TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Maj 2024, 10:36

Ramzan Kadyrov, aleati i ngushtë i Putinit në pragvdekje; Rusia drejt luftës së tretë me Çeçeninë

Shkruar nga Andrew C. Kuchins

Ramzan Kadyrov, aleati i ngushtë i Putinit në pragvdekje; Rusia drejt

Sulmi i sponsorizuar nga ISIS-K, dhe i kryer nga punëtorët emigrantë taxhikë në Crocus Hall në Moskë, që shkaktoi më shumë se 140 të vdekur, shënoi fundin e një qetësie 6- vjeçare të sulmeve terroriste islamike në Rusi...

Ramzan Kadyrov, udhëheqës i Çeçenisë që nga viti 2007, është diagnostikuar me nekrozë pankreatike që në vitin 2019. Javën e kaluar u raportua se shëndeti i tij është përkeqësuar shumë dhe se ai është në “gjendje kritike”, duke pasur ndoshta edhe vetëm pak muajt jetë.

“Novaya Gazeta Evropa” raportoi mbi këtë çështje bazuar tek hulumtimet që datojnë që nga vitit 2019, duke përfshirë raportet mbi mungesën e Kadyrov në shumë dalje publike të rëndësishme, përfshirë Kongresin e Partisë Rusia e Bashkuar të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar.

Dhe kur u shfaq në foto gjatë një takimi me Vladimir Putin shtatorin e vitit të shkuar, fytyra e liderit çeçen dukej tejet e fryrë. Një video propagandistike e Kadyrov në palestër u publikua enkas këtë javë për të promovuar imazhin e një udhëheqësi në formë.

Por as kjo video nuk ishte shumë bindëse. Sepse Karydov shihet duke ngritur maksimumi 50 për qind të peshës normale për moshën e tij. Pra shumë më pak sesa mund të ngre unë, një burrë 65- vjeçar që do t’i zëvendësohet kofsha muajin tjetër.

Çeçenia ka qenë shumë e qëndrueshme që kur Ramzan mori detyrën e presidentit që kur ishte vetëm 30-vjeç, 3 vjet pasi babai i tij Akhmat, gjithashtu president i vendit, vdiq në një atentat me bombë në festën e Ditës së Fitores në maj 2004.

Teksa në publik marrëdhënia midis Putin dhe Kadyrov duket si babë e bir, ajo është në fakt një marrdhënie faustiane. Kadyrov merr subvencione të mëdha nga Moska për t’i shpërndarë siç e sheh të arsyeshme, në këmbim kontrollit më të lehtë të republikës historikisht problematike.

Kështu Putin ka siguruar një Çeçeni të qëndrueshme, ndërsa Kadyrov e ka ndihmuar në luftën që ka nisur në Ukrainë, duke dërguar më shumë se 20.000 ushtarë çeçenë, dhe duke kryer në emër të tij vrasje politike të herëpashershme. Duket se Kadyrov do të dëshironte të ruante një dinasti familjare (ai ka të paktën 14 fëmijë të njohur ligjërisht).

Kohët e fundit ka promovuar djalin e tij 18-vjeçar, Akhmat, duke e emëruar Ministër të Sportit dhe Rinisë, ndërsa Adamin 16-vjeçar e ka vendosur në postin e menaxherit special të Universitetit të Forcave në kryeqytetin çeçen, Grozny.

Adami ka ngjashmërinë më të madhe me të atin, dhe duket se ka trashëguar natyrën sadiste dhe të dhunshme të tij. Në shtatorin e vitit 2023, Ramzan publikoi një video të Adamit, asokohe 15-vjeç, duke rrahur një ukrainas në ambjentet e paraburgimit, të akuzuar për djegien e Kuranit.

Megjithatë, meqë kushtetuta e Çeçenisë parashikon që presidenti të jetë të paktën 30-vjeç, duket e pamundur që Ramzan Kadyrov të arrijë të krijojë një trashëgimi dinastike, të paktën në një periudhë afatshkurtër. Nuk ka asnjë diskutim se Kremlini do të kërkojë një vazhdimësi paqësore të pushtetit.

