TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Mars 2026, 17:38

Sa do të zgjasë lufta me Iranin? Ministri i Jashtëm izraelit: Do të koordinohemi me SHBA-në

Shkruar nga Pamfleti

Sa do të zgjasë lufta me Iranin? Ministri i Jashtëm izraelit: Do

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar deklaroi se vendi nuk synon një luftë të pafundme me Iranin dhe çdo vendim për përfundimin e luftimeve do të merret në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Ai shmangi përcaktimin e një afati të qartë për mbylljen e konfliktit.

Gjatë një konference në Jerusalem së bashku me homologun e tij gjerman, Saar theksoi se operacionet ushtarake do të vazhdojnë për aq kohë sa Izraeli dhe aleatët e tij ta konsiderojnë të nevojshme.

“Ne do të vazhdojmë deri në momentin që ne dhe partnerët tanë të vlerësojmë se është koha për të ndalur. Nuk po kërkojmë një luftë të pafundme”, deklaroi ai.

Konflikti mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që ka hyrë në ditën e 11-të, ka përshkallëzuar tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme. Sulmet iraniane kanë goditur disa vende të rajonit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë operacione kundër Hezbollahut në Liban dhe objektivave brenda Iranit.

Saar theksoi se objektivi i Izraelit është eliminimi i kërcënimeve që Irani paraqet ndaj sigurisë së shtetit hebre, veçanërisht në lidhje me programin bërthamor dhe atë të raketave balistike.

Ai e përshkroi gjithashtu Mojtaba Khamanein, udhëheqësin suprem të sapoemëruar të Iranit dhe djalin e Ajatollah Ali Khameneit, si një figurë ekstremiste. Sipas autoriteteve izraelite, Khamenei u vra nga ushtria izraelite në ditën e parë të luftës.

Sipas Saar, operacionet ushtarake synojnë gjithashtu krijimin e kushteve që populli iranian të mund të “rifitojë lirinë e tij”, edhe pse ai pranoi se një ndryshim i tillë mund të mos ndodhë gjatë luftës, por në një fazë të mëvonshme.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, i cili është zyrtari i parë i lartë i huaj që viziton publikisht Izraelin që nga nisja e konfliktit, tha se Evropa është gjithnjë e më e shqetësuar për përshkallëzimin e luftës.

Sipas tij, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për një zgjidhje diplomatike, por një marrëveshje e tillë do të kërkonte që Irani të pranojë kufizime për programin bërthamor, raketat balistike dhe mbështetjen për milicitë rajonale, kushte që Teherani deri tani nuk ka treguar gatishmëri t’i pranojë.

izrael ministri i jashtem irani lufte

Lini një Përgjigje