, parashikoi se ekonomia ruse do të shmangte çdo krizë për të paktën edhe një vit tjetër, duke vënë në dukje se Putin nuk ishte ende “i dëshpëruar”.
Në këto kushte, çfarë mund të bëjë Ukraina për të vazhduar presionin mbi Rusinë? Ajo duhet të përqendrohet tek mbështetja ndaj senatorit amerikan Lindsey Graham, i cili aktualisht po përpiqet të miratojë një projektligj që kërkon vendosjen nga SHBA-ja të masave ndëshkuese më të ashpra ndaj Moskës.
Dhe duke pasur parasysh peshën e SHBA-së brenda sistemit ekonomik global, ajo duhet të përqendrohet edhe në garantimin e mbështetjes së Donald Trump. Sepse alternativa - kthimi i vëmendjes së saj ndaj një Evrope të vogël dhe të përçarë - do të çojë në penalizimin e Ukrainës, dhe jo të Rusisë./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Unherd”
Lini një Përgjigje