TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Dhjetor 2025, 19:55

“Rindërtimi i Gazës nis shumë shpejt”, Trump pret Netanyahu-n dhe kërcënon Iranin: Do t’i shkatërrojmë nëse riarmatosen

Shkruar nga Pamfleti
“Rindërtimi i Gazës nis shumë shpejt”, Trump pret
Trump-Netanyahu

Presidenti amerikan Donald Trump sapo ka pritur në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Para takimit, dy liderët kanë dhënë deklarata publike para mediave, duke përcjellë tonet kryesore të bisedimeve që do të pasojnë.

Trump u ndal në mënyrë të drejtpërdrejtë te kërcënimi iranian, duke theksuar se çdo përpjekje e Teheranit për t’u riarmatosur do të përballet me reagim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara. “Nëse Irani po përpiqet të ndërtojë sërish fuqinë e tij ushtarake, ne do ta rrëzojmë. Do t’i rrëzojmë, do t’i godasim fort,” tha ai para gazetarëve, duke shtuar më pas se ka dëgjuar për mundësinë që Irani të kërkojë marrëveshje dhe se kjo do të ishte “një zgjedhje më e mençur”. Megjithatë, ai paralajmëroi se “ndonjëherë marrëveshjet nuk ndodhin”.

Një tjetër temë e ndjeshme që u prek para takimit ishte rasti i fundit të pengjeve izraelite të mbetura në Gaza. Trump foli me tone personale për Ran Gvili, të riun izraelit ende i zhdukur, dhe për familjen e tij që ndodhet aktualisht në Florida. “Kemi një djalosh të mrekullueshëm. Prindërit e tij janë këtu, një familje e jashtëzakonshme. Po bëjmë gjithçka për ta kthyer trupin e tij,” deklaroi Trump.

Në lidhje me situatën në Gaza, Trump tha se rindërtimi do të nisë shumë shpejt dhe e përshkroi territorin si një “lagje e vështirë”, duke shtuar se janë ndërmarrë tashmë disa hapa fillestarë për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe infrastrukturës.

Nga ana e tij, Netanyahu, përpara nisjes së bisedimeve, e vlerësoi marrëdhënien me Trump si më të afërtën dhe më të qëndrueshmen që Izraeli ka pasur me ndonjë president amerikan. “Izraeli nuk ka pasur kurrë një mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk është as afër me të tjerët,” tha Netanyahu, duke shtuar se kjo marrëdhënie e fortë nuk matet vetëm me numrin e takimeve, por me përmbajtjen dhe intensitetin e bashkëpunimit.

trump-netanyahu gaza izrael shba

Lini një Përgjigje