TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Tetor 2024, 22:36

Qeveritë perëndimore në alarm, si po e përdor Kina spiunazhin për të zgjeruar ndikimin e saj nëpër botë

Shkruar nga Max Colchester & Daniel Michaels

Qeveritë perëndimore në alarm, si po e përdor Kina

Të paafta për të kontrolluar aktivitetin e Pekinit, agjencitë perëndimore të spiunazhit po ngrenë alarmin publikisht, duke iu kërkuar bizneseve dhe individëve që të jenë akoma më vigjilente në ndërveprimet e tyre me Kinën.

Pekini po kryen aktivitete spiunazhi në një shkallë të tillë, për të cilën qeveritë perëndimore thonë se është e paprecedentë, duke mobilizuar agjencitë e sigurisë, kompanitë private dhe civilët në përpjekjen për të dëmtuar shtetet rivale dhe forcuar ekonominë kineze.

Rrallëherë mund të kalojë një javë, pa një paralajmërim nga një shërbim sekret perëndimor mbi kërcënimin që paraqet Kina. Vetëm muajin e kaluar, Byroja Federale e Hetimeve në SHBA, FBI, tha se një kompani e lidhur me shtetin kinez ka vjedhur të dhënat e 260.000 pajisjeve të lidhura me internetin, përfshirë kamera dhe ruterë, në SHBA, Britani, Francë, Rumani dhe gjetkë.

Një hetim i Kongresit Amerikan, zbuloi se vinçat kinezë të përdorur në portet detare të SHBA-së, përmbanin një teknologji që mund t’i lejojë Pekinit t’i kontrollojë fshehurazi rivalët. Qeveria e SHBA-së, pretendoi gjithashtu se një ish-ndihmëse e guvernatores së Nju Jorkut, Kathy Hochul, ishte një spiune e Kinës.

Zyrtarët amerikanë nisën javën e kaluar përpjekjet për të kuptuar pasojat e hakerimit të fundit nga ana e Kinës, që komprometoi sistemet që përdor qeveria federale për kërkesat e autorizuara nga gjykata për përgjimin e rrjetit.

Të paafta për të kontrolluar aktivitetin e Pekinit, agjencitë perëndimore të spiunazhit po ngrenë alarmin publikisht, duke iu kërkuar bizneseve dhe individëve që të jenë akoma më vigjilente në ndërveprimet e tyre me Kinën.

Por duke qenë se ky vend është i përfshirë tashmë shumë në ekonominë globale, kjo është një detyrë shumë e vështirë, thotë Calder Walton, ekspert i sigurisë kombëtare në Shkollën e Qeverisjes në Universitetin e Harvardit. Sipas tij, qeveritë perëndimore “po pajtohen me ngjarjet, dhe në shumë raste thjesht i ndjekin ngjarjet dhe nuk u paraprijnë atyre”.

Zyra për mediat e qeverisë kineze, si dhe Ministritë e Sigurisë së Shtetit, Sigurisë Publike dhe Mbrojtjes, nuk iu përgjigjën kërkesës së gazetës për një koment. Vetë Pekini i ka mohuar më herët akuzat për spiunazh ndaj vendeve perëndimore. Kina ankohet se është vetë objektiv i shpeshtë të sulmeve të huaja nga hakerët dhe shërbimet sekrete.

Që nga marrja e pushtetit në vitin 2012, udhëheqësi kinez Xi Jinping e ka vënë gjithnjë e më shumë theksin tek rëndësia që ka siguria kombëtare, duke i bërë thirrje zyrtarëve dhe qytetarëve të thjeshtë që të shmangin kërcënimet ndaj interesave të Kinës.

Rezultati është një përpjekje gjithëpërfshirëse për mbledhjen e informacioneve, me një shkallë dhe këmbëngulje që e tejkalon atë të spiunazhit të Rusisë gjatë Luftës së Ftohtë, dhe që ka tronditur shërbimet sekrete perëndimore. Sipas agjencive amerikane, hakerët e mbështetur nga Kina janë 50 herë më të shumtë në numër se i gjithë personeli kibernetik i FBI-së.

Një agjenci evropiane vlerëson se operacionet kineze të mbledhjes së inteligjencës dhe në fushën e sigurisë, mund të përfshijnë deri në 600.000 njerëz. “Programi kinez i hakerave, është më i madh se i çdo vendi tjetër të madh”, tha në fillim të këtij viti Christopher Wray. Po çfarë e vështirëson reagimin e Perëndimit?

Në dallim nga autokracitë si Irani apo Rusia, tregtia me Kinën e ka mbështetur për dekada rritjen ekonomike perëndimore, e cila nga ana tjetër mbështet sigurinë afatgjatë të Perëndimit. Prandaj shumica e vendeve nuk munden ta ndëshkojnë Kinën me sanksione dhe të dëbojnë diplomatët e saj.

“Kina është ndryshe nga vendet e tjera”- thotë Ken Mccallum, kreu i agjencisë së inteligjencës së brendshme të Britanisë së Madhe, MI5. Por aktiviteti dashakeq i Pekinit, rrezikon që të përshkallëzohet, teksa rritja ekonomike e Kinës po ngadalësohet nën udhëheqjen gjithnjë e më autoritare të Xi-së.

Shërbimet sekrete kineze, do të vihen nën një presion gjithnjë e më të madh për të grabitur të dhënat e inovacioneve të nevojshme teknologjike për ta forcuar ekonominë dhe për t’i mbyllur gojën kritikëve brenda dhe jashtë vendit, thonë zyrtarët. Gjithçka varet nga siguria e regjimit mendon Nigel Inkster, ish-drejtor i operacioneve në agjencinë britanike të inteligjencës së jashtme MI6.

