
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se vendimi i Bashkimit Evropian për të ulur rolin e energjisë bërthamore në prodhimin e energjisë elektrike ka qenë një gabim strategjik, duke theksuar se blloku mbetet i varur nga importet e naftës dhe gazit.
Gjatë fjalës së saj në Samitin e Energjisë Bërthamore në Paris, von der Leyen theksoi se energjia me çmime të përballueshme është thelbësore si për qytetarët, ashtu edhe për konkurrueshmërinë e industrisë evropiane.
Ajo paralajmëroi se industria e së ardhmes do të mbështetet gjithnjë e më shumë te energjia elektrike, sidomos me zhvillimin e teknologjive të reja si robotika dhe inteligjenca artificiale, të cilat kërkojnë sasi të mëdha energjie.
“Robotika dhe inteligjenca artificiale do të nxisin valën e ardhshme të inovacionit dhe produktivitetit në të gjithë sektorët industrialë. Të dyja kërkojnë një bollëk energjie elektrike me çmime të përballueshme”, u shpreh ajo.
Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian ndodhet në një pozicion të pafavorshëm strukturor, pasi për lëndët djegëse fosile është pothuajse tërësisht i varur nga importet, të cilat shpesh janë të shtrenjta dhe të paqëndrueshme.
Sipas saj, krizat gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme, tregojnë qartë cenueshmërinë e BE-së në furnizimin me energji.
Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi se blloku ka burime të konsiderueshme të energjisë me karbon të ulët, si energjia bërthamore dhe ajo e rinovueshme, të cilat mund të garantojnë njëkohësisht pavarësinë energjetike, sigurinë e furnizimit dhe konkurrueshmërinë ekonomike.
Ajo theksoi se BE-ja ka bërë përparime të mëdha në zhvillimin e energjisë së rinovueshme gjatë dekadës së fundit, por situata me energjinë bërthamore ka ndjekur një drejtim tjetër.
Sipas saj, në vitet ’90 rreth një e treta e energjisë elektrike në BE prodhohej nga centralet bërthamore, ndërsa sot kjo shifër ka rënë në rreth 15 për qind.
Lini një Përgjigje