
Fletëpalosjet përmbajnë foto të ‘Marshalit të nderuar’ që mban një orë luksoze në kyçin e dorës. E ekspozuar ndaj pakënaqësisë së popullit të Koresë së Veriut është edhe vajza e Kim-it, e cila vesh një xhaketë lëkure nga Dior...
Dy rrugët që lidhnin Veriun dhe Jugun në gadishullin Korean u hodhën në erë në paralelen e 38-të.
Xhenierët e ushtrisë në Korenë e Veriut shpërthyen minat në zbatim të planit të Kim Jong-un, i cili ndaloi çdo kontakt me Jugun. Shpërthimet ndodhën në anën veriore, por artileria jugore u përgjigj me disa të shtëna paralajmëruese.
Shkatërrimi i seksioneve kufitare të dy "rrugëve ndër-koreane" një akt simbolik, pasi prej vitesh askush nuk ka mundur të udhëtojë në to , sepse Kim Jong-un pas sezonit të shkurtër të dialogut në 2018, kur dërgoi motrën e tij në një mision diplomatik në Seul dhe u takua me presidentin amerikan Donald Trump tre herë, i dha fund dialogut dhe çdo hipoteze të kontaktit midis Veriut dhe Jugut. Në vizionin e tij të ri, Jugu është "armiku numër një ".
Sipas disa ekspertëve të çështjeve koreane, Kim mund ta ketë konceptuar veprimin si një sinjal për Shtetet e Bashkuara: ai do të synonte të margjinalizonte Korenë e Jugut në rast të një negociate të re ndërkombëtare për fuqinë bërthamore dhe lë të kuptohet se ai ndoshta do të ishte i gatshëm të diskutonte drejtpërdrejt vetëm me presidentin e ardhshëm amerikan. Strategjia e vjetër, të cilën Joe Biden e ka përjashtuar me vendosmëri, por mund të funksionojë me Trump. Por pas tensioneve ka edhe diçka tjetër.

Veprimi vjen në një kohë kur, nga Jugu janë lëshuar fletëpalosje në Veri, duke treguar jetën luksoze te liderit Kim Jong Un. Kjo ka nxjerrë në skenë motrën e tij, Kim Yo-jong e cila kërcënoi me shkatërrimin e Seulit nëse dronet shkelin sërish hapësirën ajrore të Veriut. "Vetëm një dron më shumë do të konsiderohej një akt lufte," thotë Pheniani .
Në tre raste këtë muaj, një shi fletëpalosjesh ra në Phenian, me sa duket të hedhura nga një dron pa pilot, por që nuk dihet fiks se kush i ka lëshuar. Motra e Kim thotë se është e bindur se plani ishte hartuar nga ushtria dhe inteligjenca e Seulit dhe kështu ajo e pa të arsyeshme të jepte ultimatumin.
Artileria e Koresë së Veriut në paralelin e 38-të është vendosur në gatishmëri për një urdhër të menjëhershëm; Kim Jong-un kryesoi një takim të Këshillit të tij të Sigurimit të hënën më 14 tetor për të "përcaktuar linjat e veprimit të menjëhershëm ushtarak".
Por si munden disa fletëpalosje të hedhura nga një dron i paarmatosur të alarmojnë kreun e një regjimi si ai i Koresë së Veriut? Fletëpalosjet përmbajnë foto të ‘Marshalit të nderuar’ që mban një orë luksoze në kyçin e dorës (e preferuara e tij, sipas analistëve që e studiojnë me obsesion, është një IWC zvicerane Schaffhausen me vlerë 13,400 dollarë ).
E ekspozuar ndaj pakënaqësisë së popullit të Koresë së Veriut është edhe vajza e Kim-it, e cila vesh një xhaketë lëkure nga Dior: një dhuratë e vogël me vlerë mijëra dollarë, me përbuzje për varfërinë endemike të njerëzve të zakonshëm në Korenë e Veriut.
Nën fotot, autorët e fletushkave shtuan një listë se sa kilogramë oriz dhe grurë mund të bliheshin me paratë që Kim shpenzoi për orën dhe xhaketën. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje