Presidenti rus Vladimir Putin u takua sot me ministrin e jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi. Në takim morën pjesë edhe Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov , Ndihmësi i Presidentit Yuri Ushakov dhe Shefi i Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Igor Kostyukov. Delegacioni iranian, përveç Araghchi-t, përfshinte zëvendësin e tij, Kazem Gharib-Abadi, dhe Ambasadorin në Moskë, Kazem Jalali.
Gjatë takimit Putin tha se Rusia është e gatshme të bëjë gjithçka që i shërben interesave të Iranit në kontekstin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
"Nga ana jonë, ne do të bëjmë gjithçka që i shërben interesave tuaja, interesave të të gjithë popujve të rajonit, për të siguruar që kjo paqe të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur", tha Putin.
Mediat ruse shtuan se Putin mori një mesazh nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, duke i uruar kreut të Republikës Islamike shëndet dhe prosperitet.
"Shpresojmë sinqerisht që, duke u mbështetur në këtë guxim dhe dëshirë për pavarësi, populli iranian, nën udhëheqjen e një udhëheqësi të ri, do ta përballojë këtë periudhë të vështirë sprovash dhe paqja do të vijë", shtoi Putin.
Nga ana tjetër, Araghchi falënderoi Moskën për mbështetjen e saj ndaj Teheranit. Ai vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe vuri në dukje se ato do të vazhdojnë të forcohen. Diplomati shtoi se Irani do të vazhdojë të luftojë Shtetet e Bashkuara.
"E gjithë bota ka provuar se populli iranian, nëpërmjet rezistencës dhe guximit të tij, ishte në gjendje t'i rezistonte sulmeve amerikane, agresionit amerikan dhe do të jetë në gjendje të durojë dhe të mbijetojë këtë periudhë kohore", shpjegoi Araghchi.
Përpara se të fillonin bisedimet, ministri deklaroi se planifikonte të diskutonte me Rusinë koordinimin e përpjekjeve për t'i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje