Shërbimi Federal i Mbrojtjes së Presidentit ka ndaluar orët e dorës gjatë takimeve me Putinin: ja arsyeja
Që tani e tutje, kushdo që do të takojë presidentin Vladimir Putin nuk do të mund të mbajë orë dore. Ajo që për njerëzit e zakonshëm mund të duket si një kërkesë absurde, në të vërtetë është një vendim i marrë nga Shërbimi Federal i Mbrojtjes së Presidentit (FSO) për të garantuar sigurinë e kreut të Kremlinit. Lajmi u bë i ditur nga kanali informativ në Telegram, Mozhem Obyasnit. Sipas raportimeve, ndalimi ka hyrë në fuqi që nga mesi i muajit prill.
Por pse është vendosur një masë e tillë? Duhet pranuar se, në ditët e sotme, orët nuk kanë më vetëm funksionin e tregimit të kohës. Disa modele janë të pajisura edhe me funksione të tjera. Për këtë arsye, personeli i sigurisë së presidentit druhet nga pajisje që mund të fshehin mikro-eksplozivë ose sisteme të afta për të lëshuar substanca toksike dhe helmuese. Jo vetëm kaq. Disa orë mund të mundësojnë regjistrimin e audios ose gjurmimin satelitor të pozicionit të presidentit.
Pra, ka nga ata që e konsiderojnë gjithë këtë një marrëzi të diktuar nga paranoja, dhe të tjerë që i kuptojnë masa të tilla, duke marrë parasysh nivelin e teknologjisë që është arritur sot. Nuk duhet harruar se Vladimir Putin ka qenë ish-agjent i KGB-së dhe e njeh shumë mirë botën e spiunazhit, ashtu siç di se objekte të ndryshme mund të shndërrohen lehtësisht në mjete vdekjeje.
Kështu, pas telefonave celularë, edhe orët e dorës, si digjitale ashtu edhe mekanike, janë futur në listën e objekteve të ndaluara. Rregulli i ri duhet të respektohet nga ministrat, këshilltarët, funksionarët e lartë dhe drejtuesit e kompanive që do të kenë mundësi të takohen me presidentin.
Nëse shihen fotografitë më të fundit të presidentit Putin, vihet re se bashkëpunëtorët e tij nuk mbajnë asnjë lloj ore dore.
Do të kishte vetëm një përjashtim: Sergej Çemezov, president i konglomeratit Rostec dhe mik i ngushtë i Putinit, nuk do t’i nënshtrohej ndalimit. Përveç Çemezovit, thuhet se ka edhe pak persona të tjerë tepër të besuar që përjashtohen nga ky rregull.
Ky kriminel do digjet si Stalini, as hiri nuk do i mbetet, mbajeni mend.