
Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha se Shqipëria është vend mik aleat në NATO, por edhe një vend që së shpejti do të jetë pjesë e BE-së.
Lidhur me paktin Rama-Meloni, ai shtoi se synojmë një betejë të përbashkët kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Gjatë manifestimit për kremtimin e 100-vjetorit të vdekjes së intelektualit Anselmo Lorecchio, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Tajani theksoi se marrëveshja që parashikon krijimin e qendrave për emigrantët në Shqipëri është një projekt shumë i rëndësishëm.
“Ka një dekret të fluksit që parashikon rreth gjysmë milioni emigrantësh të rregullt, por ne duhet të luftojmë trafikantët e qenieve njerëzore që shfrytëzojnë njerëzit duke thënë se në Evropë ata do të gjejnë parajsën në tokë kur nuk është kështu.
Ne synojmë të luftojmë në këtë betejë të përbashkët sepse trafikantët e qenieve njerëzore, trafikantët e drogës, trafikantët e armëve dhe ata që trafikonin edhe cigare janë gjithmonë të njëjtët. Organizata kriminale që duhen luftuar dhe mposhtur me bashkëpunim ndërkombëtar. Bashkëpunimi Shqipëri-Itali shkon pikërisht në këtë drejtim”, tha Tajani gjatë fjalës së tij.
Lini një Përgjigje