Aktiviteti kinez varion nga aktet absurde deri tek ato shumë shqetësuese. Në shtator, prokurorët amerikanë pretenduan se 5 studentë të diplomuar në Universitetit Kinez të Miçiganit u kapën në mes të natës duke bërë foto vetëm disa metra larg automjeteve ushtarake, që gjendeshin aty për një stërvitje të Gardës Kombëtare të SHBA-së, e cila përfshinte edhe personelin ushtarak të Tajvanit.

Të rinjtë pretenduan se po vëzhgonin yjet. Në fillim të këtij viti, qeveria e Britanisë së Madhe tha se hakerat e lidhur me Kinën, kishin qasje në regjistrin e votuesve, ku përfshihen edhe adresat e shtëpive të rreth 40 milionë njerëzve.

Qeveria amerikane po heton aktualisht, nëse një grup hakerash i lidhur me shtetin kinez ka depërtuar në serverat e disa prej kompanive më të mëdha që ofrojnë shërbimin e internetit të shpejtë në SHBA, duke pasur mundësi të shtien në dorë edhe përgjimet e autoriteteve amerikane.

Ndërkohë zyrtarët e inteligjencës, janë të shqetësuar se Kina po vjedh një sërë të dhënash private për të trajnuar modele të avancuara të Inteligjencës Artificiale. Ndërsa Kina po bëhet më agresive ushtarakisht, përfshirë rritjen e mbështetjes për Rusinë në luftën e saj ndaj Ukrainës, veprimet e saj të fshehta paraqesin kërcënime më të mëdha.

Sipas zyrtarëve perëndimorë, Xi e ka urdhëruar ushtrinë e tij të jetë gati për ta pushtuar Tajvanin deri në vitin 2027, në 100-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Një luftë mbi Tajvanin, mund ta tërheqë Kinën në konflikt me SHBA-në, e cila pretendon ta mbrojë ishullin e vetëqeverisur.

FBI deklaroi në fillim të këtij viti, se Kina kishte hakeruar qindra rutera, dhe i kishte përdorur ato për të depërtuar në rrjetet amerikane të ujit dhe energjisë, duke ngritur shqetësimin për një sulm parandalues ​​ndaj infrastrukturës amerikane, nëse Uashingtoni do të ndërhyjë kundër një përpjekje kineze për të pushtuar Tajvanin.

Për më tepër, Kina nuk i zbaton rregullat e spiunazhit të shkollës së vjetër, thonë zyrtarët e inteligjencës. Ajo nuk e ka problem nëse kapet në flagrancë, dhe ndryshe nga Rusia bën rrallë përpjekje për të shkëmbyer spiunët e saj kur ata arrestohen. Një faktor tjetër që pengon një kundërpërgjigje të inteligjencës perëndimore, ka të bëjë me vështirësinë e spiunimit të vetë Kinës.

Kjo sepse operacionet e shërbimeve sekrete të Kinës janë të decentralizuara, duke u shtrirë tek një mori agjencish dhe kompanish të sektorit privat. Ato veprojnë kryesisht në mënyrë të pavarur, duke e bërë të vështirë për t’u depërtuar. Po ashtu, metodat e tyre duken si të rastësishme, me një përzierje të aktorëve privatë dhe shtetërorë.

Ndërkohë një dekadë më parë, Kina zbuloi spastroi një numër të lartë zyrtarësh që punonin si spiunë të SHBA-së. Në themel të aktivitetit të Kinës, është dëshira e Xi për ta konsoliduar kontrollin e tij mbi pushtetin. Ai ka përmendur rënien e papritur të Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, si një paralajmërim për atë që mund të ndodhë me sundimin komunist në Kinë nëse lehtësohet kontrolli ideologjik nga ana e regjimit.

Ndaj krijoi një komision të sigurisë kombëtare, i cili u mblodh për herë të parë në vitin 2014, për të centralizuar kontrollin mbi punën e organeve të sigurisë, dhe për të vendosur një përkufizim të gjerë të sigurisë kombëtare që përfshin dominimin politik të Partisë Komuniste, si dhe fuqinë ekonomike dhe mjaftueshmërinë ushqimore të Kinës.

Pjesa më e madhe e veprimtarisë së mbledhjes së informacionit të Kinës nuk është e paligjshme. Shumica e studiuesve dhe bizneseve të Kinës, nuk janë të përfshirë në spiunazh dhe shumë prej tyre vlerësohen se kanë kontribuar në përparime të rëndësishme në inovacione, nga të cilat përfitojnë ekonomitë perëndimore. 

Por zyrtarët evropianë të sigurisë thonë se studentët kinezë dhe shkencëtarët e ftuar, janë bërë një bazë kryesore e spiunazhit kinez në Perëndim. Kohët e fundit, spiunët e maskuar si studiues janë bërë më të aftë në fshehjen e gjurmëve të tyre. Një shembull i tillë, janë studentët që fillimisht regjistrohen në kurse të gjuhës ose letërsisë, dhe më pas kalojnë në degët e informatikës kuantike apo fusha të tjera të ndjeshme.

Sipas MI5, më shumë se 20.000 njerëz vetëm në Mbretërinë e Bashkuar janë kontaktuar nga agjentë kinezë përmes platformës LinkedIn që nga viti 2022, në përpjekje për t’i detyruar ata të dorëzojnë informacione të ndjeshme./Përshtati "Pamfleti", nga “Wall Street Journal”.

Lini një Përgjigje