
Tetë vjet më vonë, pak gjëra kanë ndryshuar, përveç rastit të Britanisë, ku që nga viti 2018 më shumë se 135.000 emigrantë kanë kaluar ilegalisht Kanalin me varka të vogla.
Në të njëjtën javë, kur mbi 1000 emigrantë zbarkuan në Angli, kreu i shërbimit sekret britanik, MI5, e pranoi se agjencia e tij kishte në dorë “një punë shumë të rëndësishme”. Ken Mccallum tha se ndërsa ekziston një kërcënim nga Rusia, Kina dhe Irani, ajo që e shqetëson më shumë është terrorizmi islamik.
Në veçanti, grupime si Al-Kaida dhe Shteti Islamik dhe dega e tyre afgane, Shteti Islamik i Provincës Khorasan (ISKP), anëtarët e të cilit masakruan 137 rusë në një sallë koncertesh në periferi të Moskës në fillim të këtij viti. Analiza e Mccallum është gati identike me atë të Céline Berthon, drejtoreshës së përgjithshme të DGSI, ekuivalenti francez i MI5-ës.
Edhe ajo përmendi emrat e dy grupeve terroriste islamike në një intervistë dhënë për mediat muajin e kaluar, duke paralajmëruar se këtë vit ka vënë re një “ringjallje shumë të fortë të këtij kërcënimi”. Shefi i MI5-ës i bëri komentet e tij vetëm 3 ditë pasi 973 emigrantë kishin mbërritur në Kent me 17 varka të vogla.
Ky ishte që nga fillimi i këtij viti numri më i lartë ditor i zbarkimeve, duke e çuar totalin e ardhjeve në 26.612 që nga fillimi i vitit. 140 emigrantë të tjerë mbërritën në Angli të shtunën e fundit, ndërsa 128 të tjerë u shpëtuan nga roja bregdetare franceze po atë ditë, pasi u gjendën në vështirësi gjatë udhëtimit përmes Kanalit.
Sipas të dhënave të qeverisë në vetëm 6 muajt e parë të vitit 2024, mbi 5.300 emigrantë që e kanë kaluar Kanalin janë afganë, numri më i madh nga çdo vend, të ndjekur nga iranianët (3.844) dhe vietnamezët (3.031).
Po atë ditë që Mccallum bëri deklaratën e tij nga qendra e operacioneve kundër terrorizmit në Londër, policia franceze, e ndihmuar edhe nga DGSI, arrestoi një afgan 22-vjeçar në qytetin Toulouse. Të shtunën, ai u njoh zyrtarisht me akuzën e planifikimi të një sulmi terrorist në një stadium futbolli apo një qendër tregtare.
Afgani jeton prej 3 vitesh në Francë dhe përshkruhet si një ndjekës i Shtetit Islamik. Mediat franceze raportojnë mbi një ‘lidhje’ mes afganit të arrestuar në Francë, dhe një 27-vjeçari të së njëjtës kombësi, i cili u akuzua javën e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së për planifikimin e një sulmi në Amerikë ditën e zgjedhjeve presidenciale, pra më 5 nëntor. Nasir Ahmad Tawhedi mbërriti në Shtetet e Bashkuara në shtatorin e vitit 2021, bashkë me gruan dhe fëmijën e tij, dhe po priste shqyrtimin e kërkesës për azil. CNN raporton se Tawhedi kishte dhuruar para për bamirësi për një organizatë me lidhje me Shtetin Islamik, ndërsa në telefon iu gjetën materiale propagandistike të ISIS.
Përveç kësaj, policia zbuloi edhe një video, në të cilën Tawhedi i tregonte fëmijës së tij “mbi shpërblimet që merr një shehid (martir) në botën e përtejme”. Është një paradoks i madh që teksa shërbimet sekrete të Britanisë, Francës dhe Amerikës punojnë pa ndërprerje për të parandaluar sulmet terroriste islamike, qeveritë e tyre vazhdojnë të kenë një politikë kaotike mbi migracionin.
Midis të dyjave dukurive ekziston një lidhje e qartë. Në një raport të botuar në prillin e vitit 2016, agjencia evropiane e kontrollit të kufijve, Frontex, deklaroi: ”Sulmet terroriste të Parisit në nëntor 2015, në të cilat një celulë terroriste e ISIS vrau 130 njerëz, treguan qartë se flukset e parregullta migratore, mund të përdoren nga terroristët për të hyrë në BE. Dy nga terroristët e përfshirë në sulme, kishin hyrë më parë në mënyrë të parregullt përmes Lerosit, dhe ishin regjistruar nga autoritetet greke”.
Raporti e vuri theksin tek e meta kryesore e politikën kufitare të BE-së: ”Blloku nuk ka një sistem që mund të gjurmojë lëvizjet e njerëzve pas kalimit të paligjshëm të kufirit. Prandaj nuk është e mundur të përcaktohet numri i saktë i personave që kanë kaluar ilegalisht”.
Tetë vjet më vonë, pak gjëra kanë ndryshuar, përveç rastit të Britanisë, ku që nga viti 2018 më shumë se 135.000 emigrantë kanë kaluar ilegalisht Kanalin me varka të vogla. Shumë prej tyre vijnë në Angli pa pasaportë apo ndonjë dokumentacion tjetër të besueshëm.
Shumë të tjerë po qëndrojnë në bregdetin francez, duke pritur radhën për të kaluar në Angli. Shifrat janë aq të larta, sa që javën e kaluar kryebashkiakët e 15 komunave në rajonin francez Calais i kërkuan qeverisë qendrore që të marrë masa emergjente.
Kryebashkiaku i Grand-Fort-Philippe, midis Dunkirk dhe Calais, u shpreh për gazetarët: ”Situata është në prag të shpërthimit. Ne nuk mund ta durojmë më, dhe si kryetarë bashkie na duhen më shumë se sa vetëm fjalët e mira... Qytetarët tanë i kanë sytë tek ne, ata kërkojnë një përgjigje të qëndrueshme dhe të përshtatshme për këtë gjendje”.
E njëjta gjë është e vërtetë për shumë komunitete lokale në Britani, të cilët për vite me radhë, janë mashtruar me fjalët e mira të qeverive për forcimin e kufijve. Por në fakt nuk është bërë asgjë dhe 100 ditë pas formimit të qeverisë së Keir Starmer, qëndrimi i Laburistëve ndaj krizës së emigrantëve duket më shumë mohues i realitetit.
Ndërkohë, askush e di se kush po hyn nëpër kufijtë e përshkueshëm të Evropës. Në qershor të vitit 2023, kreu i Qendrës për Reflektim mbi Sigurinë Kombëtare në Francë, Thibault de Montbrial, paralajmëroi se Shteti Islamik “ka filluar tashmë ri-futjen e njësive komando aktive në Evropë”.
Policia franceze tha se arriti të parandalojë tre sulme terroriste gjatë Lojërave Olimpike verore. Ndërkohë në Gjermani, 3 qytetarë u goditën për vdekje me thikë në gusht në një qytet të vogël nga një burrë që thuhet se vepronte në emër të Shtetit Islamik. Shërbimet sekrete po bëjnë çmos që të pengojnë islamikët radikalë, por ky duket si një mision i pamundur./ Përshtati "Pamfleti", nga “The Spectator”.
Lini një Përgjigje