Presidentit sirian Bashar al-Assad është larguar nga Siria.
Ministria e Jashtme ruse thotë se Bashar al-Assad është larguar nga detyra dhe është larguar nga vendi, pasi ka dhënë urdhër që kalimi i pushtetit të bëhet në mënyrë paqësore.
Në një deklaratë, Ministria nuk tha se ku ishte tani Assad dhe tha se Rusia nuk ka marrë pjesë në bisedimet rreth largimit të tij.
Në deklaratë shkruhet se bazat ushtarake të Rusisë në Siri ishin vënë në gjendje gatishmërie të lartë, por se nuk kishte asnjë kërcënim serioz për to për momentin.
Edhe familja e presidentit dyshohet se është larguar nga vendi pak ditë pasi rebelët morën Alepon dhe nisën marshimin e tyre drejt Damaskut.
Lajmi raportohet nga gazeta Wall Street Journal, e cili shkruan se gruaja me origjinë britanike e presidentit Asma al-Assad së bashku me tre fëmijët e tyre janë larguar nga Siria në Rusi javën e kaluar.
Në të njëjtën kohë, dy nga dhëndërit e Asadit thuhet se janë zhvendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjithashtu Kombet e Bashkuara kanë nisur evakuimet urgjente nga kryeqyteti sirian Damasku, i cili po përballet me kërcënimin e një rrethimi nga rebelët.
Këta të fundit thanë të shtunën se morën kontrollin e qytetit jugor Daraa, pasi më parë ushtria e Asadit ra dakord për një tërheqje të rregullt nga qyteti.
Videot në rrjetet sociale treguan rebelët me motoçikleta dhe persona të tjerë që festonin duke qëlluar në ajër në shesin kryesor të qytetit ku rrëzuan një tjetër statujë të babait të presidentit sirian Bashar al-Assad, Hafez al-Assad.
Turqia, Rusia dhe Irani do të përpiqen të gjejnë një rrugëdalje për situatën në Siri, teksa ministrat e tyre të jashtëm do të takohen sot në Doha.
Lini një Përgjigje