Mbështetja e vazhdueshme e Ramzan Kadyrov për Putinin, ka qenë me shumë vlerë për presidentin rus, edhe pse ka nxitur kritikat e disave në agjencitë rusë të inteligjencës dhe sigurisë, të cilët e shohin Kadyrovin si një regenat të rrezikshëm me ambiciet e tij rajonale në Kaukazin e Veriut.

Por ankesat historike të çeçenëve kundër Rusisë janë të vjetra. Çeçenët kanë luftuar për dekada për pavarësi kundër carëve në shekullin XIX, kanë vuajtur nga dëbimet masiv i Stalinit nga atdheu i tyre, si dhe kanë luftuar kundër sundimit të Moskës në dy luftëra të afërta në kohë, në vitet 1990 dhe 2000.

Çeçenia është në përgjithësi një vend i paqëndrueshëm, dhe me një popullsi të armatosur mirë. Sulmi i sponsorizuar nga ISIS-K, dhe i kryer nga punëtorët emigrantë taxhikë në Crocus Hall në Moskë, që shkaktoi më shumë se 140 të vdekur, shënoi fundin e një qetësie 6- vjeçare të sulmeve terroriste islamike në Rusi.

Për më shumë se 20 vite deri në vitin 2018, katalizatori i thuajse të gjitha sulmeve terroriste në Rusi vinte nga grupet çeçene dhe të tjera nga Kaukazi i Veriut. Gjatë viteve 2012-2013, shumica e luftëtarëve në Kaukazin e Veriut i patën kushtet shumë të vështira për të luftuar në shtëpi.

Në këto kushte ata u zhvendosën për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri dhe Irak, ku deri në vitin 2018 shumica e tyre ishin vrarë. Megjithatë lidhjet e grupit global xhihadist me Kaukazin e Veriut, datojnë që nga vitet 1990, ndërsa ekzistojnë ende lidhjet me ISIS-in.

Çeçenia ishte de fakto e pavarur në fund të viteve 1990 si Republika Islamike e Ishkerisë, dhe shërbeu si një qendër kriminale e trafikimit të të gjitha llojeve të mallrave të paligjshme.

Kur udhëheqësi legjendar çeçen dhe autori i sulmeve më të mëdha terroriste në Rusi, Shamil Basaev, i udhëhoqi trupat çeçene përtej kufirit në Dagestan në gusht 1999, nisi Lufta e dytë Çeçene, e cila e katapultoi në krye të sondazheve kryeministrin e ri Vladimir Putin.

Putin e kupton vlerën shumë të madhe të një Çeçenie të nënshtruar në kuadër të Federatës Ruse. Marrëdhënia e tij simbiotike me Ramzan Kadyrov-in, i ka shërbyer shumë mirë interesave të secilit prej dy liderëve, Por nuk ka ardhur pa kosto. Kadyrov dhe legjionet e tij të frikshme, Kadyrovtsy, kanë krijuar shumë kundërshtarë të mundshëm të stabilitetit në Çeçeni dhe në përgjithësi në Rusi.

Numri i madh i viktimave çeçene në fushën e betejës në Ukrainë, e shton pakënaqësinë që ekziston tashmë në këtë republikë me Moskën. Dhe nuk është e vështirë të imagjinohet që ISIS dhe grupet e tjera xhihadiste mund ta shohin sërish Çeçeninë dhe Kaukazin e Veriut si një objektiv tërheqës për të nxitur kaos.

Shqetësimi i Putinit për këtë skenar, mund të jetë një faktor në mbështetjen e tij publike për palestinezët në luftën në Gaza. Teksa forcat ruse të inteligjencës dhe ato sigurisë janë të mbingarkuara nga lufta në Ukrainë dhe shtypja e opozitës së brendshme, e ardhmja e afërt do të ishte një periudhë veçanërisht e papërshtatshme për trazira në Çeçeni./Përshtati Pamfleti nga “National Interest”

Shënim: Andrew Kuchins, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Xhons Hopkins në Uashington.

andrew c. kuchins putini ramzan kadyrov çeçenia

Lini një Përgjigje